Fëmijët e pastrehë të Krishtlindjeve

Nga Ermal Mulosmani

Para tri ditësh, në mbrëmjen më të festive të vitit, atë të Krishtlindjeve, djali im 9 vjeçar më kërkoi më këmbëngulje të dalim në qendër të Tiranës, atje ku llamburisin më së shumti dritat, ku shkëlqimi është më rrëzëllitës e zhurma e hareja janë në maksimum. Me përtesë u çova dhe mbërritëm atje diku nga ora 9 e mbrëmjes.

 

Gjithçka ishte e mrekullueshme. Lokale të këndshme përplot me të rinj që zhurmonin duke pirë alkool, kalamanj që prisnin radhën për në lodrat e pafund, familjarë që bënin foto në dekoret përrallore plot xingla mingla e të tjerë që si puna ime që po shijonin gëzimin e fëmijëve të tyre nga hedhjet në susta, apo xhirot marramendëse me makineritë që endeshin me një shpejtësi të frikshme dhe shoqëroheshin me klithmat e frikshme por plot adrenalinë të atyre që i shijonin. Kështu zgjati nja dy orë të mira edhe kjo shëtitje e këndshme në qendër të Tiranës dhe u nisëm të ktheheshim edhe me “mirëkuptimin” zemërthyer të djalit. Ora po shkonte 23.00 dhe Krishtlindjet do të zhvendoseshin në Kishat e Tiranës.

 

Në dalje të sheshit, në rrugën mes Hotel Tiranës dhe Pallatit të Kulturës, vura re një pamje të trishtueshme… Ishte një fëmijë, vajzë ndoshta, rreth 5 vjeçe, e ulur në ca kartona të vendosura kuturu mbi asfaltin e ftohtë e të ngrirë. Isha i zhytur në xhakaventon e gjatë e të ngrohtë, me duar në xhepa e, sinqerisht, po mërdhija. Zhurma që vinte nga festa ishte sfond që theksonte gjendjen e trishtë.

 

Djali e pa dhe vazhdoi rrugën. Ka një ndjenjë frike kur sheh të pastrehë. Nuk ia pëlqej por nuk kam ç’ti bëj. Unë u ndala. Kërkova në xhep dhe gjeta një 2 mijë lekësh të vjetër dhe ia zgjata. E mori pa gëzim. Për mirënjohje nuk bëhej fjalë. Nëse po mendoni se po prisja mirënjohje nga ajo vajzë pesëvjeçare, gaboheni, thjesht doja ta gëzoja. Por ajo nuk kishte gëzim. Pas meje nuk kishte asnjeri. Ika me mendjen te ajo vajzë. Kishte hedhë krahëve një rrobë pa ngjyrë, një lloj xhupi. Dikush ishte kujdesur t’i jepte pamjen e dhimbjes. Sytë i kishte gri në blu por të trishtuar si të një plaku.

 

Kjo ndodhi para tre ditëve.

Mbrëmë, miku im Armir Shkurti kishte bërë një status në Fb, ku në foto ishte një tjetër fëmijë i pastrehë, i shtrirë i mbulur me ç’kishte mundur. Ndoshta po flinte. Ndoshta po ngrinte. Askush nuk e di me siguri. Nuk ka statistika për fëmijët e ngrirë netëve të fundit të Dhjetorit… Ato prishin poezinë e festës.

Ky i gjorë ishte i rritur pak, ndoshta 10 apo 11 vjeç. Kishte zgjedhur të shtrihej afër një tabele ku reklamohej Tomy & Jerry mbi të cilën lexohej edhe një lajmërim shitje për vilë dy katëshe… Çfarë ironie e fatit! Miku im, në tekstin shoqërues të fotove komentonte që plot ambulanca e makina policie me sirena kaluan afër fëmijës së pastrehë por asnjë nuk e mori…

“Është e tmerrshme të kujtosh kohët e bukura në mjerim”-thotë Dante diku. Por qenka më e tmerrshme të jesh i pastrehë e i varfër në prag festash. Shitësja e vogël e shkrepseve tentoi të ngrohej me flakën e shkrepseve që duhej të shiste por nuk ia arriti. Fëmijët e pastrehë të kohëve moderne nuk shesin shkrepse. Ata shesin shpirtin. Të shtyrë pikërisht nga prindërit e tyre, deri në pikën ekstreme të ngricës. Ata fëmijë -më tha kolegu im- lihen aty pikërisht për mëshirën e kalimtarëve. Një mot me ngricë është i mirëseardhur për prindërit shpirtkazmë. Një natë Krishtlindjesh me “do Zoti” borë dhe tufan do të thotë “shans për të fituar para nga kërthija i tyre”! Mundet njëra këmbë të jetë e pa çorape, mirë do ishte e përgjakur. Fëmija kontrollohet herë pas here nga prindi. Sapo konstatohet që nuk ka njerëz rrotull. I mirren paratë e ndoshta i jipet edhe një shpullë për ndëshkim kur pritshmëritë nuk plotësohen.

 

Ndërkohë “babai” i cili ka shpërndarë kushedi sa fëmijë në kushedi sa pika, mbledh xhiron e tyre dhe zhytet në alkool dhe ndoshta edhe në biseda filozofike me “kolegë” që jetojnë me të njëjtën mënyrë.

 

Nuk e di se çfarë mundet të bëjë shteti në këtë situatë. A mundet të fusë në burg këta xhahilë, këta shpirtsterrë? A duhet t’u heqë atyre të drejtën për të lindur dhe rritur fëmijë? Nuk jam i zoti të jap zgjidhjen por ky “tutorim i pamëshirshëm prindëror” është shkalla më e poshtër ku një qenie mund të mbërrijë. Kur them qenie përfshij edhe kafshët.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...