Si të thashë, kam fillue nji kangë, qi shpresoj se ká me mbetë nder mâ të bukura të Lahutës. Dér m’sod kam shkrue ktu n’Italí kater kangë të Lahutës; nji Cantico drammatico mâ se dý mij vjerrshash; nji Konferencë mbí Provincjen t’onë e nji satirë mjaft të gjatë. E pra Doktori më ká pasë urdhnue kater muej pushim menduer, posë trazimesh të mdhá qi më qesin letrat shum herë të papuna. I falem nderës Zotit, qi ké kthye në Shkodër ti!”.
Pesë letra të At Gjergj Fishtës janë publikuar për herë të parë nga françeskanët. Pas daljes të numrit të parë të “Hyllit të Dritës”, “Gazeta Shqiptare” i sjell të plota në bashkëpunim me “Botimet Françeskane” me rastin e 147-vjetorit të lindjes së poetit kombëtar.
Nga bisedat personale me fretnit e tjerë, te bisedat për çështje me ndjeshmëri të veçantë për të e provincialin, ku flitet për ecurinë me “Lahutën e Malcis”, botimin e Kanunit të Gjeçovit, a shkollimin e fretnëve në Itali. Dimensioni njerëzor e ai i njeriut të besimit, ndërthuren për të dhënë Fishtën e letrave, librave e shkresave, që teksa gjendej në Romë, kujdesej për fretnit e ri, për shkollat në Shkodër, për botimet e mbetura në mes shpesh kritikonte edhe veten për çka kishte lënë pa bërë.
Shkodër, 16 – IX. – 20
I dashtuni P. Bernardin,
Kuer kjeçë në Troshan, zgodha në bibliotekë t’ujen dy libra: Horacin, nji libër i vjetër e krejt i tymytun, edhè Iliaden të perkthyeme kroatisht. Kta libra i kam lânë m’skâj të raftit kahë dritsorja mbi kopshtë. Per në kjoftë se i gjênë, kishe me m’bâ shûm nderë po pate se si me m’i dergue per s’shpejti.
Provincjali s’kà kthye kthye ené. Punët m’front janë mirë. P. Çirili sot niset për Shalë në misjon.
U falem me shndet të gjithve.
P.Gjergj Fishta.
***
Romë, 11 Kallnduer 1925
Fort i dashtuni P. Ambroz,
M’ká n’dorë kartolina edhè letra e jote. Të falem nderës per urime qi m’dergon e qi un po t’i terrnoj, pak me thânë, nji qind herë të shumueme. Kshtû edhè – sot me 11 Kallnduer – po të fatoj ditën e êmnit, të cillen s’t’a kam fatue me kohë jo prej harreset a priteset, por vetem prej ngaëjet; pse, tuj u gjetë në
Piano dei Greci e tuj m’u dashtë me bâ kah dyë trië predke në ditë, ishëm teper i zanun me punë – Me gjith kta nuk besoj, se kto urime per ditë t’êmnit po të mrrîjnë teper vonë. Rexhepi i jonë i ktushem: P. Leonard Boroncelli, ká lutë diten e emnit të vet me 26 Dhetuer. […] âsht vetem ktû, qi na, tuj lutë Sh’ Leonardin me 26 Dhetuer, prá mbas nji mojit, kena pasë nji gostë mjaft të mirë, ndersa kto urime të prapambetuna të Sh’ Ambrozit as mue as tyë s’po na qesin gjâ m’skep.
Po m’thue, se sdin shka me m’shrue. Po ti të m’kishe dhânë ndoj lajm mbí gjêje të Shkollës, të trupit msojtuer, të zansave, do të m’kishe bâ nji nderë të madhe fort; pse, tue pasë kênë vetë msues e drejtuer per dymdhetë vjetë – jânë 25, besa, por… nejse – kam të madh dishír, me diejt se si shkon puna e Shkollës. Në paç ngaë pra ndoiherë me m’shkrue, mos m’shkruej kurrgjâsend tjeter, në daç vetem punë shkollash, e kam me tu falë nderës.
