“Shqipëria, gojët e qepura”/ Italia i kushton emision lirisë së shtypit

236

Televizioni italian, Rai 3 i ka kushtuar një emsion lirisë së shtypit në Shqipëri, nisur nga debatet e kohëve të fundit mbi dy projektligjet për ligjin e medias. Emisioni italian mban titullin “Shqipëria, gojët e qepura”, duke i mëshuar fort faktit se liria e shtypit në Shqipëri është në rrezik.

 

Të ftuar në studion e gazetares italiane Maria Rosaria Di Medici ishin Giuseppe Beppe Giulietti, President i Federatës Kombëtare të shtypit italian dhe Koloreto Cukali, President i Këshillit të Mediave Shqiptare.

Në studion e Rai 3 “Fuori Tg” u përshkrua shkurtimisht situata në vendin tonë, ndërsa u përmenden edhe tre episode të ndodhura ditët e emergjencës pas tërmetit, mes tyre edhe arrestimi i Xhulia Aliajt për përhapje të panikut.

 

Në emision është theksuar se masat e fundit të qeverisë Shqiptare rrezikojnë lirinë e informacionit dhe ndërlikojnë punën e gazetarëve, gjë që do të ketë efekt domino për demokracitë e brishta të Ballkanit.

 

Nisur nga sulmet që Kryeministri shqiptar u ka bërë mediave, duke shkuar deri në propozime projektligjesh dhe arrestime gazetarësh, ka bërë që reporterët italianë të shprehin gjatë emisionit se rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është akoma e gjatë, përderisa po kufizohet edhe liria e shtypit.

 

Në Televizionin Rai 3 janë shprehur të çuditur për faktin që edhe gjatë tërmetit, informacionet në Shqipëri duhet të transmetohen nga një kanal i vetëm: quhet Edi Rama TV./CNA.al