Mundësohet parashikimi i përmbytjeve në Shkodër, parandalim pasojave

Shpëtimi i jetës njerëzore përmes parashikimit të përmbytjeve tashmë është i mundur në Shkodër, falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe ambasadës Gjermane në Tiranë, përmes “Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GiZ)”.

Bashkëpunimi u konkretizua përmes projektit, “Forcimi i menaxhimit ndërkufitar të rrezikut nga përmbytja në kuadër të ndryshimeve klimaterike”. Projekti i financuar nga GiZ, ka një kosto prej 3 milionë euro dhe ka nisur në tetor të vitit 2018, ndërsa finalizohet përfundimisht në shtator të vitit 2021.

Qëllimi i projekti është parashikimi i përmbytjeve me një saktësi të besueshme, duke ndikuar kështu në shpëtimin e jetës njerëzore dhe gjallesave në zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Projekti në fjalë i vjen në ndihmë konkretisht rreth 30 000 banorëve rreth basenit të lumit “Drini” dhe “Buna” në Shkodër. Projekti u finalizua nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Institucionet lokale të Menaxhimit të Burimeve ujore, Drejtoria Emergjencave Civile…etj.

Klodian Zaimi, inxhinier pranë Institutit të Gjeo-shkencave (IGJEUM), bëri të ditur se ky është viti i parë që ky sistem është plotësisht funksional. “Lumenjtë “Drini” dhe “Buna” janë lumenjtë më të rëndësishëm në vend. Është një zonë interesante për vetë sasinë e madhe të ujit që mbledh ky territor ujor, por dhe për rrezikun që mbart kjo zonë, pasi shpeshherë ka pasur dhe përmbytje, që veçanërisht prekin zonën e nën Shkodrës”-, tha Zaimi.

“Ajo që ka bërë instituti ynë në bashkëpunim me GiZ-in është të investojmë masa të lehta inxhinierike për parashikimin e hershëm të përmbytjeve. Është shumë e rëndësishme pasi në çdo vend të botës së zhvilluar aplikohen këto lloj masash të koordinuara me masat e forta inxhinierike dhe ulin problemin e përmbytjes”-, u shpreh Zaimi.

“Përmes këtij projektit kemi mundur që në pjesët e sipërme të basenit dhe pjesët e poshtme të tij, të instalojmë një sërë stacionesh dhe gjithashtu dhe softe, programe kompjuterike që na lejojnë të shohim disa ditë më parë mundësinë për problematikat e ndryshme që mund të ndodhin për përmbytje dhe kjo na mundëson të shpëtojmë mbi të gjitha jetën e njeriut dhe më tej dhe më pas gjallesave, sendeve të tyre të rëndësishme. Puna ka nisur prej kohësh, por sistemi është funksional plotësisht prej këtij viti”-, tha Zaimi

Peter Zingraf, Ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Tiranë nënvizoi se, Shqipëria ka fatin të ketë burime të rëndësishme ujore në një periudhë ku ndryshimet klimaterike po sjellin vështirësi në gjetjen e burimeve ujore dhe menaxhimi i këtyre burimeve është mjaft e rëndësishme.

“Përmbytjet janë ngjarje vërtet mjaft të rënda, që i kemi patur rastin t’i përjetojmë dhe në Gjermani vitet e fundit. Ato nuk mund të ndalohen, por pikërisht përmes monitorimit mund të parashikohen dhe paralajmërohen njerëzit. Unë e konstatoj me shumë kënaqësi këtë sasi të madhe ujore që ka Shqipëria në një periudhë që për shkak të ndryshimeve klimaterike burimet ujore bëhen gjithnjë e më të pakta. Uroj që Shqipëria të jetë në gjendje t’i menaxhojë ato”-, tha ambasadori Zingraf.

Prefekti Çesk Millja, tha se tashmë është miratuar dhe plani i menaxhimit të risqeve. “Është me të vërtetë shumë e rëndësishme menaxhimi i fluksit ujor në kaskadën e “Drinit” sepse jemi ujëmbledhësi ballkanik që merr ujërat nga të gjitha drejtimet dhe i sjell në këtë grykë. Kështu që ne duhet të marrim masa dhe falë ndihmës së Gjermanisë masat parandaluese kanë qenë shumë efikase për menaxhimin e këtyre burimeve ujore, që në momentet kritike risku të jetë minimal për ruajtjen e jetës së njerëzve dhe të gjithë resurseve dhe burimeve natyrore që ka kjo zonë”-, tha Millja.

“Çdo ditë në sistemin e prefektëve nga vjen nga “IGJEUMI”, situata e shërbimit sinoptik falë këtyre sistemeve që janë në basen dhe parashikon risqet e ndryshme ditore për secilën zonë të riskut të mundshëm. Ne marrim pjesën tonë, që ka të bëjë me zjarret, përmbytjet, që ka të bëjë me rrëshqitjet…Por, fal një bashkëpunimi të mirë qeveri, pushtet lokal, dhe organizimi i një sistemi të mirë, fal edhe disa rekomandimeve që na janë dhënë nga ky projekt,

ne kemi miratuar planin e menaxhimit të risqeve dhe në bazë të këtij plani kemi bërë koordinimin dhe ndarjen e forcave sipas nivelit të përgjegjësisë”-, përfundoi Millja, prefekti i Shkodrës.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...