HISTORIA IME/Jetoj me shpresën të më thërrasë “mami”

Keni një histori tuajën që doni ta ndani me te tjerët? Kjo është hapësira që shkoder.info sjell për lexuesit të cilëve do t’i ruhet anonimati. Historitë tuaja mund të na i dërgoni me anë të mesazheve në facebook ose email në officialshkoder@gmail.com.

 

Në atë fshat të vogël malor, përulja ndaj prindërve, edhe kur ata nuk kanë të drejtë, ende quhej vlerë. Babai me mentalitetin e dikurshëm, mendonte se dashuria në martesë vjen me kalimin e kohës. I mëshonte më shumë pasurisë se sa njeriut që do lidhte jetën e bija. Të paktën nuk do vuash për të ngrënë, -I thoshte kur mundohej t’i mbushte mëndjen vajzës, për këtë të mirë që i kish trokitur në derë.

 

Nuk donte që fëmija e tij të vuante më shumë se ç’kishte vuajtur deri atëhèrë. Gjashtë fëmijë jo pak. Vetëm një krah pune në kooperativë. Kush është mbi dyzet vjet e mban mend mirë atë kohë, dhe e di se ç’ishte varfëria. Por edhe më vonë kur u prish sistemi monist, nuk solli ndonjë gjë më shumë, pasi përsëri vetëm ai punonte. Fëmijët nuk ishin rritur aq sa të jepnin kontributin e duhur.

 

Siç po vinin kohët, i druhej frikës se ajo vajza e urtë, mos gënjehej nga ndonjë kopuk për qëllime trafikimi. Raste të tilla kishin ndodhur, edhe në zonë përveç atyre të mediatizuara. Në mos ndodhte kështu, ndonjë birbo pa hi në vatër apo me vese të kohës, mund t`ia prishte mendjen e brishtë. Vajza e madhe kështu ishte ngatërruar pak vite më parë, dhe vuante pasojat e moshës. Ishte djegur nga qumështi, ndaj i frynte kosit. Të paktën shpëtonte nga një brengë e madhe. Zinte vendin e saj. Shpëtonte përkohësisht, pasi dy të tjerat ishin ende të vogla. Rriteshin djemtë e i kishte më shumë nën zap, se këto të mëdhatë.

 

Natyrisht që nuk i bëri dasëm, por vajti në dasëm. Dhëndrri ishte i kamur, arsyeja që nuk mori parasysh fjalët kundërshtuese të së bijës dhe djalit 14 vjeçar. E injoroi për shkak të moshës së vogël. Në fakt i ati ishte më shumë i zoti se i kamur. E kish kapur kohën në kohë. Demokracia i dha meritat që i ishin nëpërkëmbur më parë, por dhe shansin për të ndyshuar jetën, të ardhmen. Dhe ai e kish bërë. Madje kish marrë më shumë se ç’duhej. Pse jo. Ishte radha e tij. Duhej të vepronte. Angazhimi në forcën politike që solli ndryshimin do i jepte shanse edhe më të mëdha. Dhe ai e shfrytëzoi mirë këtë mundësi. Bënte një jetë të dyfishtë, mes fshatit dhe qytetit, ku kishte ndërtuar shtëpinë dhe një biznes të vogël.

Bashkëshorti nuk ishte ai princi i kaltër qe kishe ëndërruar, por më keq se aq,

person me aftësi ndryshe. Këtë e vërtetonte dhe pagesa që merrte për këtë qëllim. Në pamje të parë nuk të jepte këtë përshtypje, por me ecje disi të përkulur e fjalë gjysma gjysma, kuptoje qartë defektet e tij. Kjo paralizë e lehtë i kish ardhur nga temperatura e lartë në fëmijëri. Gjithësesi për momentin e mbyste gjëndja ekonomike e mirë, aq sa po I jepte të drejtë të atit. Iu desh kohë të ambientohej me komoditetet e shumta të shtëpisë, pasi tek I ati i mungonte ende një krevat personal. Të paktën kjo pjesë i afrohej disi imagjinatës. Ndoshta kjo ishte gjysma e së keqes.

Mendonte kështu, pasi ishte më lart se e motra, që jetonte mes dy të këqiave. Edhe burrin në moshë dhe varfërisht. Adoleshenca i kish dhënë hov vetëm anës fizike, ndjenjës, por jo mendjes për të gjykuar ftohtë dhe më drejtë. Dhe tani vuante pasojat.

