Në këto ditë koronavirusi ku shumica e njerëzve janë izoluar, pjesa më e madhe dalin nga shtëpitë vetëm për të blerë bukë në furra.

Nisur nga shqetësimet e vazhdueshme Shoqata e Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave është e nevojshme të ritrajtojë edhe njëherë problemin e prerjes bukës.

“Është tepër e nevojshme ndalimi në mënyrë absolute i prerjes bukës, pasi rrezikon në maksimum shëndetin e klientëve. Një buke e prerë do të thotë prishja e guaskës mbrojtëse të bukës që është pjekur me temperaturë 230-240° dhe prishja e kësaj guaske krijon pasoja shumë të mëdha për intoksikimin”, thuhet në deklaratë.

Më tej shtohet se në kushtet e tanishme të Covid-19 është tepër e nevojshme të ndalohet prerja e bukës në mënyrë absolute dhe se kjo duhet t’ju bëhet e qartë të gjithë klientëve dhe kërkohet që makina prerëse të largohet nga pjesa e prerjes që kemi zakonisht. Në të njëjtën kohë është e nevojshme për furrat e bukës që kanë shërbimin e kafesë të ndalohet kafeja ambulatore sepse kjo krijon premisa për grumbullimin e njerëzve dhe për daljen e tyre nga shtëpia si një shërbim ekstra që e kemi vetëm ne.

“Për të dyja këto kemi vërejtje edhe nga institucionet dhe kërkesa nga klientët , prandaj është e nevojshme që ti zbatojmë për të qenë në rregull me respektimin e ligjeve te shtetit për këtë periudhë”, thuhet në mbyllje.