Koronavirusi duket se nuk i kursen as moshat e reja. 28-vjeçari Geri Lika, me profesion arkitekt dyshohet të ketë humbur betejën me sëmundjen e Covidit.

Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur të afërmit dhe miqtë e tij në rrjete sociale, të cilët shprehin ngushëllime teksa kujtojnë shpirtin, humorin dhe zgjuarsinë e Gerit, i cili ka lënë pas partneren, prindërit dhe motrën.

Elida Motro i ka dedikuar disa fjalë duke përmendur arritjet e Gerit, pa lënë pas ngushëllimet për familjarët, të cilët mund të jenë plotësisht të tronditur nga humbja. Mbetet ende e paqartë se si u infektua me virusin Covid ndërsa pritet që rasti i tij të konfirmohet ditën e nesërme nga Ministria e Shëndetësisë.

Shkrimi i saj ka shkaktuar reagime të shumta ku persona që e njohin nga afër Gerin dhe duket se janë përlotur pasi tregojnë se sa shumë i mungon. Dëshpërimi është tepër i madh për të gjithë pasi bëhet fjalë për një humbje në lule të rinisë.

Ky është rasti i dytë në vendin tonë që në një moshë kaq të re ndërron jetë nga koronavirusi. Në muajin Korrik, u konfirmua humbja e 21-vjecares, e cila ishte e shtruar në spital në intubim dhe nuk ia doli të fitonte betejën me Covid-19. Vajza e re vuante edhe nga sindromi metabolik, ndërsa mbetet e paqartë nëse Geri Lika vuante nga ndonjë sëmundje tjetër.(A.M/Faxweb.al)