Shpërthen konflikti në opozitë: Turi i takimeve të Bashës alarmon Berishën dhe LSI!

Braktisja e aksionit opozitar ka thelluar përplasjet brenda opozitës joparlamentare. Të gjithë prisnin që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të thërriste qytetarët në protestë kundër qeverisë, duke qenë se një premtim të kësaj natyre e bëri gjatë verës dhe se tubimet do të nisnin, pas vendimit të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

 

Por nuk ka ndodhur aspak kështu, pasi prej disa ditësh kryedemokrati Basha ka nisur një tur takimesh me qytetarët dhe sipas burimeve ky vendim është marrë i pakoordinuar me aleatët e tij, e sidomos Lëvizjen Socialiste për Integrim. Burime të sigurta i pohuan gazetës së LSI dhe krerët e saj janë alarmuar nga kjo lëvizje e liderit demokrat, e cila në finale mund të prodhojë një takim Rama-Basha, si ai i dy viteve më parë.

 

Kështu, të ndodhur përpara kësaj situate, mësohet se Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur presionet ndaj Bashës duke i kërkuar llogari se përse nuk e mbajti premtimin për rikthimin e protestave, ndërsa ia bërë të qartë se nuk do të tolerojnë një marrëveshje të dytë mes PD dhe PS, e cila do t’i jepte një goditje të fortë partisë së Kryemadhit. Madje, për t’i treguar se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e toleron “tradhtinë” që Basha po bën ndaj saj, Kryemadhi mblodhi pak ditë më parë Kryesinë dhe grupin e deputetëve, ku diskutua për situatën politike dhe vijimin e aksionit opozitar. Në përfundim të mbledhjes, Kryesia e LSI vendosi vijimin e aksionit opozitar, si dhe caktimin e koordinatorëve që do të nisin takime me bazën e partisë. Pra, këto vendime të Lëvizjes Socialiste për Integrim është në një farë mënyre si një sfidë që LSI po i bën PD, pasi duket qartë se kemi një rivalizim mes njëra-tjetrës.

 

Reforma zgjedhore alarmon LSI

Por përveç braktisjes së protestave, Lëvizja Socialiste për Integrim është zëmëruar me kryedemokratin Lulzim Basha edhe sa i takon reformës zgjedhore. Ditët e fundit po shihet qartë se PD dhe PS po flirtojnë me njëra-tjetrën për reformën, duke lënë të nënkuptohet se kemi një dakordësi mes tyre për këtë çështje. Kështu që, duke qenë se miratimi i reformës zgjedhore me bekimin e socialistëve dhe demokratëve do të ishte fatale për partinë e Kryemadhit, kjo e fundit ka nisur sulmet ndaj Bashës, madje dhe ndaj reformës. Ka qenë zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale, deklaroi dje se nuk mund të ketë reformë Zgjedhore, duke iu kundërvënë kushteve të Gjermanisë. “Banditët e zgjedhjeve e vëllezërit e tyre nuk mund të jenë partnerë për të përmbushur kushtet e vëna nga Gjermania dhe për të plotësuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Reforma zgjedhore duhet të nisë me dënimin e tyre. Në të kundërt, nuk mund të ketë reformë zgjedhore, duke iu kundërvënë kushteve të vëna nga Gjermania”, deklaroi Rama.

 

Turi i takimeve të Bashës alarmon Berishën

Mirëpo, përveç Lëvizjes Socialiste për Integrim edhe ish-kryeministri Sali Berisha është i alarmuar nga turi i takimeve që ka nisur kryedemokrati Lulzim Basha. Sipas informacioneve të gazetës, mësohet se Berisha ka nisur presionet ndaj Bashës, duke i kërkuar llogari për deklaratën e bërë dy ditë më parë nga Shkodra se në pushtet nuk vihet me protesta, por me zgjedhje dhe se përse braktisi protestat. Po ashtu, të njëjtat burime theksuan se ish-kryeministri po shantazhon kryedemokratin sa i takon zërave se ky i fundit do të shkojë drejt një marrëveshjeje me kryeministrin Edi Rama.

 

Mësohet se Berisha ia ka bërë të qartë Bashës se duhet të distancohet nga një pakt i dytë me Ramën, pasi sikundër pohuan burimet, një marrëveshje e kësaj natyre do ta çojë në greminë Partinë Demokratike. Madje, sipas informacioneve, mësohet se Berisha ka paralajmëruar Bashën se nëse do bashkëpunojë me Ramën, derën e PD do ta gjejë mbyllur, duke lënë të nënkuptohet se do të organizojë një puç kundër tij. Nga ana tjetër, mësohet se në të njëjtën linjë me Berishën janë rreshtuar edhe ish-deputetët pranë tij, të cilët janë shprehur për gazetën se turi i takimeve është pa vlerë dhe se ata janë përpara shumë dilemave, pasi Partia Demokratike është në udhëkryq. Pra, njerëzit e Berishës bëjnë fajtor Bashën për gjendjen në të cilën ndodhet sot PD.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...