Këngëtarja e njohur Elvana Gjata duket se e ka hedhur pas krahëve të shkuarën e errët, për t’u rikthyer më fuqishëm në karrierën si këngëtare. Emri i saj u prezantua nga moderatorja Alketa Vejsiu dhe regjisorja Vera Grabocka, si surpriza e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar për këtë edicion të ’58-të.
Në listën zyrtare të konkurrentëve, të cilët garojnë për të marrë pjesë në Eurovizion 2020, vëmendjen e tërhoqi pikërisht Elvana Gjata dhe rivalja e saj kryesore në këtë garë, Arilena Ara. Të dyja ishbashkëpunëtore të Flori Mumajesit, duket se nga shkolla e tij muzikore do të nxjerrin armët për t’u përballur në këtë garë e për të të rrëmbyer kupën, që fituesit do t’i japë mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian 2020.
Pasi u shfaq në verë në skenën e sheshit “Skënderbej” në festën e madhe të ditëlindjes së “Digitalb”, Elvana po përgatitet për të fituar Festivalin e Këngës. Edhe pse në atë garë asgjë nuk është e sigurt, kanë filluar që tani parashikimet se ajo mund të fitojë, që do të jetë një goditje në shenjë me herë të parë, duke qenë se ajo kurrë s’ka konkurruar në atë festival.
Dhe për të arritur këtë fitore, gjithçka është marrë me shumë seriozitet nga vetë Elvana për zërin e performancën, nga stilisti Valdrin Sahiti për veshjen dhe i fejuari Ervin Mata, që po investon milionat në mënyrë që gjithçka të jetë e kuruar, e kushtueshme dhe në parametrat europianë të muzikës.
Burime pranë artistes kanë thënë për “Panorama Plus” se i fejuari i Elvanës po investon para për ta bërë të famshme në tregun ndërkombëtar, një karrierë që do të nisë pasi ajo të prekë Eurovizionin. Dhe për të arritur këtë, skena më e mirë është Festivali Europian, që ndiqet nga miliona fansa dhe ku për fituesin votojnë juritë e shteteve dhe publiku europian.
Kështu, pas ngarkesës emocionale të ngjarjeve të shumëpërfolura që përjetoi, duket se Elvanës, bashkë me buzëqeshjen në portret, i është rikthyer plotësisht ambicia për karrierë jashtë vendit. Këngëtarja debuton për herë të parë në këtë kompeticion, edhe pse afrimin e parë me ekranin e RTSH-së e pati gjatë “Etheve të së premtes”, ku tërhoqi vëmendjen jo vetëm me zërin, por edhe numrat e saj imitues ndaj personazheve të famshme.
Po ç’po ndodh me jetën private të Elvana Gjatës, emri i së cilës pushtoi mediat këtë vit pas ngjarjes së bujshme pas përplasjes me armë në një lokal në zonën e ish-Bllokut, pjesë e së cilës u bë dhe i fejuari i saj, Ervin Mata. Pas lajmeve për ndarje për shkak të ngjarjes në fjalë dhe shpalljes në kërkim të partnerit, në muajin maj Elvana rivendosi sërish unazën e fejesës, pasi Ervini arriti të zgjidhte problemet me drejtësinë. E bashkë me problemet, ata hodhën pas krahëve edhe krizën në çift, duke u rikthyer bashkë, por këtë herë edhe më të rezervuar se dikur.
HISTORIA ME UNAZËN E FEJESËS SË ERVIN MATËS, SI
E HOQI DHE E RIVENDOSI PAS NGJARJES NË BLLOK
Kujtojmë që ky 14 Shkurt nuk ishte “mjaltë” për protagonisten e filmit “Dy gisht mjaltë”, ku Elvana Gjata u dashurua dhe u martua me personazhin që quhej Ervin, emri i të fejuarit të saj, Ervin Mata. Vrasja në Bllok tronditi jo pak opinionin publik, ngjarje kjo që u komentua edhe më shumë pas përfshirjes së këngëtares dhe zbulimit të fejuarit të saj sekret.
Një javë pas ditës së Shën Valentinit, Elvana u pa se nuk e mbante më unazën prej diamanti që Mata i dhuroi para një koncerti, të cilin ajo e mbajti në Prishtinë. Në po të njëjtin qytet, Elvana vendosi të rikthehej për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku u vu re që në dorën e saj mungonte unaza e shumëpërfolur.
Pas këtij fakti u përfol se Elvana ishte në krizë me partnerin në arrati pas ngjarjes, madje u tha se ata ishin ndarë. Të shumtë ishin personat që kërkonin të dinin për vazhdimin e lidhjes mes Ervin Matës dhe Elvana Gjatës e këngëtarja e dha vetë lajmin, sidomos pasi hoqi nga gishti unazën e fejesës.
Para dy ditësh, Elvana në njëfarë mënyre u dha fund aludimeve duke postuar një foto në rrjetin e saj social “Instagram”, ku fokusi vihej në unazën me gur diamanti. Kjo u interpretua si një konfirmim nga ana e Elvanës se dashuria dhe lidhja me Ervinin ende nuk ka përfunduar. E ky ndryshim vjen gati dy muaj nga lirimi i Ervin Matës nga Gjykata e Tiranës në fillim të muajit mars. 32- vjeçari u lirua dy ditë pasi u dorëzua në Policinë e Tiranës, pasi Gjykata dha masën e detyrimit për t’u paraqitur dy herë në muaj në Prokurori.
