Një ditë më parë, emisioni “Stop” në Tv Klan denoncoi një rast skandaloz se si kompania shtetërore e sigurisë “Illyrian Guard” nuk ishte në gjendje që të ruante institucionin e AKEP.

 

Përmes kamerës së fshehtë, emisioni “Stop” tregoi me zë e figurë se si një person u bë roje objekti nën “siglën” e “Illyrian Guard” vetëm duke paguar 500 mijë Lekë ryshfet.

 

Dhe kaq mjaftoi që gazetari i “Stop” të hynte më pas në ambientet e brendshme të AKEP pa e shqetësuar askush. Jo vetëm, por shkoi edhe në zyrën e drejtorit ku u ul në tavolinën e tij. Po kështu, gazetari i “Stop” kishte në dorë edhe të gjitha çelësat e automjeteve të këtij institucioni.

 

Pas këtij skandali, sot Policia e Shtetit u vu në lëvizje dhe sekuestroi pamjet filmike, ndërsa ka nisur hetimet për këtë rast.

 

Sot, gazetari i emisionit “Stop” Genci Angjellari shkoi përsëri në zyrat e AKEP. Por, pas transmetimit se si siguria e këtij institucioni linte për të dëshiruar dhe mund të hynte kushdo, sot rojet kishin “blinduar” ndërtesën. Jo vetëm kaq, por nuk lejuan kamerën e “Stop” që të filmonte në ambientet e jashtme.