Tragjedi pak minuta para dasmës, nusja ndërron jetë pasi sjell në jetë një vajzë

238

Jessica Guedes ishte 6 muajshe shtatzënë ndërsa ishte nisur për të lidhur kurorë me të fejuarin e saj, Flavio Gonçalvez, por nuk ia doli dot mbanë.

 

Rrugës për në dasmë, ajo u ndie keq në limuzinën që ishte nisur për në kishën e São Paulo-s, në Brazil. Familjarët menduan se ishte ankthi dhe emocioni para ceremonisë pas ankesave për marrje mendsh dhe dhimbje qafe, por në fakt, 30-vjeçarja, siç ekzaminuan mjekët më vonë, po vuante nga pre-eklampsia, gjendja e rrezikshme që prek gratë shtatzëna.

 

Kur i fejuari Flavio Gonçalvez, 31-vjeç, po priste në altar pa ditur asgjë, një i afërm vrapoi t’i kërkonte ndihmë, pasi partnerja e tij kishte rënë pa ndjenja në makinë.

 

Jessica u dërgua me urgjencë në spital. Mjekët kryen ndërhyrje cezariane për të sjellë në jetë një foshnjë, por nuk mundën ta mbanin në jetë nënën e saj. Ajo humbi jetën vetëm pak minuta para se të martohej.

 

Bebja Sophia lindi 29 javëshe dhe peshonte 930 gramë. Ajo do të mbahet nën kujdes intensive mjekësor për të paktën 2 muaj.

 

Siç shkruan prestigjiozja Mirror, në raportin mjekësor thuhet se Jessica pësoi goditje në tru, për shkak të pre-eklampsisë dhe hemorragjisë së brendshme.

 

“Akoma nuk e besoj atë që ka ndodhur. Më duket sikur jam në një film të trishtë ku ti qan, qan, qan… pastaj më duhet ta lë teatrin … Gjithsesi, në rastin tim, filmi nuk do të mbarojë kurrë dhe vuajtja do të vijojë gjithë jetën”,- janë fjalët e Flavios pas humbjes së bashkëshortes së ardhshme.

 

Miqtë grumbulluan më shumë se 20.000 paund për të mbuluar të gjitha shërbimet mjekësore pasi Flavio zbuloi se materniteti privat nuk i mbulonte shërbimet që i duheshin vogëlushes së porsalindur.

 

Familjarët, shkruan më tej Mirror, i dhuruan organet e Jessica-s para ceremonisë së varrimit të saj.