 

Kurse ajo të paktën kishte njërën anë të sigurtë, pasurinë. Nëse mund të quhet kështu, një shtëpi dykatëshe në qytet dhe një dyqan modest në lagje me artikuj të përzier.
Shpejt do kuptonte se pasuria nuk kish shumë vlerë, kur bashkëshorti përveç të tjerave dhe nën hijen e prindërve, pa iniciativë, pa arsyetim në debate apo zënkave të lehta. Ajo përulej e tërhiqej se nëse do ngrinte zërin pak më shumë, do përballej me egërsinë e tij. Filloi të urrente babain që ishte nxituar. Madje dhe veten e saj që ishte treguar memece. Por kjo ndodhi nga mosha gjashtëmbëdhjetë vjeçe, përulja ndaj të madhit, por dhe naivitetit të saj. Pas një viti e gjysëm martesë kuptuan se nusja ishte shtatëzanë.

 

Vetë nusja u çudit kur i thanë, pas një gjëndje turbullire që iu shfaq papritur e iu përsërit e nja dy tre ditë të tjera. Ishte doktoresha ku e çuan për vizitë që do jepte lajmin. E vjerra, nga gëzimi I tepruar I futi në xhepin e bluzës së bardhë një nga kartmonedhat e shumta që mbante me vete me shifrën maksimale të saj.

Përveç nuses pa ndonjë emocion të dukshëm, gjithë të tjerëve buzëqeshja u lexohej pa vështirësi. Kishte një lloj zbrazëtie të çuditshme që as vetë nuk po e kuptonte. Nuk ndante dot se ku fillonte respekti për vjehrrin e ku dashuria për burrin, gjë që nuk erdhi kurrë. Kishte notuar në ujëra të qeta që herë e bënte të fluturonte nga gëzimi e herë të turbullt, ku mund të mbytej pa hezitim në gjolin e trishtimit. Kishte kaluar episode të paimagjinueshme per mëndjen njerëzore, gjë që e kishin tronditur mëndjen e papjekur.

 

Në këto ujëra të trazuara, u josh nga shikimet e ëmbla, fjalët ledhatuese, pamja simpatike. të dikujt që e vizitonte shpesh dyqanin. Ai po i hidhte një varkë shpëtimi, në detin e trazuar të jetës së saj. A duhet që ajo ta shfrytëzonte rastin për të dalë njëherë e mirë nga ai det mendimesh të ftohta, apo të kyçte në zemrën e saj të lënduar atë çfarë kishte përjetuar, me bravën e heshtjes, e çelësin ta hidhte në vitet e plakjes!? Ndoshta e mund ta kish bërë nëse personi, vizitori i çuditshëm, nuk do ishte paraqitur në mugëtirën e një nate të trishtë mendimesh, kur në shtëpi ndodhej vetëm me vajzën që flinte me gjumin e rritjes, ndërsa ajo zgjuar, trazuar nga jeta. Nuk i rezistoi dot tundimit për të përjetuar një natë ndryshe nga monotonia mbytëse e atyre 4-5 viteve martesë. Por nuk qe e thënë ta përjetonte natën e magjishëshme gjatë.

 

Kish rënë preh e lakmisë së ndjenjës, pa ditur se mund të ishte një lloj provokimi. Apo një lloj sigurie që ata kërkonin nga ajo, për të ardhmen. Ëmbëlsira e shijuar në pak çaste u kthye në helm, kur dera u hap me çelës tjetër. Ishin ata, vjehrri, vjehrra, burri, që mësynë me furi, për të kapur çastin e shumëpritur. Për të filmuar pjesën teatrale të ngritur më parë nga regjizore vjehrra, me aktorët e rastësishëm. Ishte skena ku luhej fati i zi, jo vetëm i saj, por dhe I vajzës, që po e linte në shtratin e butë të krevatit. As puthjen e fundit nuk ia dha dot. Nuk e lanë. E quajtën kurvë, të përdalë, shushkë. Vetëm ai, vjehrri nuk tha asgjë, por mbeti si gur varri në heshtje. Ato, seksi femëror ishin kthyer në përbindësha. Ishin gati ta shqyenin gjahun e gjakosur. Ta hidhnin në humnerë. E degdisën nga shtëpia menjëherë.

 

Tashmë kishte marrë me vete dhe vulën e tradhëtisë, që do e ndiqte nga pas si njollë e zezë ndër vite. Vulë që ata do e përhapnin me shpejtësi me megafonet e farefisit të tyre të zgjeruar. Në fakt, kjo nuk ishte hiç gjë para asaj që mund t’i ndodhte në të ardhmen. Mund të mos e shihte me sy kurrë fëmijën. E dinte se ata kishin miq të fuqishëm, dhe nuk do fitonte në asnjë lloj gjyqi për ta marrë fëmijën në kujdestari. Kjo për arsyen e tradhëtisë që do e paraqisnin në gjyq si provë bindëse me shumë dëshmitarë, por dhe nga pamundësia ekonomike.

