Qeveria jep 1 milion lekë të rinj për çdo familje të viktimave të tërmetit

Shqipëria po përballet me pasojat e tërmetit shkatërrimtar, cili goditi vendin më 26 nëntor, duke shkaktuar viktima, qindra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale. Ndërkohë, mësohet se qeveria ka nisur dëmshpërblimin për të dëmtuarit e tërmetit të së martës.

 

Mëngjesin e sotëm, Rama deklaroi se familjeve që kanë pasur viktima, do u jepen 1 milion lekë të rinj për çdo familje që numëron viktima nga ky tërmet si përkrahje sociale. Po ashtu, kryeministri theksoi se qeveria do të akordojë dje një trajtim financiar të përjetshëm për të gjithë të mbijetuarit nga familjet ku tërmeti shkaktoi viktima.

 

“Projektvendimi tjetër lidhet përsëri me përkrahjen sociale dhe financiare të familjeve të viktimave dhe ka të bëjë me akordimin direkt të një përkrahjeje financiare prej 1 milion lekësh të rinj për çdo familje dhe patjetër edhe për përballimin e shpenzimeve të varrimit. Gjithashtu, secila prej familjeve të vëllezërve Abazi nga Kosova do të marrë të njëjtën përkrahje financiare prej 1 milion lekësh të rinj nga ky vendim i Republikës së Shqipërisë”, tha Kryeministri Rama.

 

Kryeministri ka thënë gjithashtu se qeveria miratoi “një akt normativ që krijon të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore për të dhënë një trajtim të posaçëm financiar të gjithë atyre që kanë mbijetuar në familjet ku tërmeti ka marrë jetë. Ky do të jetë një trajtim financiar për të gjithë jetën e tyre”.

 

Në këtë skemë përfshihen edhe fëmijët e familjeve me viktima, për të cilët do të ketë një bonus financiar.

 

“Nxënësit që janë në familjet e viktimave, për t’iu ardhur në ndihmë në këtë situatë që besoj s’ka nevojë për koment, do të marrin një bursë mujore prej 15 mijë lekësh të rinj në muaj. Është faktikisht trefishi i bursës së ekselentëve që jep Republika e Shqipërisë dhe këtë bursë do ta përfitojnë dhe studentët kuptohet, pra, të gjithë nxënësit, që nga ata të klasës së parë deri në klasën e fundit të parauniversitarit në familjet e viktimave dhe studentët do të përfitojnë bursën prej 15 mijë lekësh në muaj”, u shpreh Rama.

 

PENSIONET

Pensionistët e familjeve që patën viktima nga tërmeti i 26 nëntorit, me vendim qeverie, do të marrin pension të veçantë. “Për të gjithë pensionistët e familjeve të viktimave, do të jepet pensioni i veçantë i Republikës së Shqipërisë. Pensioni që në ligjin ekzistues është pension që u jepet njerëzve me kontribute të veçanta dhe është një numër i kufizuar, që varion në 12-15, flas për pensionin e veçantë që jepet.

 

Kështu që këta njerëz përfshihen në këtë kategori dhe do të marrin pension të veçantë, njësoj siç e marrin njerëzit me kontribute të veçanta, akademikë, artistë, sportistë, shkencëtarë e kështu me radhë”, u shpreh Kryeministri. Sistemimi i menjëhershëm i familjeve të viktimave ishte një tjetër çështje e diskutuar dje. Sipas Kryeministrit, do të ketë një strehim të menjëhershëm të tyre në apartamente në reja në Tiranë dhe Durrës.

 

“Gjithkush që hyn në këtë kategori, do të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe të gjitha këto familje duhet të hyjnë në shtëpitë të reja urgjent. Ne i kemi gati mundësitë për ta. Do duhet caktuar një person specifik në Shtabin e Emergjencës në Durrës dhe në Shtabin e Emergjencës në Tiranë për pjesën që i takon Tiranës, që do të bëjë kontaktin me ta, për t’iu thënë se ku duan të rrinë”, tha Rama.

 

Kreu i qeverisë bëri dhe një paralajmërim për të gjithë ata që shkelin lejet e ndërtimit, që nga ndërtuesit e deri te supervizorët e ndërtimit. “Burg për ndërtuesit. Burg për arkitektët. Burg për supervizorët. Arkitektët që nuk denoncojnë ndërtuesin që u deformon projektin dhe bëhen bashkëpunëtorë, 7-15 vjet dhe të mos e diskutojë njeri fare, çdo ndërtues, çdo investitor e çdo person i përfshirë në ndërtime që leja jepet për 3-kate dhe përfundon me 8 kate. Këto janë ato që kanë ndodhur në të shkuarën, nuk duhet të ndodhin në të ardhmen“, tha Kryeministri.

 

SIPËRMARRJA

Qeveria u kujdes dje që të lehtësonte barrën fiskale për ato biznese që do të japin donacione për të kaluar pasojat e tërmetit. Donacionet për fatkeqësi do të jenë shpenzime të zbritshme nga të ardhurat e biznesit në masën 8% të tij. Qeveria redukton edhe taksën mbi fitimin me 15% të shumës së dhënë në formën e donacionit për të dëmtuarit nga tragjedia./ Opinion.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...