Dashnor Kaloçi – Dokumenti që po publikojmë në këtë shkrim është një procesverbal i një mbledhje të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1979, të cilën e ka drejtuar vetë Enver Hoxha, dhe ndërmjet pikave të tjera të rendit të ditës, është diskutuar edhe për problemet e artit e të kulturës, si dhe të rinisë në përgjithësi.
Nisur nga kjo gjë, aty kanë marrë pjesë si të ftuar edhe Lumturi Rexha, sekretare e parë e Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, Dritëro Agolli, si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Moikom Zeqo, poet, shkrimtar, arkeolog, etj. Siç shihet dhe nga procesverbali, tonin mbledhjes ia ka dhënë vetë Enver Hoxha, dhe nga të pranishmit e ftuar më shumë ka diskutuar Moikom Zeqo dhe më pak Dritëro Agolli.
Ajo që vihet re aty në atë mbledhje, është fakti se është folur e diskutuar shumë për problemet e artit e të kulturës, apo më saktë vetë Enver Hoxha, duket sikur ka dashur të shesë apo tregojë erudicionin e tij dhe e ka kanalizuar temën e bisedave në diskutime e debate akademike, si p. sh.: prejardhja e shqiptarëve, pellazgët, ilirët, gjuha shqipe, kultura, traditat zakonore, veshjet, xhubleta, kinematografia jonë dhe ajo e huaj, etj., etj. Apo duke përmendur personalitete të kulturës e artit si; Faik Konica, Namik Resuli, Sami Frashëri, Ismail Kadare, Fatmir Gjata, etj., etj., deri te kineastët, e aktorët e kinematografisë shqiptare të viteve të fundit, si: Ruzhdi Pulaha, Robert Ndrenika e Yllka Mujo.
Po kështu Enver Hoxha ka lavdëruar edhe aktorin e njohur, Mirush Kabashi, për rolin e tij (Komandanti i Xhandarmërisë) te filmi “Koncert në vitin 1936”, por pa ia përmendur emrin. Ashtu siç shihet edhe nga procesverbali i kësaj mbledhje, Enver Hoxha flet me mjaft respekt për aktorin e famshëm Robert Ndrenika, edhe pse ai e dinte “kleçkën” e tij (vëllanë e arratisur), dhe për Mirash Kabashin, i cili, gjithashtu, kishte “kleçkë” jo të vogël në biografi (dajën, Skënder Çela, të pushkatuar në 1947) gjë për të cilën Mirushi ishte hequr nga skena dhe ishte dërguar punëtor në Hekurudhë.
Gjë e cila tregonte se para talentit të jashtëzakonshëm të dy aktorëve të mëdhenj të skenës dhe ekranit shqiptar, siç ishin Ndrenika dhe Kabashi, ndonjëherë edhe diktatorët komunistë, siç ishte Enveri, detyroheshin të përuleshin para talentit të tyre?! Dokumentin në fjalë po e publikojmë me shkurtime, duke dhënë vetëm pjesën e dytë të mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror.

SHOKU ENVER HOXHA: Sidoqoftë ky skenar është i zhanrit të Dritëroit, i cili shkruan me realizëm dhe konkretisht për fshatarët. Ju poetët e rinj, duhet ta ndiqni shembullin e tij. Sa film i bukur, i realizuar me ndjenja, ishte ai për ne. Sa bukur interpretonte artistja që është një vajzë e re. Vetëm me sytë e saj, pa folur fare, ajo flet për atë që është zor të shprehet me fjalë.
Le t’i bëjnë reklama sa të duan në Francë dhe në të gjithë botën Brixhit Bardosë, por artistja jonë e re e këtij filmi, e lë në bisht të urës Bardonë. Në film tregohen në mënyrë prekëse zakonet e popullit tonë, tregohet jeta e nënave tona që i fejonte babi në djep. Aty unë pashë edhe jetën e nënës time.
Një ditë gjyshi im, babai i nënës, siç më kanë treguar, rrinte i mërzitur në kafe. Ç’ke more Jonuz, pse rri kështu i vërejtur? – e kishte pyetur vëllai i babait tim. – po ç’të kem, më lindi vajzë, i qe përgjigjur gjyshi. – O …., punë e madhe, ta marr unë për djalin tim. – Po ti s’ke djalë, i ishte përgjigjur gjyshi. – Nuk kam unë, por im vëlla, Nexhipi, ka Halilin. Dhe aty e kishin vendosur e i kishin dhënë dorën njëri-tjetrit.
