Personazhi i radhës që është infektuar me COVID-19 është gazetari Erjon Skëndaj. Një betejë kjo aspak e lehtë, por që ai ia ka dalë ta mposhtë me sukses. Si pasojë e virusit, atij i është dashur që të qëndrojë larg ekranit, e ti dedikohej shëndetit të tij që me raste edhe rëndohej.

Gazetari i “News 24″ Erjon Skëndaj ka munguar për një kohë të gjatë në kronikat televizive, pasi u infektua me koronavirus. Teksa ka qenë i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ai rrëfeu gjendjen në të cilën ndodhej, pasi mori virusin. Gazetari tregoi se ka kaluar ditë shumë të vështira, pasi ka pasur ethe, temperaturë, kollë dhe madje nuk mund të flinte as gjumë natën.

“Më ishte krijuar ideja e trimëruar disi, që unë e kisha kaluar më herët me gripit sezonal në janar, shkurt, por nuk ishte ashtu.

Për tre, katër ditë pata dhimbje koke, kyçesh, djersitje të pakuptimtë dhe një lodhje si gjendje të fikti, dhe një vështirësi në frymëmarrje sa nuk e mbaja dot as maskën.

Temperatura nuk kishte nisur. Ia hodha fajin vapës. Por në ditën e katërt më filloi një dhimbje shumë e madhe fyti, djegie, poshtë në pjesën e laringut, kisha një si djegie, sikur kisha marrë flakë. Sikur më kishin hedhur benzinë, nuk përtypesha dot. Nuk erdha në punë, lajmërova redaksinë për shenjat, nuk kisha temperaturë ende. Më nisi një kollë shumë e fortë, lodhëse. E thatë po shumë e fortë, një kollë që të dridhej gjithë trupi trupi, kollitesha çdo 5-10 sekonda.

Nata ishte pa gjumë komplet. Në këto çaste nxitova të bëj tamponin. Në fakt nxitova disi sepse duhet të kisha pritur të vinte edhe temperatura, por mendova se mos unë kisha ditë që i kisha disa simptoma periferike dhe ndoshta isha në mes të kurbës për të bërë tamponin.

E kam bërë tamponin pa nisur temperatura, dhe rezultoi negativ. Pas tri ditësh më nisi temperatura, ishte diku 37.5-38 dhe pas tri ditësh temperatura m’u pre si me thikë, nuk kisha më.

Ajo që nuk m’u nda asnjëherë ishte dhimbja e kokës dhe djersitja dhe bashkë me to edhe një diare prej disa ditësh. Kollën vijoj ta kem edhe tani. Në ditën e shtatë, nisi të më zbehej shija, jo të më ikë komplet. Fillova ta testoj veten te parfumi, më duhej ta afroja shumë afër që të kuptoja. Mora mjekim nga mjeku i familjes,” tregoi Skëndaj.

Ai zbuloi ndër të tjera kurën e dhënë nga mjeku i familjes, për tu mjekuar ndaj virusit.

“Mjeku i familjes më dha një mjekim tip që u jepet të gjithë personave që kanë Covid. Kryeson listën antibiotiku dhe kjo ishte më e çuditshmja. Në listën time nuk përfshihej holluesi i gjakut, por një aspirinë, zinat dhe vitamina dhe zing. Pra, një kurë protokoll tip thoshte mjekja. Kortizonikë më këshilluan për shkak të kollës, por nuk pranova ta marr”, tha Skëndaj.