Teksa zërat për ndryshime në qeveri po shtohen nga dita në ditë, marrëdhëniet mes ministrave dhe deputetëve janë ftohur ndjeshëm. Gazeta e ka thënë ditët e fundit se shumë deputetë dhe krerë bashkish janë ankuar tek Rama për ministrat, tashmë po publikojmë edhe fakte.

Në 7 shator u mblodh Konferenca e Kryetarëve për sesionin e ri parlamentar dhe ka pasur pakënaqësi për sjelljet e ministrave. Sipas procesverbalit të mbledhjes, kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, i është përgjigjur Gramoz Ruçit për ministrin Genc Cakaj. Në fjalën e saj gjatë mbledhjes ajo tha se ky i fundit nuk është angazhuar plotësisht në komisionet më çështje të rëndësishme që u realizuan sesionin e kaluar.

Sipas saj edhe në diskutimet për çështjen me Greqinë lëvizjet nga Cakaj kanë qenë zero dhe të pajustifikueshme. “Po bëhen tashmë shumë muaj që kam kërkuar prezencën e ministrit në detyrë Cakaj, për çështje të ndryshme, duke filluar që nga çështjet e një rëndësie të veçantë, siç mund të jetë drejtimi i Presidencës së OSBE-së nga Shqipëria, por edhe çështje që kanë të bëjnë me riformatimin e komisionit nga pala shqiptare, që do të marrë pjesë në bisedimet me Greqinë lidhur me delimitimin apo çështje të tjera të një rëndësie të veçantë të politikës së jashtme.

E mirëkuptoj agjendën e ngarkuar të ministrit në detyrë në kohën kur ai ka udhëtuar, por nuk ka asnjë justifikim mosprezenca e tij në kohë pandemie dhe karantinimi, kur lëvizjet janë pothuajse nul”, deklaroi ajo. Ndërsa tregoi se për këtë problem ka dërguar ankesë edhe në qeveri, Kodheli i kërkoi kryetarit të Parlamentit që të tërheq vëmendje ndaj kësaj sjelljet të ministrit Cakaj dhe ai të fillojë të jetë prezent në çështjet që i takojnë.

“Mund të shpresoj në prezencën e tij për të gjitha çështjet që shqetësojnë politikën shqiptare, Parlamentin shqiptar, në mënyrë të veçantë komisionin dhe pa diskutim qeverinë. Kështu që përfitoj nga rasti ta ndaj me ju këtë shqetësim, me shpresën që në kërkesën e ardhshme që tashmë e kam përgatitur,por nuk është dërguar ende, në pritje të fillimit të këtij sesioni, ministri në detyrë të mund të jetë prezent, për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave”, u shpreh Kodheli.

Deklarata e Ruçit

Nisur nga ankesa e Kodhelit, por jo vetëm, kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, u bëri një thirrje të padiskutueshme të gjithë ministrave, që mos të krijojnë më probleme të tilla në sesionin e ri. Po ashtu u kërkoi ministrave që të lidhen on-line nëse nuk munden fizikisht me komisionet.

Ai garantoi se tre salla do jenë të hapura për komisionet që do trajtojnë çështjet kryesore. “Kërkesa e zonjës Kodheli vlen jo vetëm për ministrin në detyrë, Cakaj, për Komisionin e Jashtëm, por për të gjithë ministrat. Zonja Spiropali, gjatë këtij sesioni parlamentar, ka përcjellë këtë shqetësim të Konferencës së Kryetarëve dhe Parlamentit në tërësi për prezencën e tyre në aktivitetin parlamentar.

Besoj se biem dakord që të vazhdojë puna e komisioneve me të dyja variantet, do të jenë në dispozicion të tria sallat. Pra, asnjë komision nuk do të ketë probleme në këtë drejtim. Në qoftë se do të ketë më shumë se tri kërkesa për sallë, do të njoftoni në kohën e duhur, për të bërë grafikun qoftë për sallën e seancave plenare, qoftë për sallën e byrosë, qoftë për sallën e grupeve.

Pra, nuk do të ketë asnjë pengesë në lidhje me ligje kryesore, për të cilat kërkohet vërtetë një debat i gjerë dhe i plotë, kush të cilin nuk e plotëson dot debati on-line”, deklaroi ai. Ndërkohë ai nuk ka ngurruar t’u rikujtojë pjesëmarrësve që në çdo takim që do bëjnë të respektojnë rregullat e vendosura në protokollin për frenim të koronavirusit.