Pas një retorike të pakëndshme dhe aspak në kontekstin e fjalimit në parlament të kryeministrit Rama, duke përdorur për krahasim Kishën Katolike, ka ardhur edhe reagimi i parë.
Ka qenë Fra Sokol Pepushaj, administrator famullie në Delbnisht në sherbim të famullisë së Shën Teodorit si dhe meshtar në Shenjtoren e Shna Ndout Laç- Sebaste, ai që ka bërë dy postime në faqen e tij në Facebook.
“Falenderoj Deputetin Kujtim Gjuzi për reagimin sot. Vertet nuk jemi të perfaqesuar aty me sa duket. Por pse me perdor emnin e Kishes Katolikve e të Peshkopve si xhaxhi? Nga të tjeret mori duartrokitje. Paraqitja nuk ishte e denjë sot.”, ka qenë ky postimi i parë i klerikut katolik.
Rreth një orë pas këtij postimi, Fra Sokol Pepushaj ka postuar edhe një shënim tjetër të shkurtër, këtë herë edhe me doza ironie për kryeministrin e deklarimet e tij.
“Pa politik fyese po i kthej faqen tjeter. Faqen e arsyes z. Kryeministrit. “Po me urën çka pate”. Paqe e të Mira!”, ka shkruajtur Fra Pepushaj duke përdorur një frazë mjaft të njohur nga kinematografia e para vitit 1990. Fra Sokol Pepushaj nga Vukli i Kelmendit në Malësinë e Madhe është kleriku i parë katolik që reagon ndaj fjalimit aspak etik të kryeministrit sot në Kuvend, ndërsa nga nivelet më të larta të Kishës Katolike akoma nuk ka reagim. /ShkodraWeb Media/