Situata me Covid-19 në vendin tonë paraqet shifra të larta të personave të infektuar, ndërkohë që çdo ditë raportohet për pacientë që kanë ndërruar jetë.

Sakaq në spitalet Covid-1 dhe Covid-2, ku aktualisht po trajtohen 188 pacientë, janë ngritur dyshime për mënyrën sesi po menaxhohet situata në brendësi, kjo për shkak të dy ngjarjeve të rënda që ndodhën, ku dy pacientë me Covid-19 i dhanë fund jetës duke u vetëhedhur nga spitale.

Për të qetësuar qytetarët, një javë pas ngjarjes së rëndë ku u vetëhodh një pacient nga spitali Covid2, ministria e Shëndetësia publikoi një video në mediat sociale ku lavdërohet puna dhe shërbimi brenda spitaleve.

Me një imazh të kuruar dhe një zë pa emocione, nënë Mariana siç raporton ministria është kthyer në shtëpi e shëruar dhe thotë fjalë zemre për mjekët dhe infermierët që i shërbyen në spitalin infektiv.

Nënë Mariana, madje arrin deri aty sa e cilëson spitalin si një vend turizmi, aq e mrekulluar ka mbetur nga shërbimi i stafit spitalor, që nuk vihet në dyshim…

“Bëra skanerin e dytë. Kur bëra skanerin e dytë mjeku më tha se isha përkeqësuar shumë dhe atëherë mora 127 erdhën më shtruan në spital. Më bënë kontrollet analizat dhe procedurën që bëhet për Covid-19. Me ato djem dhe ato vajza që të shërbejnë pa hesap. Që të ndërrojnë, që të ushqejnë që të shoqërojnë, me një mjekim special duke të ndenjur tek koka, ushqimi special. Pastërtia?! Nuk di çfarë të them për pastërtinë!

Të vinin çarçafët të palosur, të hekurosur, uji se kam dëgjuar të thonë nga rrjetet sociale si janë kushtet në spital. Është turp i thash, jemi si në turizëm. Të vij uji dhe të lutet infermieri të pish ujë dhe të rrinë shishet rreshtuar në tavoline! Një shërbim i përkryer. Skaneri i tretë doli shumë mirë. Mua mu shpëtua jeta. Kam qarë, jemi të lumtur. Them o zot për këto njerëz nuk kam fjalë për ti falenderuar.”- u shpreh nënë Mariana.