Trëndafili Shkëmbor – Bima e Duhur për Pastrimin e Trupit

195

Trëndafili shkëmbor, një bimë e lashtë mjekësore i është rikthyer famës.

 

Kjo bimë, e cila konsumohet si çaj, është tre herë më e shëndetshme se çaji jeshil, duke mbrojtur qelizat nga plakja e parakohshme, eliminuar metalet e rënda nga organizmi, madje duke luftuar edhe aknet dhe problemet me lëkurën.

Në Shqipëri, trëndafili shkëmbor gjendet kryesisht në zonat e Jugut dhe Juglindjes dhe mbart emrin botanik Cistus Incanus.

 

Në treg gjenden sasi të kufizuara në gjendje të thatë, kryesisht në pikat e grumbullimit të bimëve mjekësore, në farmacitë bimore dhe ato bujqësore.

Një legjendë e zonës së Halkidikisë thotë se njëherë e një kohë në majë të Olimpit, hyjnitë i dhanë trëndafilit shkëmbor detyrën e rëndësishme për të shëruar luftëtarët e plagosur në beteja.

Në lashtësi, trëndafili shkëmbor ishte një barishte e famshme, që përdorej kundër disa çrregullimeve shëndetësore.
Mbron Zemrën dhe Pastron Trupin

 

Studime të shumta kanë arritur që sot të verifikojnë aftësitë shëruese të trëndafilit shkëmbor.

E vërteta është që çaji i trëndafilit shkëmbor është tre herë më i shëndetshëm se çaji jeshil apo se ai i shtogut.

Çaji i trëndafilit shkëmbor arrin të mbrojë zemrën, katër herë më mirë se sa vera e kuqe.

Antioksidantët në këtë çaj janë 20 herë më të fortë se ata në lëngun e freskët të limonit.

Gjethet e bimës, por edhe lulet e saj përdoren tradicionalisht për përftimin e çajit, i cili përgatitet njëlloj si çdo çaj tjetër bimor.

 

Vitamina A, C, beta-karoteni dhe flavonoidët janë ndër luftëtarët më të mëdhenj që trupi mund të strehojë kundër radikaleve të lira.

Nëse organizmi nuk ka mjaftueshëm antioksidantë, atëherë këto substanca toksike mund të shkatërrojnë gjithçka që u del përpara.

Ato shkaktojnë plakjen e parakohshme dhe një sërë problemesh ose sëmundjesh kronike.

 

Gjithashtu, radikalet e lira dëmtojnë enët e gjakut dhe organizmit i duhet të prodhojë kolesterol për të riparuar dëmet.

Kur kjo ndodh, niveli i kolesterolit rritet dramatikisht, qarkullimi i gjakut pengohet, rritet tensioni i gjakut dhe shfaqen sëmundjet kardio vaskulare.

Të dhënat ku bazohet AgroWeb.org, kanë treguar se trëndafili shkëmbor përmban një kombinim të fuqishëm antioksidantësh.

Një gotë me çaj të këtij trëndafili ka të njëjtin efekt si doza ditore e vitaminës C.

Më Shumë se Vitamina C dhe E

 

Një filxhan me çaj trëndafili shkëmbor supozohet të stimulojë ndjeshëm sistemin imunitar.

Trëndafili shkëmbor lufton infeksionet, por edhe mikroorganizma të dëmshëm dhe baktere që ndikojnë në sistemin tretës.

Në ditët e sotme, për shkak të stresit dhe rritjes së ndotjes në mjedisin që na rrethon, ekuilibri i baktereve të dobishme në organizëm është prishur, duke rezultuar në tretje të ngadaltë, mungesë energjie etj.

Trëndafili shkëmbor rikthen ekuilibrat e nevojshme dhe mbështet florën intestinale.

Nëse pini një litër me çaj të trëndafilit shkëmbor do të përmirësoni qarkullimin e gjakut.

Me këtë çaj mund edhe të shpërlani gojën disa herë nëse vuani nga inflamacioni në mishrat e dhëmbëve.

 

Trëndafili Shkëmbor Qetëson Mendjen

Vajrat esencialë të trëndafilit shkëmbor e bëjnë atë të dobishëm në terapinë e aromave.

Supozohet që ky trëndafil është një kurë e mirë për ata që vuajnë nga probleme emocionale. Mjafton të pini çajin e përgatitur prej luleve të tij para se të flini.

Këto janë arsyet përse ky trëndafil shkëmbor është kaq i mirë. Kjo bimë mjekësore i shërben trupit, mendjes dhe shpirtit./AgroWeb.org