Gramoz Ruçi bën paralajmërimin e fortë, kërkon përjashtimin e deputetit

263

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka paralajmëruar deputetët lidhur me daljet e tyre në mbledhjet online. Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, Ruçi u kërkoi kryetarëve të Komisioneve Parlamentare që të marrin masa ndaj çdo deputeti dhe u shpreh se një prej tyre ‘jep mendimin e tij në Kamëz’.

“Kemi pasur një rast, nuk po e them se cili deputet ishte, që, megjithëse është marrë masa që klubet të mbyllen, lidhet online për një mbledhje të komisionit dhe jep mendimin e tij nga një klub në Kamëz.

Në raste të tilla do t’ju kërkoja juve, si kryetarë komisionesh, se i keni të gjitha atributet që, në zbatim të Rregullores në situatë të zakonshme, aq më tepër në një situatë të jashtëzakonshme, ta përjashtoni nga mbledhja e komisionit cilindo nga deputetët që shkel masat dhe mos e lejoni futjen e tij në mbledhjet respektive për sa i përket kësaj çështjeje.

Në qoftë se në këtë seancë ne nuk zbatojmë në mënyrë strikte masat e vendosura deri më sot në sallën e parlamentit, seanca do të përfundojë në disko live dhe do të japim mesazhin më të keq të mundshëm.

Në qoftë se mesazhi i të gjithë popullit shqiptar ka qenë i shkëlqyer dhe falë këtij mesazhi, këtij qëndrimi, këtij respektimi te këtij vullneti, këtij durimi, ne kemi këtë rezultat që kemi, atëherë salla e Kuvendit do të japë shembullin më të keq ndaj zgjedhësve të vet, prandaj këtë duhet ta kemi parasysh” tha Ruçi.