Ditët e muajt kalonin dhe ajo priste fletën e gjyqit për t’i dhënë fund shpirtit gërryes që

po rrënonte. Askush nuk i thoshte një fjalë ngushëlluese. Gati të gjithë e përbuznin. Ndoshta nuk e fyenin direkt, por ftohtësia e të afërmëve e torturonte më shumë se sa fjalët që mund t’ia thoshin në sy. Vetëm kur bëri një vizitë tek gjyshja, sikur ra një rreze shprese. Me këmbënguljen e saj, i biri kish pranuar të jepte ndihmën e shumëpritur. Meqënëse ata, njerëzit e ish burrit nuk i ishin afruar gjykatës, përse të mos e bënte ajo.

 

E kish menduar si mundësi dhe më parë, por i thoshin se duheshin shumë lekë. Dhe këtë kish marrë përsipër ta bënte ai daja i sertë, që s’i thuhej dot një fjalë. Nuk kishte gëzim më të madh. E nëse nuk mund të fitonte fëmijën, të paktën do t’i jepnin mundësinë e takimit.

Në fakt dhe ajo nuk donte që t’a merrte për mirërritje, pasi nuk kishte të ardhura të mjaftueshme. Takimet e përjavëshme, do i jepnin mundësinë e nënësimit. Me gjithë fjalët siguruese të avokates, ajo se ç’kishte një lloj zbrazëtire në shpirt, gjë që u vërtetua që në seancën e parë. Mungesa e saj edhe në seancën e dytë nuk mund të justikohej. Dukej se paraja apo miku kishin vepruar mjaftueshëm. E mbetur e vetme në derën e gjykatës, dhe nën akuzat e forta që po i bënin, shpërtheu instiktivisht në mbrojtje. Fjalët që shprehu furishëm, lanë me gojë hapur pjesën tjetër të ish familjes së burrit.

 

Gjykatësi i gjetur gafil e paralajmëroi, se, nëse nuk janë të vërteta, do hapej dera e burgut për vajzën e ndrojtur. Edhe ish vjehrri qe shashtisur kur pa se breshëri i fjalëve si bomba drejtoheshin kundër tij. Ajo që e kish nënvlerësuar më parë, po i bënte gjëmën. Tashmë i duhej të mbrohej karshi pjesës tjetër të familjes së tij. Ai që deri pak më parë kish qënë burri autoritar në familje, e respekt në zonë, i përlyer me tisin e njollës, spaletat i kishin rënë.

 

Kishte një lloj sigurie të brendshme, se askush nuk ta besonte një gjë të tillë, përveç asaj, bashkëshortes, që edhe herë më parë dukej se kish nuhatur diçka, por kundërshtimi i fortë i tij, kish bërë të hiqte dorë nga marrëzia e mendimit. Gjithësesi, gjyqi mbaroi seancën e mëpasme. Kish fituar të drejtën e takimit çdo dy javë, por vetëm për 6 orë, dhe një pagesë ushqimore, në dukje modeste, por për atë e konsiderueshme…

 

Shpresa se do e merrte fëmijën dy ditë në shtëpi çdo fundjavë, u fik si feneri nga era e fortë në rrugën terr e të panjohur. Gjithësesi, edhe me aq pak kohë, mendonte se do ia rifitonte zemrën fëmijës. Ruante në brendësi idenë se fëmijët nuk e harrojnë kurrë nënën. E mbante kjo shpresë gjallë deri ditën kur trokiti tek porta për të marrë fëmijën në takim. Mendonte çastin e shumëpritur kur ajo e përmalluar do t’i derdhej në kraharor, do e puthte si e çmendur, për gjithë kohën e munguar. Për çudi vajza as nuk denjoi fare t’i afrohej, por rrinte mbërthyer pas gjyshes. Mos kish gabuar shtëpinë? Jo. Ishte atje pa mëdyshje. Si për ta vërtetuar dëgjoi zërin e së bijës, – Ik, je e ndyrë. Ishte goditja tjetër që po i jepnin, për ta rrëzuar përfundimisht.

Mos ma bëni këtë. Ju lutem. Ajo është e vogël. Jeni nënë dhe ju…

Kishte folur me vete se dera qe mbyllur pa u vënë re.

