“Anisa nuk i ka plotësuar ende ditët e Zotit”/ Detaje nga ngjarja ho rror në Tiranë, ja veprimi i fqinjëve 10 ditë para se të zbulohej ngjarja

286

Kunati i Zhaneta Josifit, bashkëshorti i motrës së saj, u shpreh dje se kishte kohë që ai dhe e shoqja nuk i shihnin vajzat, Anisën dhe Blertën. Sipas tij, nëna dhe vajza mund të jenë rekrutuar nga persona të tjerë dhe e quan fatkeqësi të madhe këtë që ka ndodhur.

 

“Kisha kohë që nuk i shihja. I shkova në shtëpi dhe kërkova Anisën. Më tha që nuk e linte të dilte se nuk i kishte bërë ditët e Zotit. Anisën kisha që në mars të vitit 2019 që nuk e shihja fare. I kam folur edhe për punën e fesë, por më urrenin. Në fillim janë rekrutuar në Përmet, pastaj librat i kanë marrë te një qendër te zona e ‘Selvisë’, këtu në Tiranë. Dy javë më parë shkova të takoja posaçërisht Anisën, por nuk më lejuan. Më ndaluan te dera. Ato nuk ushqeheshin, sepse ishin dobësuar shumë”, ka treguar ai.

 

Policia e Tiranës është lajmëruar pasditen e së enjtes nga shtetasi Selman F., se motra e tij që banonte në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, në Kombinat, nuk po i përgjigjej në telefon dhe nuk po i hapte derën e banesës.

 

Ai është pyetur për adresën e saktë dhe drejt tij janë nisur menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.6. Pasi kanë provuar të gjitha format për të hapur derën e apartamentit në katin e tretë të pallatit, shërbimet e Policisë kanë lajmëruar zjarrfikëset, pasi ishte e pamundur që të futeshin brenda.

 

FQINJET

Zhaneta bashkë me vajzat, të paktën sipas fqinjëve, kishte dy vjet që nuk dilte nga shtëpia, madje edhe dyer dhe dritare i mbante mbyllur. Fqinjët e saj thanë se kanë shkuar dhe kanë trokitur në derën e shtëpisë së të ndjerës, por ajo i ka përzënë, madje tregojnë se ajo nuk i pranonte brenda as njerëzit e saj të afërt.

 

Një nga fqinjët, që banon ngjitur me apartamentin ku ndodhi ngjarja, tregoi dje se kishte njoftuar edhe më parë Policinë. Ajo ishte shqetësuar nga sjelljet e çuditshme të Zhanetës dhe të dy vajzave të saj.

 

“Shkova në Komisariatin e Policisë dhe u thashë që doja të flisja me shefin. I thashë që kisha shkuar vetëm për një problem, sepse i kam në derë dhe kisha frikë se çfarë mund të bënin. Kush e di se si e kishin hallin, mos marrin flakë. Mos kanë kaluar në depresion, se vajtën kaq vite. Unë kam 2 vite e ca që nuk i kisha takuar”, tregon ajo.

 

Ndërsa një tjetër fqinje, e cila u bë edhe shkak që aty të shkonte Policia para 10 ditësh, thotë se ka nisur të dyshojë pasi Zhaneta i ka folur keq, duke e përzënë.

 

“I them: ‘Zhaneta ku e ke Anisën?’, Më tha që kishte vajtur në një vend. ‘Mos ka ikur në Gjermani?’, e pyeta unë. Kishte dy vjet pa dalë fare. I rashë derës. ‘Ik, mos ta shoh bojën’, më tha”, tregon ajo.

 

Pas këtij momenti ka lajmëruar Policinë. Shërbimet e rendit kanë ardhur, por Zhaneta pasi ka folur me ta duket se i ka bindur që të largohen, pa arritur që as ata të futeshin brenda.

 

ERA E RENDE

Muajin e fundit, fqinjët e familjes Josifi kishin nisur të dyshonin se brenda banesës së tyre kishte ndodhur diçka, kjo për shkak të erës së rëndë të dekompozimit të trupit të 31-vjeçares. Banorët e shkallës ku jetonin nëna me dy vajzat kanë komunikuar me bashkinë se mendonin se era e rëndë vinte nga tubacionet e ujërave të zeza. Megjithatë, gjatë javëve të fundit, duket se edhe nga temperaturat e larta, era kishte filluar të bëhej shumë e rëndë, gati e padurueshme. Fqinjët kanë thënë se në banesën e tyre, kohë më parë, herë pas herë vinin njerëz të veshur zyrtarë që shpërndanin broshura.