Kryeministri Edi Rama është sot në Durrës ku ka startuar programi i financimit të Bashkimit Europian si donatori kryesor i Konferencës së Solidaritetit në Bruksel, për restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar.

Teksa merrte fjalën në këtë takim, ku i pranishëm është dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj disa akuzave të opozitës sa iu takon fondeve të dhëna nga shtetet e BE, përmes fondit të solidaritetit. Kreu i qeverisë theksoi se fondet e mbledhura në Bruksel, administrohen nga vet BE.

“Disa monumente kulturore u goditën rëndë natën e 26 nëntorit të vitit të kaluar. Këtë proces rimëkëmbjeje dhe rilindje të këtyre pikave strategjike për hartën e pasurive tona të paçmueshme, ne e bëjmë dorë për dore me BE.

BE Në këtë moment kritik u kthye në një stacion ku u mblodhën miq nga mbarë bota për t’u solidarizuar me popullin shqiptar, në konferencën e Donatorëve në Bruksel, prej të cilës ne morëm një mesazh solidarizues edhe emocionues me kontribut rekord.

Duhet të ndalem në një sekondë pasi ka një keqkuptim të fortë tek një pjesë e atyre që sytë i kanë e s’duan të shohin e veshët i kanë dhe s’duan të dëgjojnë, për të kuptuar se fondet e mbledhura në Bruksel, administrohen nga vet donatorëve.

Për të kuptuar se BE përmes instrumenteve të vetë, në bashkëpunim me një strukturë të posaçme të Kombeve të Bashkuara, do të administrojë nga pikëpamja tekniko financiare, të gjithë programi, qoftë për trashëgiminë kulturore, qoftë për shkollat.

Paratë e taksapaguesve evropiane, janë nën administrimin e BE. Kush thotë dhe përsërit si në jerb; “Ku i çuat paratë? Pse i vodhët paratë që ju dha bota?”, duhet të vënë në lëvizje dhe të dëgjoje këtë fakt. Të gjitha fondet e solidaritetit të BE, janë fonde që administrohen nga Bashkimi Europian.

Nuk janë një thes që na e dhanë ne pas konferencës dhe ne e morëm dhe e tretëm, siç ju thotë fantazia atyre qe do e kishin bërë këtë gjë, ose mund ta kenë bërë me paratë e shqiptarëve në të shkuarën. I kërkoj ndjesë ambasadorit dhe miqve tanë, që janë partnerë në këtë projekt, duke kaluar më tutje me një shprehje falenderimi për të gjithë.”, tha Rama.