Ndoshta e dua vërtet Tropojën! Të pathënat e filmit të Ermal Mamaqit, komedi romantike por jo e jashtëzakonshme

Para se të shihja “I love Tropoja,” bëra diçka të zgjuar: Shmanga trailerin, reklamat, intervistat e Ermal Mamaqit,

përshtypjet e të tjerëve dhe gjithë materialet promovuese që m’u servirën pambarimisht online. Jam e mendimit që një film, që të qëndrojë me dy këmbët e veta, nuk ka nevojë të më cimbisë orë e sekondë. Prandaj hyra në sallë e verbër, pa e ditur çfarë më priste, pa paragjykuar dhe pa kurrfarë anësie.

Landi (Ermal Mamaqi), një punonjës që bëhet drejtor banke në Tropojë, niset të jetojë në veri i trembur deri në palcë nga gjithë stereotipet që ka dëgjuar për tropojanët që janë të gjithë si “Marko from Tropozha.” Si pasojë e një incidenti – ngatërron derën e banjës me derën e Valbonës (Arjola Demiri) – kryeplaku i fshatit, babai i Valbonës (Bruno Shllaku), e detyron të martohet me të bijën. Nderi vihet mbi gjithçka në veri. Edhe pse Landi dhe Valbona janë të dy të lidhur me njerëz të tjerë, i binden fatit të tyre.

Si komedi romantike, filmi e bën si duhet punën e tij. Është i lehtë, argëtues dhe nuk pretendon të jetë më i thellë nga ç’është. Fotografia është në shumë rregull, kostumografia, skenografia, skenari po ashtu, aktrimi mirë, i gjithë filmi ishte në rregull. Jo i jashtëzakonshëm, jo i tmerrshëm. Thjesht në rregull. Për mendimin tim dhe për një producent të ri si Mamaqi, një film që është thjesht mirë, është goxha arritje. Ndoshta Mamaqi vërtet e konsideron si filmin më të mirë në historinë e filmave, por s’besoj se është nevoja ta shpreh që kjo deklaratë është tejet ambicioze dhe naive.

Filmat që po prodhohen në vend të japin shpeshherë idenë sikur janë draft i parë, i papërpunuar. Ndoshta kjo s’është e vërtetë, por rezultati në ekran këtë ide më krijon. “I love Tropoja” nuk përbën përjashtim. Vihet re më së shumti në pavendosmërinë e filmit për t’u kualifikuar si një histori realiste apo një fabul komike prag absurdit. Do të doja të ishte fokusuar te njëra ose te tjetra – ose tejet i vërtetë, ose tejet absurd – që të prezantohej me një identitet më të qartë dhe të mirëformuar.

Nëse zgjidhni ta shihni, nuk do të mërziteni, as do të shihni orën duke pritur të mbarojë; “I love Tropoja” është tamam një rrugëtim i këndshëm. Dinamika e krushqve, një çifti malësor dhe një çifti jugor është kaq qesharak dhe kaq e vërtetë një të njëjtën kohë. Si aktorë karriere, Bruno Shllaku krah Marjana Kondit dhe Bujar Asqeriu krah Pranvera Veizit, i mbushin me jetë të gjitha skenat bashkë. Janë absolutisht të preferuarit e mi në film. Irgen Çela, që luan rolin e vartësit të Landit dhe shokut të ngushtë, gjithashtu dha një performancë të shkëlqyer.

Arjola Demiri dhe portreti i saj perfekt ishte mëse natyrale, edhe pse dialogu tek-tuk s’ishte i tillë. Performanca e Encës (të dashurës së Landit) në rolin më antipatik sot për sot, u mbyt disi nga të lartpërmendurit. Ndërsa Edi Rama (daja i Landit) ishte praktikisht vetja, prandaj s’e kuptoj nevojën për të krijuar një rol për të, kur fare mirë mund të ishte paraqitur si vetja. Rikthehemi sërish te dualiteti i “I love Tropoja,” realist apo absurd?

Gjithashtu, filmi nuk shpërbëu asnjë nga stereotipet që u nis të shpërbënte. Nëse në fillim të historisë tropojanët ishin të frikshëm dhe të rrezikshëm, në fund u vërtetua që ishin të tillë. Ama, shpresoj të ketë bërë që turistët ta shohin Tropojën si një destinacion të mrekullueshëm për pushime.

Nëse donit ta shihnit, absolutisht shiheni. Nëse ju tundoi ky shkrim ta shihni, absolutisht shiheni. Nëse nuk keni pasur në asnjë moment asnjë pikë dëshire për ta parë, qëndroni në shtëpi. Ndonjëherë e përcaktojmë çfarë mendimi do të kemi për diçka pa e njohur akoma dhe prandaj kush nuk niset me mendje të hapur do të gjejë një mënyrë për ta urryer. Gjithë të tjerët jam e bindur që do të kënaqen.

Marrë nga Anabel.al

*VINI RE: Titulli i vendosur është redaksional

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...