NDËRRON JETË NË MOSHËN 99-VJEÇARE NEXHMIJE HOXHA

446

Ndërron jetë në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, gruaja e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Ajo lindi më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, ndërsa prindërit e saj ishin me origjinë nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul në Tiranë. Shkollën e mesme ajo e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë.

Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi.

Nexhmije Hoxha ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941. Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror.

Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së. Nga viti 1966 e në vazhdim kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së.

Ka kryer edhe veprimtari studimore dhe publicistike. Ka botuar edhe disa libra. Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”.

Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit.

Me Enver Hoxhën u martua në 1 janar të vitit 1945. Ajo la pas tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë.