10 të vërtetat përvëluese që fshehin liderët e opozitës!

Nga Alfred Peza/

Ka disa të vërteta të qarta e të thjeshta, të cilat lidershipi i opozitës sonë rrugore, nuk ia thotë dot ende përkrahësve dhe mbështetësve të vet. Madje, as mos mbani shpresë se do mund tua thotë ndonjë ditë hapur e publikisht, për aq kohë sa kjo elite që e drejton, do të vijojë që të jetë pjesë e politikës aktive në Shqipëri.

Këto të vërteta nëse do të pranoheshin, do të rrëzonin thelbin e alibisë që Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi përdorën përgjatë gjithë këtij viti politik përpjekjesh të pashembullta, për ta rrëzuar nga pushteti Kryeministrin Edi Rama. Këtu po mundohem që të rendis, 10 ndër më kryesoret prej tyre.

E para, djegia e mandateve të deputetëve të “Opozitës së Bashkuar” dhe dalja e tyre nga Parlamenti, nuk ishte as për shkak të ndonjë urdhëri hyjnor nga populli, siç u munduan fillimisht që ta paraqisnin dhe as se kishin ndonjë arësye tjetër të qenësishme e legjitime. Provë për këtë është këmbëngulja e Ilir Metës edhe sot, kur thotë se ishte dhe është kundër këtij vendimi, të cilin e ka cilësuar si një GABIM.

E dyta, edhe Ilir Meta nuk tregohet i sinqertë kur nuk e tregon arësyen e atij qëndrimi, por e jep përgjigjen e tij indirekt, duke thënë se një nga shkaqet e acarimit të situatës politike menjëherë pas djegies së mandateve nga deputetët e opozitës, ishte për shkak se Parlamenti dhe KQZ “nxituan” që ti zëvendësonin menjëherë mandatet e tyre, me deputetët e rinj të opozitës që ndodhen sot në Kuvend.

E treta, kjo tregon se djegia e mandateve nga opozita, nuk kishte shkak por ishte thjeshtë një akt politik “in extremis” për të detyruar mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama për tu ulur dhe për të bërë një marrëveshje me ta. E derisa të arrihej ky pazar politik, Parlamenti dhe KQZ nuk duhej të vepronin për zëvendësimin e mandateve dhe në këtë mënyrë opozita e sotme e rrugës, do rikthehej sërisht në sallë.

E katërta, kur u pa që mazhoranca nuk ra në këtë kurth politik, atëherë lidershipi i opozitës kaloi në nivele të tjera të ekstremizimit të situatës, duke shtuar dhunën mbi institucionet kushtetuese e legjitime të vendit. Ilir Meta ka pranuar se “kjo ka qënë një situatë artificiale. Ky polarizim nuk ekziston poshtë në shoqëri”, por ishte “një antagonizëm i orkestruar nga lart, për të mbajtur në ngërç Shqipërinë…”

E pesta, kjo tregon se ajo që lidershipi opozitar e trumbetonte si “revolucioni popullor” nuk ekzistonte në realitet. Por kauza e formuluar në formën e ultimatumit: “Ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita!” ishte thjeshtë një skenar për të marë pushtetin në tavolinë. Me qëllimin për të bllokuar e zhbërë më pas reformën në drejtësi, nga frika e ndëshkimit për krimet dhe korrupsionin e 30 viteve në politikë.

E gjashta, ishte kjo arësyeja se përse zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Metthew Palmer, deklaroi se ekzistonte rreziku që PD dhe LSI nëse nuk ndalnin sulmet e tyre mbi institucionet, rrezikonin që të shpalleshin organizata të dhunshme dhe marrëdhëniet e SHBA me to do të ndërpriteshin. Një kërcënim që nuk ka ndodhur kurrë më parë publikisht, gjë që frenoi përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

E shtata, si raporti final i OSBE/ ODIHR për 30 Qershorin, ashtu edhe përgjigja e ekspertëve të Komisionit të Venecias në lidhje me zhdekretimin e zgjedhjeve, i vendosën vulën legjitimitetit të këtij procesi. Kjo i dha qytetari mandatit të rregullt 4 vjeçar të të gjithë të zgjedhurve të rinj vendor. Duke i mbyllur njëherë e përgjithmonë rrugën, mundësisë së përdorimit të mekanizmit të bojkotit, në proceset e ardhshme.

E teta, është kjo edhe arësyeja se përse Ilir Meta nuk flet më për 13 tetorin si e vetmja datë legjitime për zgjedhjet lokale në Shqipëri. Çka do të thotë se edhe ai vetë, e ka pranuar tashmë, nëpërmjet heshtjes së tij, shkeljen Kushtetuese që ka bërë, duke dashur që të anullonte me dekret, 30 Qershorin. Kjo i jep të drejtën mazhorancës që ti shkojë deri në fund procesit të shkarkimit të tij si President i Republikës.

E nënta, votimi i Bundestagut gjerman dhe njoftimi i prestigjozes “Bloomberg” se Bashkimi Europian do të njoftojë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian në Luksemburg më 15 tetor, tregon se jo Edi Rama dhe PS, por katërshja e lidershipit të opozitës së rrugës, kishin për qëllim bllokimin e këtij procesi.

E dhjeta, opozita jashtparlamentare ka vetëm një mundësi tani: Ta lerë rrugën dhe të rikthehet një orë e më parë në sistem. Piketat nëpër të cilat kalon ky proces janë treguar tashmë edhe nga mazhoranca, edhe nga SHBA e BE: Ulja në tryezën e madhe të dialogut politik, pa kushte. Konfirmimi i mbështetjes pa kushte për reformën në drejtësi. Adresimi i të gjitha problemeve, në ligjin e ri për reformën elektorale.

Këto 10 të vërteta të mëdha, edhe nëse nuk pranohen publikisht, mbeten një problem i opozitës. Më e rëndësishme se kjo, është që të kuptohet se rruga e rrugës e la popullin opozitar pa asnjë përfaqësim, si në pushtetin qëndror ashtu edhe në atë lokal. Që do të thotë se vetëm rikthimi brenda sistemit politik e institucional, mund tua rikthejë shpresën se vota e tyre nuk do keqpërdoret më kurrë si përgjatë 2019!

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...