Per punë të veglave të fizikës enè s’kam pasë kurrnji lajm prej Germanijet. Parmbramit kje me m’pa Dr. Reimers e ky, tuj i a pasë zanë n’gojë un at punë e tuj u gjetë ktû në Romë nji mik i tij prej Bavjeret, muer listen e veglave, qi ti m’a ké pasë lânë mue, e m’tha, se do t’i a epte atij mikut të vet, i cilli do t’interesohej mi gjetë sa mâ lirë në ndonji fabrikë tjeter. Me kênë gjallë P. Agostini, dritë pasët, kishte me thânë: Bre qi lujti makina.
A din shka jam tuj bâ shi njitash, qi jam tuj t’shkrue letren tyë? Jam tuj grîe asì duhanit të keq, qi na ká pasë dergue damas per Ekspozicjon. Plasa me tê jo veç pse jam tue grîe si me kênë tue grîe lakna per akshihane, por pse nuk man zjarm e po m’duhet orë e ças me ndezë cingaren – Punë të mirë qi kishi bâ ti e P. Pali tuj m’marrë gjemsen e cingareve, qi kemi pasë në Bari!
Dje kemi shtî në dhé në Pantheon Mbretneshen e Italís, Margariten. Varrimi âsht bâ me lumní të madhe. Prej Klerit kan kênë grishë vetëm Franciskâjt e Kapuçîjt, si kishte pasë metë doke kah mot në vorrim të gjindës s’dinastís Savoja. Freten kan kênë mâ se 100. Kam kênë edhè vetë. Në ket rasë kam pá Diaz e Cadornen edhè Pipo Papen e “Beço Giallo”.
Detyren qi ké te libratari Marietti kam me t’a pague në mos harrosha. Ká dekë Nikolla, deraxhija i kuvendit të ktushem. Lute Zotin per të mjerin, pse ká pasë kênë fort i mirë.
Jam tuj punue n’ Lahutë të Malcís. Dér n’marim të ktij mojit shpresoj se do t’i kryej trië kangë të reja, kshtû qi kan me mbetë vetem dy per të shkrue. Kah Pashkët mundet me kênë krejt e marueme. Eh po, inshalla!
Ktû mbrendë po të paloj nji leter të P. Bernardinit Sokol, i cilli, si ká kthye prej Friburgut, i âsht dhânë edhè mâ teper pershpirtnís. Âsht pernjimend nji Meshtar i mirë.
Per P. Justinin s’due me të shkrue kurrgjâ, pse ishte bâ i keq e s’e due mâ si perpara. Veç me pasë per ta kndue letren “bihude” qi m’ká shkrue! E pse masandej? Veç pse i kam shkrue Provlit [Provincialit], se aj kamen s’e ká të ligë. Tashti, un tuj e marrë me mend, se Provli mund do t’a kndote at leter edhè para tij, a mund thojshe ashtû trûç, se kamës s’tij i ká ra pika, si P. Agustinit, dritë pasët, e se me kohë do t’i bjerë “qymja” “ma[draga”, “dala e gjâs”, “priçit” etr. etr. etr.? Nejse…
Tash, mjaft. U falem me shndet të gjithve në Kuvend e në Shkollë. Të marr ngrykë me shum máll.
P. Gjergji i yt
***
I dashtuni P. Provincjal,
Kaluen dye të Merrkurre – dye ditë Poste prej Shqypnijet – e un prej tejet s’mora as leter as kartolinë, mos tjeter, sa me m’diftue se keni mrrîjtë shndoshë e mirë në Shkoder. Por ká pasë thânë i moçmi: si t’i a bâjsh kujë, t’a bâjnë e t’a teprojnë; prandej, mbasì vetë jam i ngâthtë në të mbajtun të korrispondencës pustollare me tjerë, s’kam tager me u zemrue pse tjerët nuk m’shkruejn.
