Shkodra edhe këtë vit mesa duket do të përballet me një situatë aspak të favorshme sa i takon përmbytjeve në pjesën e ultësirës së saj.
Instituti i Gjeoshkencave, Ujit dhe Mjedisit njofton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të rriten në fundjave për shkak të rritjes së shkarkimit të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës në Lumin Buna por do të varen edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve mbi lumin Drin.
Në njoftimin zyrtar IGJEUM njofton se …..
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Sot (e hënë, dt.04) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të rriten prurjet në pjesët e larta malore duke përfshirë edhe kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin.
Në pjesën fushore të basenit që i përket Lumenjve Drin-Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të ketë nivele të larta të ujit dhe me tendencë për rritje të niveleve të rrezikut ditët e javës në vazhdim. Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të rriten në fundjave për shkak të rritjes së shkarkimit të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës në Lumin Buna por do të varen edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve mbi lumin Drin.
Për arsye të rrezikut nga përmbytja është vendosur shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Në pjesën tjetër të territorit do të ketë shtim të prurjeve ne te gjithë lumenjtë kryesorë por nuk ka paralajmerim për përmbytje lumore.
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.