Një muaj pas shpërthimit në Liban, ekipet shpëtuese identifikojnë rrahje zemre nën rrënoja

115

Ekipet shpëtuese në Bejrut po vazhdojnë të kërkojnë nëpër rrënojat e një ndërtese pas raportimeve se një person mund të jetë gjallë, një muaj pas shpërthimit masiv që shkatërroi kryeqytetin libanez.

- PUBLICITET -

 

Pajisjet e specializuara me sensorë u dërguan në zonën Mar Mikhael pas raportimeve, ende të pakonfirmuara, se u dëgjua një rrahje zemre.

 

Teksa kalonin në ndërtesën e rrënuar të mërkurën, qeni i ekipit shpëtues dha një shenjë se brenda ishte një person i gjallë. Kur u kthye sërish në mëngjes qeni shkoi në të njëjtin vend dhe dha të njëjtën shenjë. Grupi më pas përdori një skaner për të kërkuar një rrahje zemre ose një frymë nga brenda dhe erdhi me pajisje për të gërmuar në rrënoja.

 

Një grup i madh njerëzish u mblodh në vendngjarje dje, ndërsa ekipi i shpëtimit nga Kili filloi të punonte. Ende nuk dihet nëse vërtet ka një njeri që është gjallë nën rrënoja.

 

Ekipet e shpëtimit ndërprenë kërkimet gjatë natës pasi nuk kishin vinça për të ngritur rrënojat, mes frikës se ndërtesa mund të shembet. Por vullnetarët lokalë vazhduan të punojnë me dorë, ndërsa një vinç i siguruar nga individë privatë ka mbërritur më vonë në vendin e ngjarjes.

 

Ndërkohë njerëzit po shpresojnë për një histori të mrekullueshme mbijetese.

 

Më shumë se 200 njerëz vdiqën dhe rreth 300,000 të tjerë mbetën të pastrehë nga shpërthimi i ndodhur më 4 gusht, kur 2,750 ton nitrat amoni shpërthyen pranë portit.

 

Populli libanez është ngritur në protesta për faktin që një sasi kaq e madhe materiali i rrezikshëm ishte ruajtur në mënyrë të pasigurt në një depo në portin e qytetit, e cila ndodhet shumë afër zonave të banuara. Dorëheqja e qeverisë libaneze menjëherë pas ngjarjes nuk arriti t’i qetësonte protestuesit, të cilët u konfliktuan ashpër me policinë në qytet për disa net.

- PUBLICITET -