Simini ká shkrue prej Livorno e difton, se e ká xjerrë pasaporten. Un i telegrafova në ket mndyrë: “Venite Roma quanto prima urgendo vostra presenza gimnasio francescano Scutari”. I telegrafova në ket mndyrë, pse aj m’shkruete, qi do të shkote me giasë, në Leçe, per me pá familjen e Atiljas e të Gjacintos, të vllazenve të vet, e se masandej do të nisej per Shkoder – Tue kênë se ktû n’Italí fillojnë msimet gymnazjore në Ndanuer, aj kujton se ká kohë me u ndalë edhè ndonji ditë mâ teper n’ Italí – Dér sod enè s’ká ardhë në Romë.
Do t’ia mushi menden me u nisë sa mâ para per Shqypní.
Ekspozicjoni ká me u mbyllë zyrtarisht me 24 të Dhetorit të k.v. Por, mbasì muzeu etnografik në pellaz papnuer të Láteranit enè nuk âsht gati e kshtû Ekspozicjoni ká me u çilë vetem dyë dit në javë, me personal të muzejve të Vatikanit. Prandej nuk lânë qi të hiqen teshat, perpara se komisjoni i muzeut të rí etnografik të ketë caktue, se cillat tesha t’Ekspozicjonit lypen per muzé. Si po shof puna do të shkojë gjatë. Un û kam thanë
Ercolit e Nagarës, se argjantarín s’mund e bâ kurrsesi mâ teper se nji vjetë e se domosdo do t’a nisi per Shkoder. Atà m’thânë: shko nji herë në Shqypní per do dit, e mandej eja prap. […] Si t’a shof punen mâ kjartë, kam me të shkrue prap mbí ket çashtje.
Ktej punët sikurë i ké lânë: makarona e fjalë të mdhá, sa me t’u neveritë. E merr mend, sa jam tuj u merzitë vetun. Me mzi pres diten qi me u nisë per Palermo, per me predikue novenen e Zojës: veç si t’a kalojë kohen me ndoj punë per dore.
U falem me shndet të gjithve, êmen per êmen, shka âsht Frat e kushdo qi të pvesë per mue.
P. Gjergj Fishta
P.S.
Kuer të keshë pare me shpenzue per mue, të lutem mi dergo tash e mâ vonë ká nji çerek kg cingaresh m’adresë: Legazione Albanese – Roma.
Fort i dashtuni P. Pál!
Fort kam pasë dishrue me i kalue Kshndellat me tyë në Troshan; por Provincjali – per do arsye të vetat – po m’thotë, m’e lânë per nji tjeter herë. Prandej s’po m’jet tjeter, veç me të thânë me leter: i gzosh per shum mot Kshndellat e motmotin e Rí. Dramin e Sh’ Luigjit e kam marue s’shkruemit e m’ká dalë mjaft i mirë e i gjatë: afer 1600 vjerrsha. Ká me u tfaqë me 16 Kallnduer 1927.
Tuj t’marrë ngrykë të falem me shndet tyë, P. Engllit e gjith tjerve.
P. Gjergj Fishta
***
Livorno,
Fort i Nderti e i dashtuni Provinçjal!
Letra e jote – me 10 të k.m – më ká ngushllue fort, si pse âsht mâ e para mbas tre muejsh heshtimi, si edhè fort e mâ fort per dý mrekullít e Shna Ndout qi m’i lajmon në ket leter.
Per punë t’lterit të Shna Ndout jam tue i shkrue sod P. , prandej ktû s’po të shkruej gjâ të posaçme mbi të.
Në të mbyllun t’Akademís së Sienës shkova vetë atje, me vertetue me sw të mí perparimin e P. Leonit në Pikturë mundem me të thânë, se n’at ród pikture qi ndiekë aj âsht sugurisht mâ i pari i klasës së vet. Si Drejtori i Akademís si Profesori i tij e kan levdue per cenë e perparim. Edhè un vetë jam konden me tê. Ktû po të qes dý fotografí punimesh së tija e të shenjueme me siglat A e B. Fotografija A) paraqet nji të katert të tavanit. Leoni ká pikturue në nji odë t’Akademís. Si ravizimi si ekzekutimi me bojna janë fort me vend. Në fotografín B) janë të rreshtueme punimet, qi krye rrokul vjetit n’Akademí. Drasëzat njyrje murrtë jane pûnue “a fresco” ndersa ato të bardhat me “carbonçino”.
