Kur vizitojmë një qytet, ne e shohim atë nga një këndvështrim i largët dhe pëlqejmë ato gjëra, që ne besojmë se janë më të bukurat dhe më interesantet. Por ne në Travelbar. al kemi një gjykim tjetër për mënyrën se si duhet të zbulojmë një qytet.
Ne besojmë se çdo destinacion shijohet apo përjetohet më i plotë, nëse ne përpiqemi që të paktën për pak orë ose ditë, të bëjmë ato gjëra që vendasit bëjnë.
Kjo sigurisht, përveç guidave turistike, është një ndër format më të përshtatshme për të njohur dhe për ta dashur një qytet:
duke hyrë poshtë lëkurës së tij. Për të zbuluar Shkodrën, ne ju ftojmë që për pak çaste, të silleni apo bëni ato gjëra që shkodranët i kanë më për zemër!
1. Të shëtisësh me biçikletë nëpër qytet
Biçikleta është një ndër pasionet më të dashur për shkodranët. Eshtë e pamundur që të shkosh si vizitor në Shkodër dhe t’i shpëtosh tundimit për të hipur mbi biçikletë.
Biçikleta nga një mjet transorti, për shkodranët është shndërruar në simbol shpirtëror. Në rrugët e qytetit sheh në biçikleta që nga fëmijët 5 vjeç, deri tek të moshuarit 85 vjeç.
2. Të endesh rrugicave të vjetra
Nëse shëtit në Pedonale, apo rrugët e tjera kryesore të qytetit, nuk mund ta marrësh të gjithë kënaqësinë, pa eksploruar sidomos rrugicat e tjera tradicionale të Shkodrës.
Këto rrugica shpesh përmbajnë një bukuri të papritur me ndërtesa të vjetra interesante, me vendasit që këtu kalojnë jetën e përditshme, oborret e mbjella me lule dhe skenat që kapin një perspektivë të ndryshme të qytetit dhe njerëzve të saj. Nuk mundet të ndihesh shkodran, duke u ender ndër to!
3. Të hash tavë krapi ose gjuca në Shirokë
Në Shkodër ka një traditë të pasur kulinarie, ku zënë vend kryesisht produktet e mishit, për shkak të afërsisë me Malësinë, si dhe produktet e liqenit, të cilat vijnë nga Liqeni i Shkodrës.
Në lokalet e shumtë që shtrihen buzë tij, sapo kalon Urën e Bunës, në përditshëmrinë e tyre shkodranët gjejnë mundësinë shumë shpesh, për të ngrënë tavën e krapit ose gjucat e fërguara. Zakonisht gjucat i shoqërojnë me raki, bukë kallamoqe (misri) dhe turshi. Ndërsa krapin me verë të kuqe. Nuk mund të sillesh, apo ndihesh si shkodran nëse nuk mësohesh të hash këto dy pjata tipike.
4. Të bësh xhiro nëpër Pjacë
Xhiroja e Pjacës ka qenë pjesë e traditës në Shkodër, ajo përbënte një stil të veçantë jetese. Nga kjo xhiro përcaktohej e ardhmja e shumicës së femrave dhe meshkujve gjatë regjimit komunist, pasi ishte një ekspoze dhe mënyrë fantastike për t’u njohur të rinjtë dhe për të shfaqur modën apo stilin e tyre. Ata vërshonin në dy radhë të rrugës dhe aty lindnin flirtet apo dashuritë e reja.
Sot kjo traditë e xhiros sipas atij koncepti të shkuar, ka humbur, por ende ekziston mahnia e shkodranëve për të bërë një xhiro në Pjacë. Nuk mund të sillesh si shkodran, nëse nënvlerëson shëtitjen në Pjacë.
5. Të pish kafe në Pjacë
Kur themi Pjacë në fakt është fjala për Pedonalen e sotme, që përfshin Rrugën Kolë Idromeno, që nis nga Rruga G’juhadol dhe përfundon tek Prefektura.
