Për llumin që shkojnë në Kuvend me makina 100 mijë euroshe

Nga Mustafa Nano/

-Ligji mbi dekriminalizimin e politikës erdhi pas një nisme të opozitës dhe suksesi ishte i padiskutueshëm. Menjëherë u evidentuan një numër politikanësh lokalë e qëndrorë që kishin probleme me biografinë e tyre penale. Ishin dënuar, apo ishin paditur, për krime të kryera në të shkuarën, shpesh 20 vjet më parë.

Akuzat ishin: vjedhje, kontroll prostitucioni, përdhunime, apo ku di unë çfarë tjetër. Këta janë larguar tanimë nga politika. Të gjithë, pothuajse të gjithë, ishin të lidhur me maxhorancën.

-Ky ligj ishte ok. Shumë mirë që u bë. E duhet të mbetet gjithë kohën në mënyrë që t’u bëhet pengesë gangove apo ish-gangove të kenë një zë, apo fuqi të plotë, në procesin e vendimmarrjes. Por….. ka një “por” që mua më duket e rëndësishme.

-Ky ligj është bërë nga njerëz që janë, me shumë gjasë, më të inkriminuar sesa ata që ligji synon të godasë. Autorët e ligjit, e në përgjithësi miratuesit e ligjit, në fakt një pjesë e mirë e tyre, jo të tërë, do duhej të ishin dënuar për faje më të rënda.

Ata kanë abuzuar me pushtetin, kanë shpërdoruar fondet publike, janë pasuruar vetë. Një pjesë e tyre kanë pasurira të pallogaritshme sot, shkojnë në Kuvend me makina që kushtojnë mbi 100 mijë euro dhe të mendosh se ata nuk kanë qenë biznesmenë asnjë ditë.

Sikur të mos mjaftonte ky krim, ata kanë kryer edhe krime të tjera që për mua janë edhe më të rënda: kanë provokuar herë pas here trazira sociale, kanë provokuar kriza politike, ja, si kjo e këtyre ditëve, na kanë penguar neve të mbajmë zgjedhje normale, na kanë vjedhur votat, kanë penguar ndërtimin e një administrate publike të qëndrueshme, na kanë bërë gazin e botës me sherret e tyre, etj, etj.

-Por ata nuk janë dënuar sepse kanë pasur imunitet, e sidomos impunitet. Dhe impunitetin ua jep edhe shoqëria shqiptare që në një mënyrë a në një tjetër u ka dalë në mbrojtje, por edhe pushteti, të cilin e përdorin pikërisht për të mbrojtur vetveten.

E keni pyetur ndonjëherë veten se pse kudo politikanët vjen një ditë që ikin, e veç këta tanët nuk ikin kurrë? Përgjigja është: kanë bërë aq shumë të pabëra e paudhësira sa vetëm imuniteti e impuniteti politik mund t’i mbrojë. Dhe këtë imunitet a impunitet nuk mund ta kenë, nëse ikin nga politika.

-Si përfundim, ligji i dekriminalizimit është ok, e duhet të mbetet e duhet të funksionojë, por ky ligj nuk bën dekriminalizimin e vërtetë.

Ligji i dekriminalizimit na ka pastruar fushën prej një pisllëku të lehtë, por llumi i madh ka mbetur brenda. Sepse vetëm një budalla mund të mendojë se Elvis Rroshi apo Valdrin Pjetri janë për vendin një e keqe më e madhe, e janë me bëma kriminale më të forta, sesa do politikanë shqiptarë që përveçse janë milionerë në euro pa bërë kurrë një biznes, kanë bërë edhe një dëm shumë më të madh: kanë mbjellë varfëri e padrejtësi, e kanë vrarë dashurinë për këtë vend te shumica e shqiptarëve.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...