Ajo e mjedismja – “Maternità” âsht punimi bâ per provimin e mbramë të vjetit shkolluer, e âsht sugurish mâ e bukra nder të gjitha punime të ktij subjekti paraqitë nder sprovime – Ndoshta, në mos “creatare”, ká me dalë sigurisht nji ekzekutore i mirë. Ky ká kryè sivjet të tretin kurs akademik e do të rrijë edhè dý vjet në Sienë, per me krye plotsisht kursin akademik t’asajë Shkolle e me marrë diplomen per piktor. Un jam mendimit me e lânë me vijue, mos tjeter, edhè per dý vjet Pikturen – Mjerisht âsht i mberthyem teper me sherbime të Kuvendit.
P. Agustini ká dhânë trí sprovime n’Univerzitet, e të katertin gjûhen tedeshke – në Tetuer – Nder trí sprovimet e bame, per dý ka marrë noten mâ të nalten: “30 con lode”, e per të tretin 24 – italisht.
Edhè do Freten të rí, qi ndjekin Univerzitetin, e levdojnë fort per kah zotsija në kndime.
Si P. Agostini si P. Leoni kishin me dashtë me ardhë në Shqypní kah gjysma e Shtatorit. P. Leonit kishte me i u dashtë me shkue në Venezia, per me pá ekspozicjonin e Pikturës; e atw kishte me u bâ me P. Agostinin e të dy bashkë, me vaporr me ardhë në Shqypní. Prandej, të lutem me i a xjerrë Leonit obedjencen per Venezia e – po s’pate ti gjâ kundra – të dyve vetë per Shqypní. Sa per ridukcjon shpenzimesh në vaporr, tash po interesohem vetë – E meritojnë.
Sa per punë të botimit të libravet të mí fjalët i kam të mira; palè si do të më dale puna. Me pasë per t’i botue ktu n’Italí m’nji leter gati si ajo e Kanunit, librit kishte me i rá per copë, me gjith trasport, Lit. 5.00. Të 7 blêjt, kund 300 faqesh, kishin me u botue mbrenda 7 muejve. Po u bâ puna me i botue, na bjen fort mirë me i botue ktu n’Italí – Kaq kishte me bâ lkura; por âsht halli se harusha n’mal…
P. Pali më shkruen, se perkthimin e Kanunit mendon me e bâ në bashkpunim me Toçin. Bâni si të dueni, por un nuk jam i ktij mendimi. Perkthimi i Kanunit kà randsí të madhe, e nuk shof arsyen pse t’a perziejm Toçin në ket çashtje. Sugurish, pak me thânë, nji mij bibljoteka t’Europës kishin me e blé, posë atyne t’Amerikës, të Japanit etr. Në mos dashtë me e perkthye P. Pali shkruej P. Bazilit, pse sugurisht aj e perkthen tash (vakancash?) me nihmen e P. Marinit e të Donatit. S’âsht çashtja me i bâ komente Kanunit: çashtja âsht, me perkthye tekstin ashtu si âsht. Flitet per terme teknike e legale: aq sa ká dijtë P. Shtjefní – dritë pasët! – në kso termesh, i din secilli nesh – un do t’a dergoj nji listë bibljotekash, qi sugurisht kishin me e blé Kanunin.
Më fal se s’po m’epet me shkue mâ gjatë me ket leter: më ká kcye damari me i a hî njâjë kange të Lahutës sande, e s’kam si vijoj mâ gjatë. Por jo, prit; se kam edhè nji fjalë.
Kam kenë dý here në Postico, e të dyja herët kam ndêjë per nji ditë. Doga âsht shndosh e fort konden. Me P. Martinin kam bâ qi me i u njoftë per kohë ligjore të Probandatit muejt qi kà kalûe në Bari; e kshtu ká me u veshë Munëgeshë në muej të Gushtit. Madre Maggiore e don fort e ká urdhmue – posë ushqimit me shoqe tjera – me i dhânë kolacjon posaçem në 10 paradite e merendë në 4 mbasdite.
