“Nuk guxoj t’i kthej sytë në bankën tënde…”, mësuesja bën dedikimin prekës voglushes që humbi jetën nga tërmeti në Durrës

240

Esiela Karanxha, një prej viktimave të tërmetit, humbi jetën mëngjesin e 26 nëntorit. Ajo u gjet e pajetë në krahët e nënës së saj, Dienës, e cila pavarësisht se doli gjallë nga rrënojat, ndërroi jetë pak orë më pas.

 

Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga tragjedia që u mori jetën 51 personave, dhimbja vazhdon të jetë e njëjtë. Mësuese, Eda Katroshi nëpërmjet një postimi në Facebook ka kujtuar mes lotësh Esielën dhe shkruan për vogëlushen fjalët më prekëse.

 

“Sot rifilluam jetën. Rifilluam aty ku e kishim lënë. Më rrethuan duart e vogëlushëve të mi. Nuk kishte gëzim më të madh kur u takuam. U perqafuam fort, u puthëm. Poooooor…. Ah kjo zemër dhe këta sy nuk guxuan të kthejnë shikimin e mjegulluar nga lotët drejt bankës tënde, e dashura Esielë. E ëmbla jonë Esielë. Cfarë tu thoja syve të lotuar të Jusrës që nuk e mbante dot ngashërimin.

 

Nuk duroi dot që ti u bëre engjëll me krahë për të na parë nga lart. Shokët dhe shoqet e patën të vështirë të të mos përmendnin. E zgjuara, e shkathëta, Esiela jonë. Do të të kujtojmë gjithmonë. Do të mbetesh një vogëlushe e mrekullueshme për të gjithë grupin tonë të klasës së tretë. U prehsh e qetë pranë prindërve të tu”, shkruan Katroshi, mësuese në shkollën 9 vjeçare “Marie Kaçulini”.