“Kur çuen elefantin në Shkodër”… një histori që do ta mbani mend gjatë!

Paska ardhë nji vezir i ri në Kala të Shkodrës edhe me vedi paska pru nji fil (elefant). Tue kjenë se fili atje në kala nuk ka pasë shka me hangër, e ka lanë poshtë në livadhe të Shkodrës, pak jashtë qytetit.

 

Mirë po fili tash e pare hinte në qytet, se secila shtëpi kishte bahçe të mira, edhe ai po i hante shumë pemët.

 

Prandej, kur nuk e xeshin dyertë e mdha, ai u vente shpatullat, hapte muret e hynte në bahçe, thente jo vetëm degë, por edhe pemë. Gra e fëmijë hikshin prej tij, se ishte aq i madh dhe aq i fuqishëm, sa të shtinte frigën. Këtë punë e bante çdo ditë: sot këtu, nesër atje, hinte në çdo shtëpi e në çdo bahçe e s’kishte shka i ban kush. Gjueje gur sa të duesh, ai s’ndiente; kush s’mund t’i delte para. Të gjithëve u hini hataja.

 

Prandej në nji ditë xhuma (e prende), gjatë Ramazanit, populli u mblodh i tanë te Xhamija e Tophanës. Si me ia ba e tek me ia ba punës t’atij filit të vezirit. Folën e folën, dikush thumbit, dikush patkoit, me shkue atje nalt në kala e me i thanë vezirit këto fjalë:

 

“Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun sot te Xhamija e Tophanës, të gjithë bashkë e shqyrtuem çashtjen e filit që ke pru. Ai fil po then dyert e shtëpijave tona, po u shtjen frigen grave dhe fëmijëve, të cilët struken prej tij; hyn ndër bahçet tona, han, then e shkatrron. Të gjithë popullit i ka hy tmerri prej ati fili. Prandej të bajmë këtë kërkesë: largoje sa ma parë prej Shkodret këtë fil që shkatërron gjithshka, se nuk e durojmë ma”.

 

Populli i Shkodërs caktoi aty për aty dhetë vetat që të shkojshin te veziri në kala, të gjithë burra të mirë, njani mai mendshëm se tjetri gjithsejcili ma trim se shoqi. Populli u shpërnda; ata të dhetë u nisën përpjetë rrugës së kalasë. Atje nalt i priste veziri. Ata e dijshin që veziri, po i çove peshqesh, të priste mirë, por po i fole keq, nuk delshe ma i gjallë prej kalajet: shtatë shaljanët dikur kishin mbetë të gjithë dekun aty n’odë të vezirit. Kjo dihej.

 

Porsa filluen rrugën përpjetë, qe se njani prej të dhetëve po flet: “Ndigjoni, o burra, mue mbramë me diq nana. Gjenazen e kam aty në shtëpi e kush kujdeset për vorrin e saj? Ju lyp leje.” “Shko, nana asht nanë: e gjallë e e dekun.”

 

Porsa kaluen dhetë hapa, foli nji tjetër: “Burra, si dhetë, si tetë, nuk ka rëndësi. Kam niji hall të madh, se më ka ardhë miku në shtëpi e nuk kam si e la vetëm: a më lejoni?” “Shko!”

 

Mbas pak hapash që po ngjiteshin, po thotë një i tretë: “Më lejoni, o burra, se kam nji hall të madh: më ka mbetë dugaja e mbyllunnë Pazar sa me dorëzue çilsin: barabar si shtatë si gjashtë. A më lejoni?” Kështu me radhë, njanimbas tjetrit, praqitën arsyet e veta e u larguen. Kur mbërrijnë te dera e kalasë, kishin mbetë vetëm dy vetë.

 

Kqyrën njani-tjetrin: Cili po i bjen derës? “Ndigjo, tha njani prej tyne, dhetë kjemë që u nisëm e tash kemi mbetë vetëm na të dy? A e di si asht puna? Njato fjalë janë për me ia thanë vezirit: barabar si nji si dy, bile ç’ duhet i dyti? Njani ka për t’folë. A e qesim short kush me hi, o un o ti?” “Jo, u përgjegj tjetri, pse me qitë short? Sa me thanë njato fjalë, flas un.” “U, sa mirë, se edhe un kam pasë aq shumë punë sot.”; doli tjetri e u largue.

 

Ai që mbeti i ra derës. Roja ia hapi e ai foli se e kish dërgue mileti i Shkodrës i mbledhun te Xhamija e Tophanës për me folë me vezirin. Pasha e kishte zakon me i pritë mirë e me u qitë kafe atyne që vijshin me peshqesh në dorë. Ata që bijshin ankimet e popullit, jo vetëm që i priste me tureçka, por nganjëherë nuk e nxierrshin as kryet prej andej.

 

Shkodrani filloi me folë: “Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun te Xhamija e Tophanës, më ka dërgue për me t’u falë nderës.” “Hë, ju bini dy kafe”, urdhnoi veziri. Shkodrani vazhdoi: “Më ka dërgue me t’u falë nderës për gëzimin e madh që i ke dhanë tue prue njatë fil. Aman, o Perëndi, sa gja të bukur që ke krijue! Fili! Fili i Pashës! Knaqen gratë e femija kur e shofin me sy. Frigë?… Frigohen nganjiherë, se asht gja e madhe, por mandej gëzohen sa s’ka kur shofin se nuk ka pemë në bahçe që e ndal. As nuk u dhimbsen degët e pemët e thyeme, as muret e dyerët e rrënueme, se e dijnë që asht Fili i Pashës.

 

Por i gjithë mileti ka nji marak të madh: Aman, o vezir i madhnueshëm, donë me dijtë se si e ka gruen e vet ky fili, se çajre pa grue as ky s’do të ketë! E i ka kapë nji marak i madh me e pa fileshën: si do të jetë ajo!” Ndërkaq erdh kafja e turkut, e gota e ujit në tabake e veziri foli: “Ndigjo, o burrë i mirë, thueji miletit të shkodrës se do të baj çmos me ua plotësue dishirin. Hiç mos u disproni, se sa ma parë që të mundem kam me u prue edhe fileshën!”

 

Mbas nja dy muejsh nëpër rrugët e Shkodrës po shifen tue ecë fili e filesha: shka lente pa rrënue njani, e plotësonte tjetri. Popullit i hini tmerri. U mblodh përsëri te Xhamija e Tophanës. Ku janë ata që dërguem me folë me vezirin?” “Un, u çue e tha njani, un kjeshë ai që fola me Pashën. Ju caktuet dhetë vetë, por te veziri shkova vetëm un. A mendoni ju se Pasha don ma shumë bahçet tuaja se filin e vet? Ju e kuptoni që për mue vlen ma shumë kryt tem se bahçet tueja.” “Po a ia ke thanë Pashës fjalët tona?” “Të gjitha ia thashë fjalet e miletit: se si fili hap dyer rrënon mure, then pemët me gjithë degë… Po ju kalanë njaty e keni, aty asht edhe vezir Pasha e, në kjoftëse bahçet tueja u dhimbsen ma tepër se kryet, aty në kala shkoni e folni me Vezir Pashën.”

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

PËRFSHIHET NGA FLAKËT FSHATI KAPRRE NË AFËRSI TË SYRIT TË KALTËR, RREZIKOHEN BANESAT

Një zjarr ka përfshirë fshatin Kaprre, pranë Syrit të...

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...