Gjyshi qe kthyer shpejt i gëzuar në shtëpi dhe u kishte thënë familjarëve: e fejova çupën me të birin e Nexhip Hoxhës. Kaq e kishte patur fejesa e nënës sime me babanë tim. Të tilla ngjarje na kujtohen në këtë film. Episode në filmin “Dollia e dasmës sime” janë thurur kaq bukur e me shije të hollë, sa të bëjnë për vete. Kur plaku në anë të oxhakut i flet vajzës, spikat dukshëm karakteri i vjetër i bashkuar me ndjenjat e kulturës sonë.
Më fal, i thotë vjehrri nuses, dhe me të gjitha ato gjestet e tij paraqitet i rreptë për diçka, por edhe i dashur, përparimtarë dhe patriot për gjërat e mëdha. Kjo duket natyrshëm kur ai thotë: ‘hajde ti vajzë, lidhja plagën të plagosurit’. Ose te filmi “Gjeneral Gramafoni” është historia që kemi jetuar vetë ne. muzika e këtij filmi është zgjedhur nga ato melodi të ëmbla që na kanë kënduar nënat tona në djep.
Kënga jonë tronditëse e shoqëron aksionin politik këmba-këmbës dhe del fitimtarë. Ajo e dërrmon armikun, siç e dërrmuan trimat me armë në dorë. Kënga jonë, me jehonën popullore është kushtrim për luftë. Në shoqërinë borgjeze, doemos nuk i pëlqejnë filmat tanë. Nuk i pëlqen borgjezia, se morali ynë proletar është në kundërshtim me moralin e degjeneruar borgjez.
Megjithatë edhe në këtë shoqëri ka shumë njerëz që nuk e durojnë degjenerimin e djemve dhe të vajzave të tyre, thirrjet e borgjezisë për “lirinë seksuale”. Popujt janë armiq të degjenerimit, kurse klasat shfrytëzuese e ushqejnë atë. Pse masat punonjëse në Turqi i duan filmat tanë? I duan se shohin si kemi kaluar ne nga errësira në dritë.
Ata shohin një film që paraqet si ka qenë gjendja 40 vjet më parë në Shqipëri, pastaj një film tjetër paraqet periudhën e ndërtimit të socializmit. Masat në Turqi krahasojnë zhvillimin e tyre me tonin dhe shikojnë sa mbrapa kanë mbetur; ata kujtojnë kohën kur rronin në guva diku, andej në fund të Anadollit dhe u bie në sy shkëmbi me gropa, ku futen akoma njerëzit pa strehë nëpërmjet shkollave më baltë.
Të gjithë kemi lexuar romanin aktual “mësuesi” që të bën të vesh duart në kokë për realitetin e hidhur në Turqi. Kur ata shohin filmat tanë dhe i krahasojnë në nivelin e tyre të zhvillimit, duket qartë ndryshimi ynë me gjendjen e tyre sot. Kur bien në kontakt jashtë me literaturën tonë ideologjike, nuk duan t’ia dinë për asgjë dhe çahen për ta blerë. Të ndjekim këtë rrugë, thonë ata, se kjo është rruga jonë. Në këto kushte qeveria urdhëron që të mos blihen librat tanë, se u “futin zjarrin brenda”.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe për filmin “Gjenerali Gramafoni” që u shfaq në Turqi, thanë se kjo, që është bërë në Shqipëri, bëhet edhe te ne nga kultura amerikane.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, kultura amerikane depërton në Turqi, sepse në kapitalizëm shteti më i fortë u eksporton edhe natyrën e jetesës shteteve më të dobëta. Mënyra e jetesës nuk është vetëm blerja e drogave, e najlonit, e kostumeve ose e këpucëve, por nëpërmjet blerjes së tyre blihet edhe kultura e huaj që e korrupton masat.
Aktorët tanë, të vjetër e të rinj, profesionalistë dhe amatorë, janë të mëdhenj, se kanë dalë nga gjiri i popullit dhe i ka edukuar Partia. Kur shikon Sandër Prosin në filmin televiziv ” Udha e shkronjave”, duke interpretuar rolin e Dhaskal Todorit, secili jetonte me përpjekjet e sakrificat e dijetarëve tanë të mëdhenj, që flijuan jetën e tyre.
Ai film paraqet me të vërtetë forcën e madhe të popullit tonë, zotësinë dhe vetëmohimin e njerëzve tanë. Kur shohim filma të tillë, njerëzit tanë thonë: ‘more, në këto kohëra të vriste tjetri për hiçgjë dhe shikoje për dhjam qeni, siç u vra Dhaskal Todri për shkronjat e gjuhës shqipe. Kisha reaksionare të fuste thikën prapa shpine e përse? Sepse doje gjuhën tënde.
Të njëjtat përshtypje për të kaluarën e hidhur, për intrigat e klasave shfrytëzuese, u krijohen spektatorëve edhe kur shikojnë koncertin e Tefta Tashkos e të tjera. Robert Ndrenika, që interpreton me mjeshtëri rolin e nënprefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”, është një artist i talentuar. Ai duhet të jetë artist i merituar, por nuk e bënë të tillë, se na paska vëllanë të arratisur.
