“Rilindja” vijon të krijojë lloje të ndryshme mekanizmash, si e si për të vjedhur dhe abuzuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Tenderat ose PPP-të janë trendi “suprem” i vjedhjeve multi-milionëshe, duke përdorur oligarkët për të grabitur arkën e shtetit në mënyrë “tinëzare”.
Megjithatë, ndonëse të shumta janë aferat korruptive që janë denoncuar në mediat, të cilat Rama i cilëson “kazan”, për vetë faktin se janë një ndër mjetet e vetme dhe të pakta që ia përplasin në fytyrë vjedhjet e kryera.
Dhe në “vrimë të miut” të futen paratë e shqiptarëve, Edi Rama dhe miqtë e tij janë në gjendje t’i gjejnë dhe t’i përvetësojnë në mënyrat më të lehta të mundshme.
Shpiken shërbime, blerje pajisjesh dhe çdo lloj makinacioni tjetër, në mënyrë që të bëhet një tender dhe paratë e shtetit të shkojnë pikërisht në xhepat e thellë të këtyre pushtetarëve.
Të kishin një vullnet të tillë për të gjetur mënyra efikase për të dhënë një produkt sa më të mirë të punës, sikurse ndodh me larminë e tenderimeve, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje ku është, por do të ishin në pararojë të kombeve më të zhvilluara.
Deri më tani kemi publikuar më shumë afera të dukshme miliona euroshe të dhëna përmes koncesioneve me PPP për oligarkët klientë të Ramës, duke treguar me gisht se cilët janë “ujqërit” e gllabërimit të parave të shqiptarëve
Por kemi mbetur pak “borxhlinj” ndaj “çakenjve” të korrupsionit në Shqipëri të cilët po bëjnë namin duke “shqyer” ditë pas dite arkën e shtetit shqiptar dhe përvetësuar paratë e qytetarëve.
Në kuadër të “larmisë” së metodave për të vjedhur paratë e shqiptarëve, vihet re se zërat e shpenzimeve të institucioneve në vend, janë nga më të habitshmet dhe me shifra të superfryra.
E tillë është edhe procedura e tenderit të njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, apo e njohur ndryshe si DPSHTRR apo e “Patentave”, ku ajo që bie në sy është vlera përtej çdo logjike tregu.
Tenderi i shpallur në fund të tetorit të këtij viti, ku objekti i marrëveshjes kuadër është: “Shërbimi printimi, fotokopjimi dhe skanimi në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme, Drejtorisë Rajonale Tiranë e Durrës të Shërbimeve të Transportit Rrugor” me fond limit 17, 145,540 lekë të reja pa TVSH, është një ekzemplar i këtij lloji.
E gjithë procedura mban firmën e drejtorit, Blendi Gonxhja dhe është publikuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, duke treguar qartë dhe në mënyrë të detajuar se si shpiken tendera për të blerë pajisje dhe shërbime, të cilat kalojnë dhe vetë fuqinë e institucionit.
Drejtorisë së “Patentave”, do t’i duhen plot 171 milionë lekë të vjetra vetëm për t’u “pajisur” me fotokopje dhe skanera, pa llogaritur këtu shtesën që do të ketë kjo shumë kur të paguhet dhe TVSH dhe duke e dërguar “faturën” për arkën e shtetit, në 200 milionë lekë.
Kompanitë që do të marrin pjesë në këtë tender të çuditshëm kanë afat maksimal për të dërguar dokumentacionin e plotë deri më 25 nëntor të këtij viti, dhe nënvizohet se fituesi do të nënshkruajë një marrëveshje me afat 24 muaj.
Tenderat e institucioneve të kësaj natyre janë një fenomen mjaft i përhapur në Shqipëri, nga ku gjenerohen miliona lekë nga buxheti i shtetit, destinacioni real i të cilave s’është ai i parashikuar në dokumente dhe as në projeksionin e shpenzimeve të institucioneve.
Kreu i drejtorisë së “Patentave” Blendi Goxhe është një ndër miqtë më të afërt të kryeministrit Edi Rama, çka tregon qartë se pikërisht për arsye se i ka “shpatullat e ngrohta” i bie me “top” parave të shtetit, përmes përfitimit me këto tendera të çuditshëm.