“Ne prindërit shqiptarë jemi disi të ftohtë…”, letra prekëse e një babai për të bijën

“Nuk dua të harrosh asnjëherë se sa shumë të dua. Ne prindërit shqiptarë jemi disi të ftohtë si natyrë. Nuk i shprehim hapur ndjenjat që kemi brenda nesh. Mendojmë se fëmijët tanë e kuptojnë vetë dashurinë e fortë që ne kemi për ta, por harrojmë se kur ndodhin keqkuptime dhe nuk i themi gjithë gjërat që mendojmë, dyshimet dhe pasiguritë mund të lindin si tek ne, edhe tek fëmijët tanë.

 

Unë nuk dua që ti të ndihesh e pasigurtë. Pasigurive që shoqëruan fëmijërinë dhe adoleshencën tënde pa një nënë përkrah, u ka ardhur fundi me kohë. Dua që këto fjalë t’i kujtosh gjithmonë, sepse do të jenë përherë aktuale dhe nuk do të ndryshojnë asnjëherë.

 

Ti je personi më me vlerë në jetën time. Dua të të dëgjoj të qeshësh dhe të të shoh të buzëqeshësh. Jam krenar për personin që ti je shndërruar dhe pavarësisht se çfarë ndodh në jetën tënde, unë besoj se ti do të bësh zgjedhjet e duhura.

 

Nga dita kur nëna jote u nda nga jeta, më dukej detyra më e vështirë të të rrisja ty. Ti ishe vetëm dy vjeçe dhe unë duhet të merrja përsipër çdo detyrë të saj dhe ta vija në praktikë me ty. Ti qaje shumë. Ndoshta nuk të pëlqenin gjërat që gatuaja unë dhe nuk doje t’i haje. Qaje kur unë të ushqeja.

 

Pastaj u rrite dhe fillove të bëheshe dalëngadalë një vajzë e pavarur. Gatuaje vetë. I bëje vetë punët e shtëpisë, ndërkohë që edhe mua më bëje krenar me rezultatet e larta në shkollë. U rrite dhe fillove të më shërbeje mua për të gjitha herët që unë isha kujdesur për ty. Je kujdesur për shtëpinë tonë dhe nuk i lije pas mësimet e tua. U rrite dhe i mendoje mirë gjërat që bëje.

 

Tashmë je një vajzë plotësisht e pavarur, e diplomuar dhe e punësuar në punën që përherë e ëndërroje ta bëje. Çfarë mund të kërkoj unë më shumë si një prind? Çfarë mund të kërkojë çdo prind më tepër se sa që fëmijët e tij të rriten të edukuar, të kulturuar dhe të përgjegjshëm?

 

Vlera e një prindi duket në mënyrën se si i rrit fëmijët e vet. Ndoshta me ty unë edhe kam gabuar diku. Ndoshta jam treguar edhe i ashpër ndonjëherë, por dije se kurrë nuk e kam bërë për të keqen tënde. Doja të të shihja kështu siç je tani. Një femër e aftë t’ia dalë mbanë e vetme përpara çdo sfide në jetë.

 

Mos mendo se duke të quajtur e rritur dhe e pavarur, nuk do të kujdesem për ty. Do ta bëj përherë. Përherë do të kujdesem, sepse ti do të mbetesh gjithmonë e vogla ime. Gjithmonë do të më duket sikur do të kesh nevojë për ndihmën dhe këshillat e mia në jetë. Unë s’do ta lejoj asnjë që të të lëndojë, sepse të kam rritur me plot vuajtje dhe sakrifica, si çdo prind shqiptar me fëmijët e vet. Nuk dua të shoh në krahët e dikujt që do të lëndojë, sepse ti meriton gjërat më të mira në jetë.

 

Babi të uron mijëra vite të tjera me shëndet, lumturi dhe shumë suksese në jetë! Bija ime e vogël, kurrë mos e harro sa të dua dhe se përherë do të kujdesem për ty. Përherë do më kesh pranë vetes. Uroj që vitet të mos na ndajnë kurrë! Edhe 100!”

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...