“Dënimi i Pjetrit”/ Drejtësia italiane i sjell letër-porosinë Prokurorisë së Përgjithshme

Drejtësia italiane i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme letër-porosinë e kërkuar për verifikimin e dënimit në Itali të kryebashkiakut të zgjedhur të dorëhequr, Valdrin Pjetri. Sipas burimeve jozyrtare, letër-porosia ka mbërritur në Prokurori që prej datës 27 shtator dhe i është dorëzuar të hënën prokurorit të kësaj çështjeje, Arben Kraja, i cili për arsye ende të paditura nuk e ka bërë transparente përmbajtjen e saj për publikun.

 

Shkresa iu dërgua autoriteteve italiane më 14 gusht, ku mes të tjerash kërkohej edhe krahasimi i shenjave të gishtave të Pjetrit, me gjurmët daktiloskopike që u depozituan prej tij në Institutin e Policisë Shkencore.

 

Dënimi i Pjetrit në Itali u pretendua nga Partia Demokratike, që publikoi disa dokumente që dëshmonin sipas saj arrestimin e zyrtarit socialist për trafik droge, dënimin me 18 muaj burg dhe dëbimin e tij nga shteti fqinj. Sipas selisë blu, Pjetri preket nga ligji i dekriminalizimit pikërisht për shkak të ndalimit të tij në Itali në harkun njëvjeçar 2001-2002, duke shtuar se pas kthimit në Shqipëri, ai nuk ka udhëtuar më në drejtim të shtetit fqinj për tetë vjet me radhë.

 

Por, në formularin e vetëdeklarimit që Pjetri ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk rezulton të ketë shënuar dënimin e dhënë ndaj tij nga autoritetet italiane. Në formular, Pjetri ka pasqyruar vetëm qendrimin në qytetin e Firences në periudhën 2001-2002 për kryerjen e studimeve universitare. Ndërsa socialisti iu është përgjigjur negativisht pyetjeve në kategorinë “të dhëna mbi gjendjen gjyqësore të personit”.

 

Kandidati socialist i dalë nga zgjedhjet vendore monopartiake të 30 qershorit, reagoi ndaj akuzave duke dhënë dorëheqjen, por duke mos pranuar “asnjë faj e përgjegjësi”, pasi sipas tij një ngjarje e hershme, që daton në moshën e të njëzetave, është nxjerrë nga konteksti dhe “rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor”.

 

Pak ditë pas nxjerrjes së materialeve nga PD-ja që mbështesin pretendimet e ngritura me herët nga kjo forcë politike për të shkuarën e errët të Pjetrit, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili mesa duket i sprovuar nga precedentët në radhët e Partisë Socialiste, mohoi të kishte dijeni për të kaluarën kriminale të Pjetrit dhe iu shmang përgjegjësisë së drejtpërdrejtë duke shkruar në “Facebook” se “deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”.

- Publicitet -

TE TJERA

spot_img