Valë dorëheqjesh në drejtësi nga frika e hetimeve, dorëzojnë detyrën 3 gjyqtarë

Vetingu dhe kushti gjerman për të hetuar gjyqtarët dhe prokurorët me probleme kanë alarmuar njerëzit e drejtësisë.

Deri më sot ata që kanë ngelur në veting ja kanë hedhur paq, por duket se ditët më të vështira do të vinë. Në maj do të vendoset për negociata mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ndërkohë që një ndër kushtet kryesore është që të hetohen të ngelurit në veting.

Kjo do të thotë se brenda majit SPAK do të hapë dosjet e pasurive për gjyqtarët e prokurorët. Por në radhët e drejtësisë ka dhe nga ata që kanë filluar lëvizjet për të shmangur çdo lloj të papriture. Dje Këshilli i Lartë Gjyqësor mbajti mbledhjen e parë të këtij viti dhe bëri me dije se 3 gjyqtarë kanë dhënë dorëheqjen, e cila është pranuar, duke u hequr statusin e magjistratit. “Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të dorëheqjes nga detyra, të tre gjyqtarëve”, thuhet në njoftim.

Për shkak të ligjit për të dhënat personale KLGJ nuk ka bërë të ditur emrat, por gazeta ka mësuar se dy prej tyre janë gjyqtarja e Apelit Shkodër, Marina Rraboshta dhe gjyqtari i Apelit, Stavri Kallço. Ky i fundit në dorëheqjen e dorëzuar ka deklaruar se motivi është për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore. Ndërkohë emri i tretë nuk dihet. KLGJ dje vendosi t’u heqë statusin e magjistratit, duke bërë kështu që të gjithë emrat t’i shpëtojnë vetingut.

Valë largimesh

Por interesant është fakti se gjyqtarët dhe prokurorët po përdorin si precedent atë që bëri ish-kryeprokurori Adriatik Llalla disa muaj më parë, në mënyrë që t’i shpëtojnë ndëshkimit. Sipas statistikave të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, deri tani janë rreth 40 gjyqtarë dhe prokurorë që i janë shmangur procesit, duke mos hyrë në veting, ose kanë dalë në pension.

Ndërkaq plot 10 njerëz të drejtësisë kanë dhënë dorëheqjen pasi janë njohur me aktet e rivlerësimit. Bëhet fjalë për prokurorin Petrit Fusha dhe gjyqtarët Astrit Haxhialushi, Joana Qeleshi, Agim Bendo, Arjana Fullani, si dhe së fundmi gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Liljana Baku. SPAK sapo mori jetë, por zërat se në fokus të saj do të jenë dhe të ngelurit në veting janë shtuar. Kryeministri e ka premtuar, ndërkohë që dhe BE është shprehur se pa skanuar pasuritë kriminale nuk i hap negociata. Kjo i ka trembur të gjithë dhe kush e di se nuk e kalon vetingun, po merr masa të largohet pa bërë zhurmë.

Vendimet e tjera që miratoi KLGJ

Po ashtu, në mbledhjen e djeshme Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi vendimin e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në 29 mars të vitit 2015 pezulloi nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Kavajës, Osman Aliu. Në mbledhjen e djeshme, KLGJ vendosi të revokojë vendimin e ish-KLD, duke i njohur gjyqtarit Osman Aliu të drejtën e përfitimit të pagesës, për kohën kur ka qenë i pezulluar nga detyra. “Të revokojë Vendimin nr. 47, datë 29.04.2015, të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, “Mbi pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Osman Aliu”.

Por jo vetëm kaq, KLGJ i njohu të drejtën gjyqtarit Osman Aliu që të përfitojë të gjitha pagat e gati 5 viteve të pezullimit nga detyra. “T’i njohë gjyqtarit Osman Aliu të drejtën për përfitimin e pagës për të gjithë kohën e pezullimit nga detyra, nga data 29.04.2015”, thuhet në njoftimin e KLGJ. Por për çfarë arsye u pezullua nga detyra Osman Aliu? Pesë vite më parë, kur ministër i Drejtësisë ishte Nasip Naço, ai i kërkoi presidentit Bujar Nishani, që në atë kohë ishte dhe kreu i KLD-së, që të pezullonte nga detyra gjyqtarin e Kavajës. Ministri Naço dyshonte se gjyqtari Osman Aliu kishte fshehur të ardhurat, ndërsa për të kishte nisur një hetim nga Prokuroria e Tiranës.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...