Historia e dhimbshme e 17-vjeçares: Ulesha tek shkallët dhe prisja duke qarë me shpresën se do vinte

260

Nuk ka qenë e lehtë për 17-vjeçaren Vjosana që të rritej pa të ëmën, ndërsa tregon se më së shumti është rritur nga gjyshërit dhe tezet, për shkak të problemeve shëndetësore që e shoqëruan atë që pas lindjes së të bijës.

 

Në “Tv Klan”, ajo rrëfeu historinë e saj, dhe thotë se e priste të ëmën ulur tek shkallët çdo ditë, me shpresën se ajo do të vinte.

 

Vjosana: Kam patur një histori të fëmijërisë time shumë të vështirë. Pikësëpari nëna ime ka vuajtur shumë që në momentin që mua më ka lindur. Unë mendoj që ndoshta ka qenë e shkruar, që të vuante që nga ai moment dhe mos e ngrinte kokën. Që në momentin kur unë linda, mami gjatë operacionit që më lindi mua ka patur komplikacione, të cilat e vështirësuan jetën e saj dhe në vazhdim. Jam rritur, më shumë kam qëndruar tek nëna dhe tek gjyshi, me tezet, mami gjatë gjithë kohës ishte në spital. Doktorët i thanë që e kishte të detyruar dhe një lindje tjetër.

 

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë jeni ju?

Vjosana: Jemi 3, kam një motër 13 vjeç dhe vëllain 10 vjeç. Gjatë gjithë kohës që mami ka qenë sëmurë, unë isha ajo vajza më e dobët, vetëm qaja, nuk kam qenë aspak e fortë. Pas problemeve gjinekologjike, filluan problemet kurrizore, një problem që mezi e kemi zgjidhur. Më pas u sëmura unë, me apadesitin, kemi ndenjur 2 javë në spital. Mami që gjatë gjithë kohës më qëndronte tek koka, erdhi një moment që ajo u ftoh, u sëmur edhe ajo me apandesit. Mjekët i bënë analizën dhe e futën direkt në sallë.

 

Ardit Gjebrea: S’paskan të mbaruar këto historitë tuaja!

Vjosana: Vërtet s’kanë të mbaruar. Mjekët e futën në sallë dhe në spital mbeti: Ku është ajo nëna, që solli vajzën me apandesitin dhe u operua për vete. Lindi pas dy vitesh dhe vëllain dhe prapë gjërat qëndruan ashtu siç ishin, asgjë nuk ndyshoi, ajo nëpër spitale çdo ditë. Vinte mëngjesi, ku është mami? Ka ikur të bëjë kontrolle në spital.

 

Ardit Gjebrea: Ti pyesje?

Vjosana: Unë pyesja, por e vetmja gjë që më thoshin është që mami ka ikur të të blejë gjëra të mira ty. Dhe unë si një fëmijë i vogël i merrja parasysh!

 

Ardit Gjebrea: I besoje?

Vjosana: I besoja! E vetmja gjë që bëja ishte që ulesha tek shkallët dhe e prisja aty gjatë gjithë kohës, derisa lodhesha, filloja të qaja, shikoja që nuk vinte, derisa më zinte gjumi pastaj. Po e njëjta gjë dhe në ditët në vazhdim.

 

Vjosana: Momenti më i vështirë për mua ishte kur mami iku në Gjermani, për t’u kuruar jashtë. Kam qenë rreth 13 vjeç. Ka qenë një moment shumë i vështirë, pasi para se të ikte në Gjermani kishte 2 muaj në spital, edhe asgjë nuk po shkonte mirë. Mjekët aty të pakujdesshëm, domethënë tërë këto probleme që unë përmenda, i kanë ardhur nga shkaku i mjekëve, nga pakujdesia e tyre dhe është vërtet për të ardhur keq.

 

Ardit Gjebrea: Këtu apo atje?

Vjosana: Këtu! E çuam në Gjermani dhe unë shikoja gjatë gjithë ditës që lëvizeshin valixhe, bëheshin rrobat gati. Në darkë i thashë mami kur të zgjohesh nesër për të ikur, do më zgjosh edhe mua të të takoj. Ok më tha. E kisha të qartë që nuk do më zgjonte, do më linte në gjumë, se u zgjua në 4 të mëngjesit.

 

Ardit Gjebrea: E takove?

Vjosana: Unë gjithë natës kam ndenjur pa gjumë, se e dija që nuk do më zgjonte. U zgjova, motra me vëllain ishin në gjumë, nuk i lëviza ata, shkova e takova, Momenti më i vështirë për mua ka qenë ndarja, m’u duk si një lamtumirë, jo sikur ajo do kthehej prapë. Edhe kisha shumë frikë këtë pjesë. E çoi babi në aeroport, ajo iku me gjyshin, me babin e vet. Babi ndenji me ne. Shkoi në Gjermani, kur u kontrollua mjekët i nxorrën diçka tjetër, jo atë që i kishin konstatuar këtu. Kreu operacionin atje dhe kur u kthye këtu pas dy javësh. Ne ishim në ankth gjatë gjithë kohës, si do shkonte operacioni atje, e kishte bërë me vdekje klinike. Vërtet ka qenë shumë e fortë domethënë se është dhe pak fizikisht e dobët dhe që ka përballuar kaq shumë gjëra, mua më motivon shumë si femër.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është mami yt?

 

Vjosana: Mami është 36 vjeç!

Ardit Gjebrea: Flisnit në telefon gjatë kësaj kohe?

Vjosana: Komunikonim në telefon, por unë nuk mundja domethënë të komunikoja shumë, se i kisha premtuar që nuk do qaja, por kur e shikoja atë nuk e mbaja dot veten. Mund të shkruanim më mirë, se sa të flisnim në kamer. Më thoshte më premto që nuk do qash, që do i rrish pranë motrës dhe vëllait. Ok i premtova, por nuk e kam mbajtur premtimin sepse unë gjatë gjithë kohës, ky stresi kaq i madh më bëntë të isha me nerva. Edhe motrën me vëllain i lija tek nëna dhe vetë shkoja në dhomë dhe doja të rrija vetëm.

 

Ardit Gjebrea: Tani është ok?

Vjosana: Tani është ok, operacioni i fundit që bëri ishte në Mars, shpresoj që të kenë mbaruar me kaq!