Qeveria detyron administratën të blejnë biletat e koncertit për bamirësi

301

“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, hashtagu që keni parë deri më tani në postimet e kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale, do të jetë edhe një koncert festiv që pritet të organizohet në Parkun Olimpik të Tiranës më 20 dhjetor.

 

Synimi është që përmes këtij koncerti të mblidhen të ardhura nga biletat, të cilat do të përdoren për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor. Deri këtu s’ka asgjë anormale. Nisma të tilla përdoren në të gjithë botën. Por dallimi në Shqipëri qëndron në faktin se kontributi i njerëzve për këtë koncert nuk është me dëshirën e tyre.

 

Të paktën për administratën publike ka disa ditë që po ushtrohet presion për blerjen e biletave të këtij koncerti, për të cilin nuk dihet deri më tani asgjë më shumë sesa vendi dhe data. Mbledhja e lekëve për biletat ka nisur me lista nëpër çdo ministri, drejtori të tjera dhe deri tek 61 bashkitë e vendit. Shuma është e ndryshme.

 

Kabinetet e ministrive dhe drejtoritë po detyrohen të paguajnë për biletën nga 50 deri në 100 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë kryebashkiakëve iu është kërkuar nga një ministër i kabinetit ‘Rama 2’ të gjejnë biznesmenë në zonat e tyre që blejnë së paku tre bileta me vlerë nga 1 milion lekë të vjetra.

 

Pra, jemi në kushtet kur kërkohet solidaritet me të prekurit nga tërmeti përmes presionit. Nga njëra anë qeveria ka kërkuar kontribute përmes portalit E-Albania, nga ana tjetër detyron administratën publike të blejnë biletat e një koncerti për bamirësi.

 

Kush ka patur mundësi dhe dëshirë i ka bërë donacionet përmes portalit apo në shoqata të tjera bamirëse. Kjo që po bën qeveria është presion i hapur dhe i shëmtuar që vetëm me bamirësinë e solidaritetin nuk ka lidhje fare. Le më pastaj që transparenca se ku shkojnë këto para mbetet shumë e dyshimtë.