 

Dy javët e tjera iu dukën sa dy vite. Shpresonte se do kishin reflektuar. Aq shumë e ushqeu veten me këtë shpresë sa që u ndie në faj nga mendimi i keq. Ndodhej përsëri pas derës. Në vend të vogëlushes kësaj here, doli kunata. Nuk arriti të shprehej.

– Lekat. E di ti se ke dy muaj pa paguar…

– Unë..nuk… E dija..herës tjetër…

 

– Atëherë do takosh dhe fëmijën…qërohu nga këtu…shko horokopu ku të duash…
Do të duronte dhe më shumë fjalë fyese, nëse ushqimi shpirtëror për vajzën të mos ishte urrejtja për të. Kish shkuar si mëngjesi me diell e po kthehej e ngrysur si nata e errët. Shiu i lotëve nuk ia zbuste brengën. Nuk e kish parashikuar se ata do loznin me të si macja me miun e kapur, që e ngopur vetëm e torturon me lirinë e kufizuar, dhe ia ngul dhëmbët sa herë që largohet më shumë se parashikimi. Edhe kur gjeti lekë borxh e shkoi për ta takuar fëmijën, ajo tashmë as nuk i afrohej fare. Madje ishte ajo e vogla e saj që i mbylli derën.

 

Nuk kishte dhimbje më të madhe. Ata e kishin armatosur mirë fëmijën e saj, për ta goditur në pikën më të dobët. Kuptoi se tashmë e kish humbur fëmijën përfundimisht. Ku të ankohej? Kujt t’i hapej. Nuk i bënin këmbët të shkonte kur vinte dita e takimit. Edhe sikur të donte, nga muaji në muaj lekët shtoheshin. Ata nuk kishin nevojë për lekët e saj, se aq para, vjehrri i linte bakshish kamarierit kur pinte me shoqërinë e tij, por ishte hakmarrja primitive, për ta ndarë njëherë e mirë. Dhe për fat të keq ia kishin arritur qëllimit.

 

Ajo tashmë ishte e vrarë shpirtërisht, e dërrmuar, e humbur.
I duhej të priste, që dikush tjetër të trokiste në derë, për të filluar një jetë tjetër, por me kushtin që të mund të merrte përsipër pagesën dhe afrimin me fëmijën. Trokitje të tilla legale nuk pati. Ndonjerë që dikush afrohej klandestin, ajo i besonte, por kurrë nuk i dhanë atë që ajo dëshironte. Duke besuar më shumë se ç’duhet,

pati dhe raste gabimesh e zhgënjimesh, që kostoja ka qenë jo e vogël. Ndoshta nuk diti të manovrojë si duhet, për të gjetur njeriun e duhur, ndoshta fati kështu qe rezervuar, por ajo jeton ende pa një njeri pranë, për t’i bërë realitet ëndrrën e munguar.

 

Ajo vajza e saj, tashmëe ka hyrë në periudhën parë të adoleshencës, por nuk di se çfarë mendimi ka për të, mamanë e saj. Mbase akoma e ka inat! Mbase e urren si pjestarët e tjerë të familjes! Mbase ka filluar të mendojnë ndryshe po nuk del dot hapur familjes? Mbase…

 

Gjithësesi ajo tashmë është në pritje. Nuk guxon t’i dali përpara, edhe pse do e gjente si mundësi. Mbase nuk e njeh fare. Fotot e saj kanë përfunduar në kosh të plehrave. Por ama nuk do ta duronte dot, nëse do i thoshte fjalët që dikur ia kish mësuar gjyshja, tashmë koshiente me ndërgjegjen e saj.

Mbase nuk kish luftuar sa duhet për t’a rifituar vajzën. Nuk kish gjetur mënyrën e duhur. Nuk kish trokitur në dyert e shtetit, me idenë se ata do gjenin mënyrën për t’i korruptuar. Nuk kish dashur të trokiste në ndonjë emision televiziv, për ta ndihmuar, me frikën se ata do përdornin përsëri artin luftarak të goditjes me fjalë fyese e denigruese. Dhe vajzën do e ngacmonin në shkollë pastaj. Pak e kishin helmatisur ata, si mund t’ia shtonte vuajtjen?!

 

Pritja në heshtje e ka torturuar kaq vite, e ka dërmuar shpirtërisht, por ruan shpresën se një ditë do e dëgjojë fjalën “nënë”, dhe do mbushet zbrazëtia e shpirtit si zgavër qukapiku në trungun e lisit. Do fillojnë të çelin gjethet, në trungun e tharë nga pritja e gjatë.

Nga SINOT

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...