Silva Bino, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, ka lënë spitalin Infektiv, në gjendje të mirë shëndetësore, duke mposhtur Covid 19.

Lajmin e bën të ditur ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila ka postuar dhe një foto të Binos me drejtoreshën e spitalit Najada Çomo, dhe ku nuk mungon lumturia e këtij shërimi.

“Më gëzoi pa masë lajmi i shërimit të prof. Silva Binos, gruas së fortë dhe profesionistes së rrallë, e cila sapo ka lënë spitalin infektiv, pas dy javësh të vēshtira nën kujdesin e prof. Najadës dhe kolegëve të saj në spitalin COVID1. Të presim me padurim”, shkruan Manastirliu në “Facebook”.

Ishte vetë Bino, e cila fillimisht kërkoi që të mos merrte vëmendje rreth vetes duke thënë se gjendja e saj ishte qendrueshme, por në një mesazh në Facebook, më vonë ajo do të shprehej se gjendja që kishte kaluar kishte qenë serioze.

”COVID-19 nuk është grip dhe gripi është një sëmundje serioze, por covid-i është edhe më serioze, pasi ka disa forma të rënda të vetat. Unë kalova formë të rëndë të COVID-19, por erdha në kohën e duhur në spital.

Qe të parandalojmë të prekemi nga gripi dhe nga COVID-19 është i nevojshëm vaksinimi ndaj gripit. Unë jam ende në spital dhe po rikuperohem. Jam në gjendje më të mirë. Jua rekomandoj të gjithëve të vaksinohen”, shprehej Bino në një mesazh që u shpërnda disa ditë më parë dhe nga vetë ministrja e shëndetësisë.