“Pjetri” dhe kriza, Spiropali zbulon hapat e PS: Bëjmë më të fortë ligjin, gati të ulemi me opozitën

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka folur në rubrikën “Opinion”, në News 24, për rastin e Valdrin Pjetrit dhe nismën e Partisë Socialiste për të ashpërsuar ligjin e Dekriminalizimit.

Spiropali tha se PS nuk është agjenci ligjzbatuese dhe as hetues i specializuar, që të zbulojë të shkuarën e individëve, pasi sipas saj, kandidatura e Pjetrit ka kaluar në të gjithë procesin e filtrimit dhe më pas është paraqitur në Kryesinë e PS.

“Ne mbajmë përgjegjësi si forcë politike për gjithçka që ndodh nën siglën dhe logon e PS, por nuk jemi as agjenci ligjzbatuese, as hetues të specializuar për të zbuluar të shkuarën e individëve. Kandidatura ka kaluar në të gjithë procesin e filtrimeve dhe është paraqitur edhe në Kryesinë e PS. Nuk është kryetari që vendos i vetëm për kryetarët, ata kalojnë në një proces të gjatë. Është e pamundur të hetojmë të shkuarën e kandidatëve, kur ajo nuk reflektohet në dëshmitë e penalitetit dhe dokumente të tjera. Ndaj ne që dje propozuam që të kemi ndryshime në ligjin e Dekriminalizimit, në mënyrë që të parashikohet një periudhë filtrimi nga institucionet përkatëse, para se partitë të zgjedhin kandidatët”, tha Spiropali.

Kush mban përgjegjësi tjetër, përveç PS?
Përgjegjësia është individuale. Ne nuk shtyjmë dot në fall, që të zbulojmë se individë të caktuar janë kapur me drogë në moshën 20 vjeçare. Por ne kemi vullnetin që ligjin ta bëjmë më të fortë.

Çfarë do sjellë ligji?
Kemi bërë hapin e parë, ndryshimet nuk dihen ende. Do u jepet më shumë kohë organeve për të hetuar, që kandidati të jete i filtruar, para se partia ta kandidojë.

Më tej, ministrja Spiropali u ndal dhe te kriza e thellë politike, duke thënë se PS është e gatshme të ulet në tryezën e diskutimit, por pa ultimatume. Sipas saj, Lulzim Basha ka dështuar në drejtimin e aksionit opozitar, ndaj dhe demokratët duhet të gjejnë një lider të ri.

“Ne ja dolëm të organizojmë zgjedhjet, pavarësisht kërcënimeve, forcës, dhunës. Ishin një fitore për Shqipërinë dhe jo për PS, sepse Shqipëria ia arriti të organizojë zgjedhjet, të ketë qetësi atë ditë dhe të ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve. Shpresojmë që opozita jashtëparlamentare të fillojë një proces reflektimi, të kthejë sytë nga vetja dhe të bëjë analizën e duhur. Të krijojë një ekip, të gjejë një lider që i përgjigjet nevojës së demokratëve dhe t’i rikthehet elektoratit”, deklaroi ajo.

I organizohen opozitës zgjedhje të lira e të ndershme?
Ne jemi të vendosur për të bërë edhe më shumë, të respektojmë të gjitha rekomandimet e OSBE/ ODIHR. Jemi të gatshëm të depolitizojmë gjithë procesin e zgjedhjeve. Kemi dy vjet që kërkojmë dhe opozitën të ulet në tryezë.

Mazhoranca do ketë ofertë të re për të zgjidhur krizën, apo palët janë shumë larg?
Ne nuk jemi larg, jemi të gatshëm t’i qëndrojmë pranë opozitës. I kemi zgjatur dorën disa herë, jemi gati për dialog për më të mirën e Shqipërisë. Jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, të diskutojmë, të gjejmë pikat e përbashkëta, por nuk pranojmë ultimatume. Basha humbje pas humbje vazhdon këmbëngul te ikja e Ramës, te qeveria teknike, te koncepte që u hodhën poshtë më 30 qershor dhe e treguan aksionin opozitar tërësisht të dështuar.

Flitet për presione nga të dyja palët në raportin e OSBE?
Ne e lexojmë drejt raportin, ndaj kërkojmë uljen në tryezë dhe dialog. Zgjedhjet ndodhën, përkundër asaj që parashikuan Basha e Kryemadhi, partnerët qëndruan deri në fund me Shqipërinë. Të gjitha këto, opozita duhet t’i lexojë dhe të bëjë reflektimet, ne i kemi bërë reflektimet tona.

Çfarë reflektimi ka për 30 qershorin?
Është çështje e ezauruar. Për standardet zgjedhore në vazhdim, si depolitizimi total i administrimit zgjedhor, vota e emigrantëve dhe përfaqësimi i tyre në Parlament, janë disa hapa që do çlironin politikën shqiptare. Do t’i bëjmë së bashku me opozitën, ta lëmë politikën e hurit, nuk i çoi dhe nuk do t’i çojë askund.

Lideri i ri i opozitës?
Nuk më takon mua të flas, por është e qartë që Basha ka dështuar tërësisht në aksionin e tij opozitar. Është përpjekur të shkatërrojë zgjedhjet në Shqipëri. Po bën luftë totale dhe frontale kundër mazhorancës, por ka dështuar me turp. Nuk besoj se do i kthehet kësaj tentative, por edhe nëse e bën kjo është humbje e madhe për masën e demokratëve, që kërkojnë përfaqësim.

Ka diçka në videot që disponon opozita nga procesi i 30 qershorit?
Nuk jam inspektor e as prokuror. S’më takon të bëj gjykime mbi provat e opozitës. Ajo ka të drejtën t’i paraqesë. Ai proces është menaxhuar me kujdesin absolut, duke arritur standard të jashtëzakonshëm. Për fakte që ata mund të kenë, le t’i paraqesin. ODIHR do bëjë gjykimin e vet të ftohtë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...