Ish ministri Bushati jep lajmin e mirë, paralajmëron zhvillime të reja në Shqipëri

355

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka komentuar progres-raportin nga Komisioni Europian, i cili ka ndezur dritën jeshile për hapjen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.

Ai paralajmëron dhe ndryshime të mëdha, pasi sipas tij, ky vit është i veçantë për Shqipërinë.

Për Bushatin, lajmi i mirë është se plani i mbështetjes ekonomike dhe investimeve, që shoqëroi paketën e zgjerimit do të reduktojë hendekun ekonomik dhe zhvillimor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së.

“Si çdo vit, Komisioni Europian prezantoi paketën e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Veçantia kësaj radhe qëndron tek Plani i mbështetjes ekonomike dhe investimeve, që shoqëroi paketën e zgjerimit. Zbatimi i këtij plani do të reduktojë hendekun ekonomik dhe zhvillimor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së.

Krijimi i një tregu të përbashkët e të integruar, që funksionon në bazë të rregullave dhe lirive të BE-së do të sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pa zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe investim në kapitalin njerëzor nuk ka shtet të së drejtës dhe pa shtet të së drejtës nuk ka zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Ndaj, kjo paketë duhet të konsiderohet edhe si shtysë për kryerjen e reformave të domosdoshme për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme që bazohet në dije.

Për ne, nuk ka asnjë alternativë përkundrejt rrugës sfiduese të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që siguron mirëqënie për qytetarët. Rrugë, e cila kërkon pronësi mbi reformat, vizion shtetkonsolidues dhe përgjegjësi politike.

Komisioni Europian vlerësoi gjithashtu reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe identifikoi sfidat për t’u adresuar me qëllim zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Ndonëse zyrtarizimi i bisedimeve për anëtarësim mbart një simbolikë të veçantë, qytetarët e zakonshëm të këtij vendi nuk ‘ushqehen’ me hapje e mbyllje kapitujsh. Për ta rëndësi ka perspektiva zhvillimore e vendit, cilësia e jetës, mbrojtja e promovimi i vlerave europaine, të cilat, lidhen drejtpërdrejt me progresin drejt BE-së. Sa më shumë ta çmitizojmë këtë proces e sa më shumë ta lidhim me jetën e qytetarëve aq më rezultativ do të jetë presioni i opinionit publik për ndërmarrjen e reformave që sigurojnë cilësi dhe shpejtësi në këtë proces.

Ky vit është i veçantë për Shqipërinë. Pas pak javësh ne do të përkujtojmë 30 vjetorin e Lëvizjes Studentore që solli ndryshimin epokal nën moton ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Nuk ka vepër më fisnike për të nderuar brezat që sakrifikuan për lirinë, nuk ka investim më të sigurtë për gjeneratën e re, sesa puna e përbashkët për përmbushjen e këtij objektivi kombëtar”, shkruan Ditmir Bushati.