Olsian Çela është Prokurori i Përgjithshëm i ri i zgjedhur nga Kuvendi me 101 vota pro, 2 kundër dhe 10 abstenim. Olsian Çela u rendit i pari në listën e KLP-së duke lënë pas kryeprokuroren e përkohëshme të përgjithshme Arta Marku dhe Fatjona Memçaj.
Vendimi për zgjedhjen e Çelës si kryeprokuror të ri u mor sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Çela nuk ishte i pranishëm gjatë votimit në Kuvend, por ka mbërritur disa çaste më pas për t’u betuar si kryeprokuror i ri.
Votimi në Kuvend:
Olsian Çela: 101 vota pro, 2 kundër, 10 abstenim
Arta Marku: 11 vota pro, 22 kundër, 78 abstenim
Fatjona Memçaj: 8 vota pro, 16 kundër, 87 abstenim
Kush është Olsian Çela?
I njohur si prokurori i dosjeve të bujshme, Çela e ka nisur karrierën e tij në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës. Deri në vitin 2004 ai ushtroi detyrën si prokuror në Tiranë dhe më pas u emrëua te Krimet e Rënda.
Olsian Çela është anëtar bordi në shkollën e magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Ai është gjithashtu edhe pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Çela ka hetuar disa dosjet e bujshme, siç është Xibraka, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016. Më herët ai ka hetuar edhe masakrën te “Kartodromi” në Tiranë apo grupin e Nuklës.
Çela kaloi sitën e Vettingut pa probleme në tre shtyllat kryesore, pasuria, aftësia dhe lidhjet me krimin.