Fatin e Bashës e ka në dorë biznesmeni amerikan…

Fati i kreut demokrat Lulzim Basha pritet të përcaktohet nga përtej Atlantikut. Edhe pse prokuroria deklaroi se ka dërguar në gjykatë dosjen e lobimeve, në reagimin që erdhi nga Basha dhe nga PD, dukej më shumë gëzim sesa hidhërim. Akuza për falsifikim formulari duket se nuk tremb Bashën, pasi akuza e pastrimit të parave ra. Por duket se ujërat mund të trazohen në ditët në vijim.

 

Prokurorët nxituan të mbyllin hetimet, por pritet që të vijë një dëshmi e biznesmenit që Basha kontraktoi për lobimet. Gazeta tha pak ditë më parë se vendimtare do ishte dëshmia e Nicolas Muzin, i cili duket se ka vendosur të dëshmojë. Gazeta ka siguruar dosjen e plotë të prokurorisë dhe aty tregohen fillimisht detajet se si Muzin kërkon garanci nga autoritetet amerikane e shqiptare për të dhënë dëshminë e tij. “Nga korrespondenca e bërë me autoritetet e ndjekjes penale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të bërë nga Prokuroria e Tiranës, rezulton se shtetasi Nik Muzin, ka vendosur që të flasë për këtë çështje penale (lobimin e kryer).

 

Autoritetet amerikane i kanë dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht në Amerikë ky shtetas në rast se jep deklarime për të zbardhur ngjarjen. Prokurori amerikan ka komunikuar me Prokurorinë e Tiranës ku përcjell kërkesën e Nikolas Muzin për të mos pasur përgjegjësi penale në territorin e Shqipërisë në këmbim të dhënies së dëshmisë së plotë me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në dokument. Por kjo pjesë e dosjes duket se rëndon pozitat e dy prokurorëve, pasi të dy e dinin se do vinte dëshmia e Muzin, por vendosën të mos e presin atë dhe mbyllën hetimet. Megjithatë nëse dëshmia e tij vjen gjatë procesit, ajo do i bashkëngjitet dosjes. Burime të gazetës thanë se Muzin do e japë dëshminë te federalët amerikanë dhe më pas autoritetet amerikane do e sjellin atë në Tiranë për prokurorët shqiptarë.

 

Të dhënat e marra nga SHBA

Prokuroria e Tiranës dërgoi dy letër-porosi në SHBA. E para ka të bëjë me vërtetësinë e dosjeve të publikuar në faqen e Departamenti Amerikan të Drejtësisë dhe e dyta me dëshminë e Muzin. Sa i takon të parës, SHBA ka vërtetuar se të gjitha të dhënat janë të sakta. Në dosje janë të gjitha kontrata që janë firmosur nga Basha me “Biniatta Trade LP” dhe “Muzin Capitol Partners” për vitin 2017, shoqëruar me vlerat përkatëse dhe me detyruat që PD kishte ngarkuar ndaj kontraktuesve. Po ashtu prokuroria ka marrë një fashikull, ku tregohet se si krejt papritur “Muzin Capitol Partners”, ndryshoi bilancet e saj në Departamentin Amerikan të Drejtësisë dhe deklaroi se ishte paguar 3 herë nga PD. Dy herë, para janë derdhur nga vetë PD dhe një herë pagesa është bërë nga “Biniatta Trade LP”. Në adresë të Muzin Capitol, PD ka bërë një pagesë në muajin mars dhe një në muajin qershor. Ndërkohë në fund të marsit është bërë një pagesë nga “Biniatta Trade LP”. Gazeta ka mësuar se nuk përputhen deklarimet që ka bërë Nicolas Muzin në Departamentin Amerikan të Drejtësisë me ato që ka deklaruar PD në KQZ.

 

Deklarimi i financave

Gazeta ka siguruar tabelat e plota me të gjitha derdhjet që janë bërë në arkën e kompanisë në emër të Partisë Demokratike. Sipas dokumentit, pagesa e parë është kryer më datë 24.03.2017 nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë dollarëve, në emër të PD. Pagesa e dytë është bërë nga vetë Partia Demokratike më 27.03.2017 në vlerën e 25 mijë dollarëve. Ndërsa është deklaruar gjithashtu se në datë 09.06.2017 janë pagur nga PD 500 mijë dollarë. Po ashtu janë deklaruar disbursime me vlerë 103.109 dollarë, nga kompani të ndryshme përgjatë 8 datave të ndryshme.

 

Deklarimet janë bërë zyrtarisht në një dokument me 13 faqe dhe rezulton se ka pasur dy pagesa nga vetë PD me vlerë 525 mijë dollarë. Një nga “Biniatta Trade LP” në vlerën 150 mijë dollarë. Dhe ka pasur pagesa të ndryshme në vlerën e 103 mijë dollarë. Në total kemi një pagesë prej 778 mijë dollarë. Kontrata e katërt që rrezikon të fundosë PD është dhe ajo që “Muzin Capitol” ka firmosur me “Baron Public Affairs”. Kësaj kompanie i janë pagur nga 3 herë nga 15 mijë dollarë, pasi ajo ka shërbyer si kompani konsulte për “Muzin Capitol”, me qëllim që të realizohej marrëveshja me PD. Pra prokurori ka zbërthyer gjithçka dhe Basha mund të përfundojë në gjykatë shumë shpejt.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...