Pasi qeveria ka “përmirësuar” çdo aspekt të jetës, niveli i varfërisë është “ulur”, “papunësia në vend është një problem që po shkon drejt zhdukjes”, gjendja ekonomiko-sociale e shqiptarëve po njeh “rimëkëmbje, kriminaliteti po “ndryshket” e po shkon drejt çrrënjosjes, tashmë duket se vetëm një sektor i vetëm kishte nevojë për “ndryshim”.
Qeveria ka ndaluar përdorimin e qeseve plastike, ndërsa tashmë, me projektligjin e ri, do të aplikohen masa administrative edhe për ata që i përdorin ato.
Në draft ligjin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në nenin 3 pritet që të shtohen edhe dy pika të tjera.
Sipas këtyre pikave, përdoruesit e qeseve plastike janë në kundërshtim me kërkesat që cakton ligji dhe do të dënohen me gjobë nga 30 mijë lekë deri në 100 mijë lekë të reja.
Ndërsa prodhuesit dhe importuesit e qeseve plastike do të gjobiten nga 1 milion deri në 1,5 milion lekë të reja.
Në dy pikat e propozuara në projektligj thuhet:
Çdo person, që hedh në treg, prodhon, importon, apo fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 1 000 000 (një milion) deri në 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë. Çdo person që përdor në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, qese të lehta plastike mbajtëse, qese shumë të lehta plastike mbajtëse,
si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, sipas përcaktimit të pikës 3 të nenit 29, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 100 000 (një qind mijë) lekë.
Projektligji është nxjerrë për konsultim, ndërsa pritet që këto masa të hyjnë në fuqi pas 20 qershorit të vitit të ardhshëm.