Ardit Gjebrea fiton çmimin e parë, si shumë-ngrënësi më i madh i salçiçeve në mbarë televizionet

413

Në këtë fundviti traumatik, për arsye tërmetore, por edhe ediramore, vjen më në fund edhe një lajm i gëzuar.

PUBLICITET

Një juri ad hoc, për fushën gastronomiko-kulinare, e ngritur ditët e fundit, e përbërë nga pjesëtarë të medias televizive, ekspertë të industrisë ushqimore, kuzhinierët e televizioneve dhe shef Titin e Ora News (ngrënësi më i madh i ingredientëve para gatimit dhe lëpirë-gishtësi, më i spikatur në rajon përgjatë gatimit), u mblodh dhe shpalli si fitues të vitit, për ngrënien gjatë emisionit, moderatorin e shquar, Ardit Gjebrea dhe emisionin e tij, “E diela shqiptare”.

Pas një pune të gjatë, komisioni vlerësoi, që vetëm përgjatë vitit 2019, Arditi ka reklamuar me shumicë, për çdo të diel, salçiçet e tymosura, me djathë, por edhe pa djathë, të dyqanit gjigand “Hako”.

Gjatë këtij reklamim-promovimi, Arditi në të gjitha të dielat, ka konsumuar vetë 43 pako salçiçe, (23 me djathë dhe 20 pa djathë) dhe 61 hot dog Hako.

Juria konfirmoi që në 83% të ngrënieve, Arditi ka lëshuar togfjalëshin në formë pasthirrme : – Hëëëëmmmmmmmm sa e shijshmeeeeee, FA-NTAS-TIKE! Ju pëlqejnëëëë? Të mbrrekullueshmeeeeee! Poooooo!

Të gjithë këta togfjalësh, me pasthirrmat përkatëse, janë shoqëruar nga një pantonimë mbyllje sysh dhe kokë-tundje, në formë vetkënaqësie.

Vlerësimin e dytë, juria e ka dhënë për reklamimin dhe ngrënien nga ana e Arditit, përgjatë gjithë të dielave, të tollumbave, revanisë, hallvasive, llokumerive, makaroneri me gjalpë, gurabie po me gjalpë, etj, etj, etj, asortimente apo prodhime brumore kryesisht të ëmbla.

Të gjithë këtë bollëk, që ka ardhur dhe pushtuar televizionin Klan dhe Arditi e ka reklamuar çdo të dielë shqiptare, juria ka vlerësuar se vetë Arditi, ka ngrënë rreth 12% të kësaj sasie, 6% e ka ngrënë Andresa dhe miset, duke përdorur në mënyrë të suksesshme, shkopa, krurës dhëmbësh dhe ndonjë pirun plastik që është gjendur në studio. Asnjëherë nuk kanë munguar togfjalëshat: – Hmmmmmm, FA-NTAS-TIKE. Mbrrekulliiiiii, pooooo!

Si grup të tretë që e ka ndihmuar shumë Arditin në marrjen e këtij çmimi, juria ka vlerësuar gurabiet e përgatitura enkas, direkt për t’i ngrënë Arditi, nga gratë e publikut. Këto gurabie Arditi i ka ngrënë thuajse të gjitha, shoqëruar me: – Sa të miraaaaa, ju lumshin duart, poooooooo!

Për të shpallur Ardit Gjebrenë dhe ‘E Diela Shqiptare”, si fitues të shumë-ngrënies, juria vlerësoi edhe efektet që ka patur dhe ka ushtruar ky emision, mbi figura të tjera të njohura në fushën e medias.

Në këtë pikëpamje, kjo juri, ka dalluar moderatorin tjetër shumë të njohur, që flet darkave, dy herë në javë, zotni Artur Zhejin, i cili, i frymëzuar nga Arditi, urdhëroi gratë që ndjekin emisionin rreth e qark studios, që të përgatisnin dhe të piqnin në shtëpitë e tyre bukë, me miell dhe forma të ndryshme dhe t’ja sillnin në studio.

Gratë e publikut, përgatitën dhe i sollën Zhejit 11 bukë, të cilat moderatori jo vetëm i provoi të gjitha, por ndryshe nga Arditi, i mori edhe në shtëpi.

Mbi këto arsye u mbështet juria, për të vlerësuar Ardit Gjebrenë dhe emisionin “E diela shqiptare”, si fitues të padiskutueshëm, të ngrënies përgjatë emisionit.

P.S – Juria, nuk bën me dije se kur dhe ku do të zhvillohet ceremonai e dhënies së këtij çmimi.

Për ta ndjerë dhe kuptuar edhe më mirë këtë çmim, ndiqni videon e mëposhtme, që vetë kompania HAKO ka përgatitur, me Arditin dhe salçiçet.

PUBLICITET