12 vjet më parë Sali Berisha e shpalli George Soros mik të madh të shqiptarëve ndërsa sot rrezik të madh për kombin

178

Ndryshe nga kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili nuk e ka lakuar qoftë edhe një herë emrin e Sorosit në publik, Sali Berisha ka dhënë alarmin se George Soros dhe mafia e tij, janë një rrezik madhor për demokracinë shqiptare.

- PUBLICITET -

 

Po ashtu, Berisha ka aluduar edhe për një miqësi okulte mes Sorosit dhe kryeministrit Edi Rama. Po sa i vërtetë është Sali Berisha në ofensivën ndaj Sorosit? Cilat janë fijet e padukshme që lidhin filantropin me krerët e Partisë Demokratike?

 

Nëntë vjet më parë, në 25 janar të 2008, Sali Berisha e shpallte George Soros mik të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërsa sot e konsideron si rrezik për kombin shqiptar dhe si njeriun që ka korruptuar më shumë se kushdo tjetër politikanë mbi tokë. 12 vjet më parë, Berisha i kërkonte George Soros financimin e projekteve të ndryshme në Shqipëri, ndërsa sot e akuzon për veprime mafioze në rajon.

 

Takimi në Zvicër
Në 25 janar të 2008, ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me George Soros, në Davos të Zvicrës. Në njoftimin e Kryeministrisë, Soros konsiderohej si mik i madh i shqiptarëve.

 

“Në vijim të takimeve, në Davos të Zvicrës, (ish) kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me mikun e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, George Soros, financier dhe filantrop i njohur botëror. Gjatë bisedës me George Soros, (ish) kryeministri Berisha u ndal në ecurinë e reformave në Shqipëri, si dhe bëri një panoramë të arritjeve në fushën arsimit, kulturës, shëndetësisë, etj.”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

 

Ndërkaq, në 6 Dhjetor të 2014, George Soros ka zhvilluar një vizitë në Tiranë. Gjatë kësaj vizite, Soros ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën. Mbetet mister se çfarë është diskutuar në atë takim, por të pranishëm kanë qenë deputetët Eduard Selami dhe Gerti Bogdani.

 

Projektet
Gjatë takimit në Davos të Zvicrës, ish-kryeministri Sali Berisha, i ka prezantuar z. Soros projektet e ndërmarra në bashkëpunim me kompani të njohura botërore në sektorin energjetik.

 

Po ashtu, Berisha i ka kërkuar Sorosit ndihmë për popullsinë rome. “Më pas, biseda u përqendrua në çështje sociale, ku Berisha, në mënyrë të veçantë u ndal në problematikën e shtresave rome dhe egjiptiane në Shqipëri, për të cilat kërkoi mbështetjen e z. Soros në projekte të ndryshme në ndihmë të kësaj popullsie.

 

Nga ana e tij, Z. Soros u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në realizmin e projekteve të tilla. Ndër të tjera, George Soros u shpreh se do te zgjerojë bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në projekte për zhvillimin e arsimit dhe sistemit universitar në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

 

Dokumenti për Sorosin
Misioni çerekshekullor i filantropistit me famë botërore, George Soros, në Shqipëri, është rrethuar gjithnjë me një mjegull misteri. Emri i miliarderit Soros, herë pas here, del nga nëndheu i politikës shqiptare, ndërsa teoritë konspirative dhe aludimet e artikuluara në adresë të tij, janë të pafundme.

 

Tre vite më parë janë zbardhur disa dokumente sekrete, të strukturave të ‘perandorisë Soros’, të cilat qartësonin rolin e saj dhe politikat e ndjekura në Shqipëri. E-mail-et janë hakeruar nga një grup i panjohur, i cili fshihet nën emrin DC Leaks.

 

Përmbaja e njërit prej e-mail-eve, vizaton rolin real të George Soros në zhvillimet politike në Shqipëri, në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian si dhe pozicionin e organizatës në raport me kampet politike në Tiranë.

 

Ndryshe nga perceptimet e krijuara, rezulton se Shqipëria ka një peshë modeste në planet e Sorosit. Ndërkaq, organizata e Sorosit, Open Society Foundation (OSF) në Shqipëri pranon afrimin me Partinë Socialiste, ndërsa tregon momente kyç të ndërhyrjes në zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri.

- PUBLICITET -