E mesa duket, pas lënies në gjendje të lirë, arriti të sqaronte edhe marrëdhënien me Elvanën, duke e vazhduar fejesën aty ku e kishin lënë. Kujtojmë që pas ngjarjes së rëndë dhe krizës në jetën personale, Elvana u rikthye me klipin “Tavolina e mërzisë”, tekstin e së cilës fansat e përkthyen sikur i këndonte periudhës së errët që po kalonte në jetën sentimentale.
Në shkurt, kur doli lajmi i ndarjes, Mata kërkohej nga Policia, ndërkohë që u vu re detaji që i heqjes së unazës së fejesës. Në lidhje me dhuratën e fejesës, Elvana dha një intervistë për “Prive” në muajin korrik, ku u pyet për unazën me gur diamanti dhe ajo si gjithmonë u tregua e rezervuar, duke u shprehur se e ka të shenjtë jetën private. Nuk vonoi shumë dhe më vonë u zbulua se unaza ishte një dhuratë e partnerit të saj.
Por në koncertin e rikthimit, unaza në dorën e këngëtares mungonte, duke ngritur dyshimet në media nëse kjo ishte një zgjedhje e stilistit personal të saj, Valdrin Sahitit, apo këngëtarja ishte ndarë përfundimisht pas një viti fejesë zyrtare.
LUKS DHE TELASHE, FEJESA DYVJEÇARE E ELVANA GJATËS ME DJALIN QË E PESHON NË PARA
Gati dy më parë, Elvana Gjata u fejua me biznesmenin nga Tirana, i komentuar si pronari i një hoteli në Tiranë. Ishte fiks periudha kur këngëtarja u mungoi fansave të saj, duke mos qenë fare aktive në rrjetet sociale, pasi udhëtoi për pak kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po realizonte projektet e reja muzikore. Miq të afërm treguan se në fund të 2017-ës ajo ishte fejuar në fshehtësi me të dashurin biznesmen, që e peshon ne para.
U fol se artistja kishte zyrtarizuar lidhjen e saj dyvjeçare në fshehtësi me një djalë nga Tirana, që në rrethet e ngushta komentohej vetëm për pasurinë. Për fejesën ai kishte marrë edhe miratimin e prindërve të tij (të cilët e donin dhe e mbështesnin shumë Elvanën), një familje e njohur biznesmenësh në Tiranë.
Elvana madje konsiderohej si nusja në familjen e tij, ndërkohë që ata u panë të parët në radhë në koncertin e saj në bashkëpunim me Pirro Çakon. Por rrjedha e fatit ndryshoi me shpejtësinë e dritës për Elvanën dhe të fejuarin e saj, për të cilin e tha në ekran se Zoti e kishte bekuar me një fat shumë të mirë.
Që prej ngjarjes së rëndë që ndodhi më 4 tetor 2018 në zonën e ish-Bllokut, ku i përfshirë ishte dhe i dashuri i saj, Elvana nuk u shfaq në publik, ndërkohë më vonë u kuptua se heqja e unazës nuk ishte aspak një truk i sugjeruar nga stilisti i saj, por një vendim që ajo e kishte marrë për t’u ndarë nga i fejuari.
Shkak për të marrë këtë vendim u bë edhe përfshirja në përplasjen me armë të kushëririt të saj, gjë që e futi këngëtaren në konflikt edhe me fisin e saj. Sipas burimeve pranë këngëtares, ajo nuk e priste se mund të përshihej në një skandal të tillë me të fejuarin, djalin që e kishte njohur që në gjimnaz, pasi e kishte pasur shok shkolle.
Ritakimi më vonë bëri që mes tyre të lindnin ndjenjat dhe të merrnin vendimin për të nisur një histori të re, bazuar në konsideratat e dikurshme që ruanin për njëri-tjetrin. Me rikthimin e saj në skenën e Kosovës, Elvana Gjata dha intervistën e saj të parë për “Klan Kosova” pas ngjarjes në Bllok. “Mezi po pres të këndoj për të gjithë ju, të përqafohem dhe një herë me publikun dhe të jap shpirtin tim”, u shpreh ajo jo pak e emocionuar, pasi sipas saj, emocionet për një artist vetëm shtohen me kalimin e viteve.
Në atë intervistë ajo foli dhe për filmin komik “Dy gisht mjaltë” me Ermal Mamaqin, ku u shpreh se për herë të parë do të kishte mundësinë të shfaqte talentin e saj të aktrimit, duke qenë se i kishte mbaruar studimet e larta për regji. Flitet se çifti jeton më shumë në kryeqytetet e Europës, por ata i janë rikthyer bashkëjetesës në apartamentin e tyre luksoz në Tiranë. Tashmë Ervini i është përkushtuar Elvanës, në mënyrë që ajo të dalë sa më mirë në garën e RTSHsë dhe që t’i shërbejë si trampolinë për të pushtuar tregun europian të muzikës./PANORAMAPLUS.al