Kryeministri Edi Rama, në një lidhje me emisionin “Open” nga Thumana, u shpreh se do t’i nxjerrë nga “dheu” paratë për banorët e prekur nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Durrësin dhe Thumanën, ndërsa u bëri thirrje dhe biznesmenëve të kontriubojnë.
Rama vlerësoi gjithashtu kontributin e shumë shqiptarëve, duke u ndalur tek rasti i një të moshuri nga Kosova, i cili përtej mundësisë nuk u kursye për shqiptarët.
“Unë kam pas fatin sot që të njoh njeriun më të pasur të Shqipërisë. Është një burrë që nuk e di sa vjeç është. 80 apo 90 vjeç, i cili ishte nga Medvegja.
E pashë dhe më ka lënë pa frymë. Dhe jam shumë i lumtur nga larg. Do shkoj ta takoj në Medvegjë. Ai kishte kursyer 10 mijë lekë.
Iu them biznesmenëve që është rasti i tyre i jetës që t’i bëjnë vetes një paraqitje më serioze para se të shkojnë tek Shën Pjetri. Shumë njerëz që japin 10 mijë lekë të vjetra.
Paratë do t’i nxjerr nga dheu i këtij kontinenti apo një kontinenti tjetër. Nesër do të varrosen shumë njerëz fatkeq. Patriotët janë ata që bëri ai burri më i pasur i shqiptarëve. Pasaniku më i madh është ai. E ka vendin në parajsë”, tha Rama.