Nëse dëshiron të sillesh si shkodran duhet patjetër të ndalosh në njërën nga kafet apo baret që ndodhen në të dyja anët e rrugës, që zakonisht janë të mbushura nga njerëz që shohin ato që bëjnë xhiro. Nëse ulesh diku, atëherë je edhe ti, ai që do shohësh kush kalon duke mos ia ndarë sytë xhiros.
6. Të bësh blerje në Rus apo Zdrale
Një ndër zakonet e shkodranëve është të bëjnë blerjet e produkteve të tyre në njërin nga tregjet e qytetit, njëri shtrihet në lagjen Rus dhe njihet si Fusha, ndërsa tjetri në skajin e kundërt dhe quhet me emrin e lagjes ku ndodhet, Zdrale.
Mes tregtarëve të regjur dhe spekulantë, nëse jeni të duruar dhe kërkues, mund të gjeni produkte bio që sjellin për të shitur fshatarët e ultësirës dhe të malësisë. Patate, gështenja, fasule, arra, qepë, janë një garanci e mirë nga Malësia e Shkodrës, ndërsa zarzavatet, duhani, frutat e tjera dhe sidomos shegët vijnë nga fshatrat e ultësirës.
7. Të jesh spektator në Teatrin Migjeni
Shkodranët kanë një dashuri të pafund për artin dhe nëse dëshiron të kuptosh sa më shumë rreth shpirtit të tyre krijues, artistik dhe plot humor, duhet patjetër të ndjekësh të paktën një shfaqje në sallë.
Brezat e artistëve zëvëndësojnë njeri tjetrin dhe Shkodra është një qytet që s’resht së prodhuari humor. Në shfaqje të tilla nuk mund të gjesh lehtë bileta dhe aty e kupton pse këta njerëz e duan kaq shumë të qeshurën dhe batutat.
8. Të dëgjosh Radio Shkodrën
Radio Shkodra është radio e dytë e hapur në Shqipëri, pas Radio Tiranës dhe prej asaj kohe, pavarësisht zymtësisë së propagandës komuniste, nuk e ka humbur asnjëherë nga transmetimi, emisionin e saj klasik me muzikë popullore, sipas preferencave të dëgjuesve.
Sot forma e ndërtimit dhe prezantimit të emisionit ka ndryshuar, por shkodranët nuk heqin dorë nga programi me muzikë të vjetër qytetare, një orë në dite, çdo pasdite, si për të ushqyer traditën dhe për ta kaluar nga njëri brez tek tjetri.
9. Të shkosh çdo verë në Velipojë
Velipoja është një plazh mjaft popullor dhe i dashur për Shkodranët. Pjesë e Adriatikut, e shquar për efektet pozitive të rërës plot jod dhe detit të pastër, është frekuentuar si plazh nga shkodranët që në vitet 1960.
Distanca nga qyteti është vetëm 30 minuta, ndaj edhe për shkak të afërsisë me qytetin, shkodranët e kanë si shtëpi të dytë verimi. Nëse dëshiron të ndihesh si shkodran, duhet patjetër të frekuentosh Velipojën gjatë ditëve të verës dhe të zbatosh regjimin ditor të shkodranëve, të cilët janë mjaft strikt sa i përket atij.
10. Të flesh në zheg
Zhegu është koha e pasdrekës, që përfshin afërsisht orën 14.00 deri në orën 17.00, çfarë për shkodranët është shumë kuptimplotë dhe e shenjtë. Gjatë kësaj ore,
sidomos në stinën e nxehtë të verës, rrugët zbrazen, dyqanet mbyllen dhe qyteti për të shmangur të nxehtin e madh, stopon në masë të konsiderueshme aktivitetin normal, për t’u rikthyer pas orës 17.00.
Nuk është e thënë se flenë për 3 orë, por është e sigurtë se pëlqejnë që ta shfrytëzojnë këtë kohë për qetësinë dhe relaksin e tyre, gjë që e ndan një shkodran nga një të ardhur. “Nëse je shkodran i vjetër duhet të flesh patjetër në zheg”!