Mâ teper, per mos me e lânë me ba kuvendi, e kam qitë si nji farë sekretarjet, me shkrue s’dij se shka…. per Munëgesha. Më ká thânë me i gjetë fuguret pomendojse të veshunit të sajë e me i a bâ gati epigrafen si edhè me i gjetë êmnin e rí rregulltar. I kam shkrue edhè Vitores se âsht shndosh e konden e se Murëgeshat kan kujdes të posaçem per tê; veç se nuk i
kam shkrue gjâ se veshet në Gusht. Kan me i shkrue Munëgeshat vetë. Në ftyrë âsht fort mâ mirë se në Shkoder, e âsht fort konden si të thoshe – Nji ditë e kishin qitë me lypë, pse kishte kerkue vetë me dalë e jo pse e kam detwrue. Munëgeshat kan me më thirrë per vesticjon të sajë, edhè un do t’u shkoj- I kam premtue Dogës, se do të perkthej per tê n’at rasë të dytin liber të Kempis – Kam uzdajë në Zotin se Doga ká me bâ buona riuscita.
Kallxoja edhè Madres kto sende; pse ajo âsht e mêçme e e don Dogen. Madres vetë kam me i shkrue, kur Doga të vêshet Munëgeshë. Kish të mendojshin të gjitha si Madrja në ket punë! Pse do të flitej pak e do të ndihej edhè mâ pak! Sa per fjalë mjaft ká të motrat e veta. Vokacjoni i cilles Munëgeshë shqyptare kâ kênë vû mâ fort gjatë në provë se vokacjoni i ksajë mâ se prej shpijet, kû ká pasë nji mij të mira,
mbas dymbdhetë vjet kundershtimesh ká hikë e âsht ndry në Kuvend! Nuk âsht mirë me shartue zi e me bâ profecija jashta vendit. Edhè Ruth e Bersabé njifen në genaologi të Krishtit. Mâ shêjt e mâ Shejtneshë se Krishti s’âsht kush i gjallë. Nejse…
Si të thashë, kam fillue nji kangë, qi shpresoj se ká me mbetë nder mâ të bukura të Lahutës. Dér m’sod kam shkrue ktu n’Italí kater kangë të Lahutës; nji Cantico drammatico mâ se dý mij vjerrshash; nji Konferencë mbí Provincjen t’onë e nji satirë mjaft të gjatë. E pra Doktori më ká pasë urdhnue kater muej pushim menduer, posë trazimesh të mdhá qi më qesin letrat shum herë të papuna. I falem nderës Zotit, qi ké kthye në Shkodër ti!
M’i thuej P. Palit se kilja e duhanit s’më ká rá në dorë. Me Postë nuk kam qef me më dergue kurrgjâ duhan. Jam ngusht por s’kam shka bâj. Nuk ká hije per mue me m’u gjetë gjâ kontrabandë.
Por, se të m’a dergoj Fr. Ndou nji shishe rakí – të gjymtueme, merr vesht – kishte me m’u bâ qefi; mjaft qi të jét aso s’mêret. Më ká marrë malli per nji pike rakí Gjûhadolit!
Fal me shndet P. Antonit, P. Pashkos, P. Palit, Martinit, Frano Kirit, P. Jakut, P. Paulinit, Sebastjanit, Antoninit, Fr. Ndout, Ndoc Lisnes e Shtyshkrojsve, Zef Prendushit, Ndocit, Nanës s’ate etr. etr. etr. Kam me të shkrue per së shpejti.
Mâ bash naten e mire, e kjo leter të gjetët shndosh!
P. Gj. Fishta
M’byten mushkajat, eh i marroftë Zoti!
Adresen po t’a shkruej italisht,
pse ndryshe m’recapis Posta shkruen:
Fort i Nderti, e kurrgjâ tjeter.