“Kur më thanë se pastruesja e lokalit ishte sëmurë dhe mund të kishte koronavirusin, e duhet ta bënim dhe ne të tjerët tamponin, u shqetësova shumë,” tregon Besmira, një grua rreth të 40-ave e cila punon si banakiere në një lokal në periferi të Tiranës.

Besmira e cila tashmë e kishte kaluar ankthin, i tregoi Gazetës “Si” se pasi kishin ardhur mjekët e u kishin bërë tamponin, i kishin thënë se duhet të priste 3 deri në 4 ditë për të marrë përgjigjen.

“Ishte një kohë e gjatë dhe unë nuk dija se çfarë të bëja. Një gjendje ankthi që nuk di çfarë të të them. Nuk dija a të shkoja në shtëpi, a të shkoja në punë, e nuk e di çfarë të të them,” shton ajo. Besmira tha se këmbëngulte të merrte përgjigje pasi në vendin e punës së saj kishte edhe punonjës të tjerë; për të mos përmendur klientët që vinin çdo ditë. Ajo shton se kishte frikën e fëmijëve të saj dhe të motrës që vuante nga një sëmundje e rrallë gjaku.

“Doja të dija një përgjigje sa më parë dhe ua thashë edhe mjekëve atë ditë kur erdhën, po më thanë se nuk e kishin ata në dorë. Më vonë nuk dija as ku të pyesja se më thanë që do më kontaktonin vetë. Është më keq të mos e dish se çfarë ke se sa të marrësh ilaçe,” shpjegon ajo. Prej kohësh, ekspertë të ndryshëm të shëndetit publik, qoftë shqiptarë apo të huaj kanë deklaruar se testimi është një hallkë vendimtare për të përcaktuar përhapjen e virusit,

por në vendin tonë jo vetëm që nuk janë dyfishuar testimet ashtu si Ministria e Shëndetësisë parashikoi në datën 17 të muajit të kaluar, kur prezantoi strategjinë e vjeshtë-dimrit, por përgjigja e testeve në sektorin shtetëror del për 3 ose 4 ditë, nga 1 ditë që dilte më parë dhe gjatë periudhës së karantinës.

Ndërkohë mes ankthit dhe korijes, Besmira tregon se i gjithë lokali ku ajo punonte vazhdonte punën. Kur u pyet se pse vazhdonte të shkonte në punë, kur duhet të qëndronte e izoluar, gruaja tha se do t’i mbahej rroga dhe ditët për sa kishte punuar, nuk i mjaftonin për të paguar as qiranë e muajit. Duke u mbështetur në karrige Besmira tregon më pas se pronari ishte detyruar të paguante tamponët e gjashtë punëtorëve në një nga laboratorët privatë të Tiranës, pasi ajo së bashku me kolegët e kishin njoftuar se nuk mund të prisnin më.

“Shyqyr dola negative, po unë e di se ç’kam hequr ato dy ditë, çfarë nuk mendoja,” tregon Besmira duke qeshur paksa e çliruar. Në të gjithë këtë ngjarje rëndësia e përgjigjes së testimit është e madhe. Pas komunikimit me kreun e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, për të verifikuar nëse rastet mund të vonoheshin në raportim nga moskomunikimi i Urgjencës me qytetarin, mjeku tha se rastet e identifikuara janë dërguar tek epidemiologët si gjithnjë, pa asnjë vonesë.

Ndërkohë që mjeku thotë se ka pasur dhe një ulje të ndjeshme të thirrjeve telefonike. Sipas Bratajt, gjatë 24 orëve të fundit janë 1556 thirrje nga të cilat 268 vizita, 273 thirrje për koronavirus, referuar për tampon 64 dhe vizita në banesë janë kryer 27, nga të cilat janë 10 në spital dhe 17 në shtëpi.

Por pavarësisht të dhënave, ende mbetet i paqartë fakti se përse përgjigja e tamponit vonon në 3-4 ditë, pasi nga të dhënat e përditshme nuk vihet re që ka ndonjë ndryshim të madh në testet ditore. Gjatë kësaj periudhe ka pasur maksimalisht deri në 932 teste në ditë, (në datën 18 gusht), një kohë që përkoi e licencimin e laboratorëve privatë për të kryer testimin.

Kur telefonatat në Urgjencën Kombëtare janë ulur dhe në numrin e testimeve ditore kanë kontribuuar dhe laboratorët privatë, pse është kthyer në kaq vështirësi të dalin përgjigjet e testeve në 1 ditë? Ende nuk ka një përgjigje. Ndërkohë eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho ka thënë se vonesa e përgjigjes së testimit ndikon shumë në rendin epidemiologjik.

Kjo tendencë vonese duket se nuk është vetëm në Shqipëri. Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit e kanë këtë problem. Për shembull Kosova dhe Mali i Zi i vonojnë përgjigjet e testeve deri në 3 ditë, Maqedonia deri në 2 ditë dhe Serbia deri në 4 ditë, por realizon mesatarisht 6 mijë testime në ditë.

Ndërkohë shtetet e tjera si Greqia, Italia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ruajtur të njëjtën linjë që nga fillimi i epidemisë. Në Greqi përgjigja e testit PCR del për 24 orë në sektorin shtetëror dhe përgjigja e testit serologjik del për 6 orë. E njëjta gjë ndodh edhe me vendet e tjera. Në Mbretërinë e Bashkuar vonesa e përgjigjes mund të arrijë në 72 orë, kur shihet nga ekspertët se ka një problem me testimin. Në çfarë situate të virusit ndodhemi?

Brataj shpjegoi se vera ka ndikuar shumë në uljen e virulencës së virusit. “Ndërkohë faktor tjetër është se në verë rrimë më shumë përjashta dhe tjetra është spostimi i popullsisë në zonat verore që janë edhe më të ventiluara. Shifrat që ne pamë në gusht ishin rezultat i korrikut kur u hapqn masat e fundit. Pati një shpërthim, të mosvazhdimësisë të respektimit të masave, gjë që solli një grumbullim të njerëzve. Sot mundësia e kontaktit është më e madhe; aq më e madhe është edhe transmetueshmeria e infeksionit,” shtoi mjeku.

Sipas Bratajt, do të kemi përsëri një rritje rastesh të infektimeve nga mesi i tetorit, sepse do të shohim pasojat e grumbullimeve të ndodhura në shtator. “Në datën 14 nisi shkolla dhe e pamë grumbullimin, më shumë të prindërve se sa të fëmijëve, rreth shkollave për ditët e para. Rezultatin e asaj ne do ta shohim më vonë sepse grumbullimi i njerëzve rrit infeksionet.

Nga mesi i tetorit ne do të shohim dëmin që kemi bërë në këtë periudhë dhe normale që do të ketë një rritje fiziologjike të virusit. Ndërkohë virulenca është ulur, prandaj në këtë moment mendohet që këto lloj mutacionesh kanë ndodhur për mirë. Gjithashtu dhe koha e sëmundjes është ulur, nuk është më 10-15 ditë por është ulur shumë për format e lehta që janë faktorë pozitivë. Është rezultat i uljes së virulencës së virusit, prandaj një virus i dobët nuk shkakton një dëmtim në organizëm. Por ndërkohë ne shohim se ka një tendencë të shtuar mosbesimi tek njerëzit”, tha Brataj.