Na u prish puna, se Ndrenika e paska vëllanë të arratisur. Po kush pyet për vëllain e tij. Ne do ta kemi parasysh origjinën e njerëzve, por kjo nuk duhet të na pengoji për të parë qëndrimin dhe punën e vet personit. Edhe rrethi familjar duhet studiuar lidhur me personin, por, në qoftë se djali bëhet patriot, punon për socializmin dhe sakrifikon për atdheun, qëndrimi i babait apo i vëllait nuk mund të bëhet pengesë për të vlerësuar punën e tij.
Po të veprohet ndryshe, atëherë ku vete vija e Partisë për të ndrequr njerëzit? Këto punë nuk kuptohen drejt nga të gjithë njerëzit, more shokë. Në Bushat, një familje, që iu rrëzua shtëpia nga tërmeti dhe të zonjës së shtëpisë iu vra një djalë, por meqë një tjetër e kishte të arratisur, nuk i vajti asnjëri nga fshati për ngushëllim.
Asaj nëne i mbeten dhe dy djem të tjerë si diva, por këtyre nuk u fliste njeri me gojë. Ç’është ky qëndrim? Po le ta ketë djalin të arratisur ajo plakë, ajo është qytetare. Dhe kur i vajti në shtëpi sekretari i Partisë për ngushëllim, plaka e heshtur e habitur i tha: ‘ti, more, të vish në shtëpi tek unë? Si është e mundur? Do të vij posi, i tha sekretari, ai që tradhtoi atdheun, të vejë në djall. Na, merr ç’të takojnë dhe shtëpinë do të ta ndreqi shteti. Tash dy djemtë e plakës ditë e natë punojnë të entuziazmuar dhe të ngrohtë.
Ju jeni të rinj, por ne, të moshuarit, e mbajmë mënd Lushnjën e para çlirimit tamam ashtu sikurse paraqitet në film. Ai që luante rolin e komandantit të xhandarmërisë, siç më tha dhëndri im, është një shoku i tij, e interpretonte bukur atë rol. Ne po ecim përpara në artin kinematografik, të cilin duhet ta ndihmojmë që të zhvillohet akoma më shumë. Edhe artistët e rinj, në i kemi të mirë dhe me perspektivë.
Ata kanë luajtur në filma të rinj si “Vajzat me kordele të kuqe”, “Lulëkuqet mbi mure” ej. Në këto filma luajnë edhe më të vegjël, por ata i interpretojnë aq bukur, sa habitesh kur i shikon. Edhe televizioni ynë ka marrë një rrugë të mirë. Nuk është kollaj të mbushet televizioni me shfaqje nga ora tetëmbëdhjetë e deri më njëzet e dy, ose nga një herë edhe në njëzet e tre.
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Kurse programet e televizionit të huaj janë mbushur me shumë reklama tregtare.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, ashtu, është. Gjysmën dhe treçerekun e kohës së shfaqjeve televizive ata e angazhojnë me reklama, e filma për vrasje dhe me lajme. Kurse televizioni ynë, ka një program të pasur e të gjithanshëm. Ka emisione shkencore, recitime nga artistë dhe poetë, këngë e valle të ndryshme. Edhe një gjë tjetër. I vini rëndësi përhapjes së librit në masat e rinisë, se në konkluzionet tuaja lexova që librat nuk para venë, në fashat.
Të punoni shumë që, kur të marrë i riu një poezi të Dritëro Agollit, të Ismail Kadaresë, të Fatmir Gjatës, apo Mojkom Zeqos, që kemi këtu sot, t’i japë asaj tonin e duhur kur ta lexoji dhe ta ndjejë shpirtërisht atë që shkruhet, bile të derdhë edhe ndonjë pikë lot, që të tjerët të hapin sytë e të thonë: ku është ky libër që ta marrim e ta lexojmë dhe ne. Këto forma pune, shpesh herë kanë më shumë efekt, se sa një konferencë.
Mua më duket se fola shumë për këto çështje, prandaj t’i japim fund dhe t’ju urojmë suksese në punë. Të na jepni sa të jetë e mundur më shumë vepra të mira nga krijimtaria juaj dhe të punoni që ato t’i shfrytëzoj masat e rinisë. Mirë. Mbaruam. T’ju jap edhe njëherë dorën juve, shokëve dhe shoqeve të rinisë. Qofshi mirë dhe mirupafshim.
(Marrë nga libri, “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, botim i UEt PRESS, Tiranë 2016. Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Organet udhëheqëse) Dosja 20. Viti 1979. F l. 41-60