Ish-deputetja e PD Albana Vokshi ka publikuar mbrëmjen e sotme një video nga takimi i Ramës me disa prej banorëve të Laçit, ndërsa theksi qëndron te batutat e kryeministrit me një grua.
Vokshi shkruan se ditët ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave Rama ngado që ka shkuar ka fyer e dhunuar verbalisht, në mënyrë të pashembullt gra e fëmijë.
Mbi videon e publikuar, Vokshi u bën thirrje grave që të kenë kujdes nga kryeministri Edi Rama pasi ai, sipas ish-deputetes, i do gratë të veshura shtrenjtë e mirë.
Postimi i plote i Vokshit:
Edi Rama dëshmoi edhe një herë që është hipokriti numër 1 në fushatën e tij të gënjeshtërt për Barazinë Gjinore, të cilën e propagandonte me këmbët mbi tavolinë, në nisje të ceremonisë për Presidencën e OSBE, zhvilluar në Sllovaki.
Këto ditë të zymta e të trishta për të gjithë, ditë që përkojnë me 16 ditët ndërkombëtare të aktivizmit të luftës kundër dhunës ndaj grave, Edi Rama ngado që ka shkuar ka fyer e dhunuar verbalisht, në mënyrë të pashembullt gra e fëmijë.
Përgjegjësi dhe shkaktari kryesor i situatës së mjeruar, që rëndon edhe më shumë mbi gratë e nënat, me gjuhë tallëse, diskriminuese, përçmuese, urrejtje e raciste, fyen e dhunon psikologjikisht çdo grua, e cila guxon të kërkojë llogari apo të kërkojë atë çfarë me ligj i takon.
Sot, dua të përsëris thirrjen time për gratë e vajzat: Bëni kujdes nga Edi Rama!
Ai i do gratë të veshura shtrenjtë e mirë, për t’i rreshtuar ushtarakisht si dekor për propagandën.
Atë e bezdisin, e nervozojnë gratë me veshje të thjeshta, punëtoret pa fjalë, kryefamiljaret e munduara, të cilat punojnë tërë jetën e tyre për t’ju siguruar fëmijëve një copë bukë.
Atij i vrasin sytë, gratë e dinjitetshme, të cilat i kujtojnë atij se propaganda ka përkeqësuar qeverisjen dhe rrjedhojë e saj është rritja e varfërisë së skajshme e sot, menaxhimi pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.
Mos i besoni! Çdo dalje e tij në televizione gjatë shëtitjeve në pasojat e post-tërmetit, është vetëm propagandë për të fshehur abuzimet e tij me pushtetin, që kanë shkatërruar çdo qelizë të institucioneve dhe kanë persekutuar e detyruar profesionistët të heshtin e disa prej tyre të largohen duke lënë Shqipërinë pa ekspertizë në sektorët strategjikë.
Refuzojeni Edi Ramën, sepse qëndrimi i tij në krye të qeverisë, çdo ditë sjell papunësi më të lartë, varfëri më të thellë dhe përkeqësim të të drejtave të njeriut e statusit të grave dhe vajzave në Shqipëri.
Aktivizimi kundër dhunës ndaj grave të nisë me refuzimin e Edi Ramës!