Margarita Xhepa, kjo aktore e madhe e skenës kulturore shqiptare, nuk ka ditur të zhgënjejë asnjëherë me performancat e saj në teatër dhe në film. Mjeshtre e madhe e artit, që shumë herë është krahasuar edhe me Irene Papas e me Melinë Mërkurin, është rritur në një varfëri shpirtërore e fizike, për faktin se nëna i vdiq qysh e re dhe ajo u desh të gjendej e vetme në rrugën e jetës.
Irene Papas madje në një rast shumë afër fizikisht me artisten shqiptare, i pati thënë ca fjalë që e mrekulluan artisten dhe të gjithë shqiptarët.
Para disa vitesh, Margarita Xhepa dhe Kadri Roshi morrën pjesë në një festival teatrosh në Selanik ku ishte e pranishme edhe Irene Papas. Margarita doli në skenë për të marrë mirënjohjen e saj, ndërsa Papas i tha “Më vjen keq që qenke më e bukur se unë”.
Tregimin e jep aktori Jovan Jano para disa vitesh, por nuk ka dyshim se diçka e tillë ka ndodhur marrë për bazë bukurinë dhe talentin e aktores Margarita Xhepa.
Xhepa është një ndër aktoret emblematike dhe më të respektuarat në historinë e kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Një Sophia Loren shqiptare, një Ingrid Bergman e dytë, ajo është përfshirë në libra të studiuesve të ndryshëm dhe është cilësuar si aktore e kalibrit më të lartë botëror.
Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek “majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj.
Veç roleve në teatër, ka realizuor edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.
Në vitin 1997 interpretoi ne filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.