Ditën e nesërme fillon viti i ri shkollor në vend, por kësaj here më një përgjegjësi të shtuar të nxënësve për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në kuadër të masave të marra, bëhet me dije se nxënësit do të duhet të deklarojnë çdo rast që mund të hasin me nxënës të infektuar.

Madje kjo përbën edhe përgjegjësi ligjore për ta, pasi Ministria e Arsimit ka shpërndarë një dokument ku të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri te klasa e fundit në gjimnaz, do plotësojnë një formular.

Dokumenti:

Unë nxënësi/ja…klasa…deklaroj në përgjegjësinë time personale se kam/nuk kam pjesëtar të familjes time të prekur nga Covid-19. Unë personalisht nuk jam i prekur nga pandemia. Unë….prindi i nxënësit/es…. klasa…. deklaroj në përgjegjësinë time personale se fëmija im dhe familja ime nuk jemi të prekur nga covid-19. Nëse keni ndonjë pjesëtar të prekur, ju lutem specifikoni cilin.

Nxënësit do të mbajnë përgjegjësi nëse kanë pasur kontakte me persona të infektuar, por pyetja që lind natyrshëm është se si një fëmijë i klasës së parë do të jetë në gjendje të dallojë se kur një person është apo jo i infektuar?

Një dokument kontradiktor në fakt, kur dihet se një fëmijë nuk mund të mbajë përgjegjësi penale deri në moshën 14-vjeçare dhe përgjegjës për të është prindi apo personi që mund ta ketë në kujdestari.