Trashëgimia komuniste që vazhdon na përndjek si traumë historike

Nga Dom Gjergj Meta

Mondi është mësues historie me profesion. Ka mbaruar shkollën e lartë në vitet e fundit të komunizmit. Punon drejtor në një bashki jo shumë të madhe. Në biseda private në kafe është kritik ndaj kryetarit të Bashkisë dhe krejt qeverisë, por bisedat e tij janë gjithmonë me zë të ulët, duke shikuar majtas e djathtas dhe asnjëherë nuk del publikisht kundër, qoftë edhe me një pëlqim virtual në një status facebook-u kundër qeverisë.

 

Ermiri është djalë i ri, ka mbaruar shkollën e lartë, me rezultate disi, dhe është emëruar drejtor në një drejtori të rëndësishme të administratës qendrore. Merita e tij e vetme është militantizmi, pasi nuk ka pasur asnjë përvojë të mëparshme pune dhe rezultatet e tij të shkollës nuk e justifikojnë pozicionin që ka. Gjuan çdo status Fb kundër qeverisë dhe kryeministrit dhe kundërshton me zell të madh. Zelli i tij ndaj partisë që e ka futur në punë shkon deri në dhunë. Ky ka lindur diku nga viti 1992 dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me regjimin, përveç faktit që prindërit e tij ishin nëpunës të thjeshtë të shtetit shqiptar dhe jo anëtarë partie.

 

Dauti ka qenë në burg politik për shumë vite. Në biseda private është shumë i ashpër ndaj komunizmit dhe ndaj disa individëve që e kanë persekutuar dhe që jetojnë në qytetin e tij. Por kur i takon ata ka një si lloj nderimi a droje ndaj tyre dhe i buzëqesh gjithmonë, ulet në kafe me ta dhe në biseda fillon dhe trajton shembuj komunistësh që kanë mbrojtur njerëzit dhe të burgosurit politikë.

 

Jerina është një vajzë 20 vjeçe. Gjyshin e saj e kanë pas burgosur dhe internuar gjatë regjimit. Ajo ka lindur në vitin 1999. Retorika e saj kundër regjimit komunist është shumë e ashpër. Madje në biseda konfidenciale ajo thotë se ka makthe me burg, policë që arrestojnë, tortura nëpër qeli etj. Kur flet për komunizmin në një pikë fillon e dridhet e gati sa nuk qan.

Dhe shembulli i fundit nga bota e politikës. Viti 1945, ardhja në pushtet e komunizmit ka një retorikë të tipit: armiqtë e popullit në litar, para pushkës etj. U tha u bë.

 

1991–2019: çdo opozitë në këto vite ka përdorur në mënyrë të shpërpjesëtuar, duke i kthyer madje në kryefjalë, shprehje të tipit: “burg, pranga, kriminelë, hajdutë” e leksik tjetër të ngjashëm. Analogjia ndërmjet këtyre kohëve është e frikshme edhe pse krejtësisht e pavetëdijshme nga ana e aktorëve. Mjafton të krahasohet kjo retorikë me ato elektorale të vendeve si Italia, Franca, Gjermania, Danimarka etj., dhe do të shihet një ndryshim thelbësor, aq sa është thelbësor ndryshimi midis shoqërive.

 

Janë vetëm disa shembuj, dhe ka pafund të tjerë, të një situate mjaft alarmante të shoqërisë shqiptare. Edhe pse rastet e mësipërme nuk janë të gjithë tërësisht të lidhur me traumën, ata kanë një lidhje të tërthortë me të, e të tjera lidhje të drejtpërdrejta. Shoqëria shqiptare është një shoqëri e traumatizuar dhe kjo traumë ka një emër dhe një shkaktar: komunizmi. Trauma më e madhe, sikurse do ta them edhe në vijim, ka të bëjë me ndarjen dhe polarizimin e shoqërisë. Kjo goditje ka dëmtuar, ka çarë përmidis rëndë individin dhe shoqërinë shqiptar. Fakti që ende ka shumë njerëz që reagojnë kur shkruhet për komunizmin duke thënë, ose “po lëre se ka kaluar” ose në mënyrë agresive duke përmendur lavdinë e asaj epoke, do të thotë qartas se ajo kohë është ende e gjallë në jetën e shoqërisë tonë me të gjitha efektet e saja.

 

Fjala “traumë” është një term klinik, prandaj duhet kujdes në përdorimin e tij. Përdoret në mjekësi dhe në psikopatologji. Unë do ta përdor në rrafshin e kësaj të fundit. Në psikopatologji, me fjalën traumë, kuptojmë një përvojë kërcënuese ekstreme, e papërballueshme, e pashmangshme, përballë së cilës një individ është i pafuqishëm.

 

Ky është një ndër përkufizimet e traumës psikologjike dhënë nga një prej studiuesve më në zë të kësaj teme, Ven der Kolk. Kohët e fundit, i interesuar për pasojat e komunizmit në Shqipëri dhe shfaqjet e tyre në sjelljet e shoqërisë dhe individëve, kam hulumtuar materiale, se si trauma dëmton jo vetëm individin, por edhe kolektivin. Madje kjo e fundit, pra trauma kolektive, nëse nuk trajtohet, mund të kthehet në historike, d.m.th. e trashëgueshme.

 

Një psikolog i famshëm italian, Luigi Zoja, thotë kështu: “Në shekullin XXI, sikur ndodh pas traumave epokale, e shkuara (e ka fjalën për fashizmin dhe komunizmin) nuk është përpunuar dhe tejkaluar, por vetëm është harruar dhe tjetërsuar…Në disa epoka dhe vende, për shkak të “nevojave” historike, ikja nga ajo çka është evidente si edhe nga realiteti, mund të mos kufizohet vetëm te individi, por mund të kthehet në një psikopatologji kolektive”.

 

Trauma e shkaktuar nga komunizmi në Shqipëri “i ka rrënjët në gjak”, sikurse thonte një parullë e asaj kohe. Kjo traumë ka përfshirë jo vetëm individë, por gjithë shoqërinë shqiptare. Ajo nuk kufizohet në një kohë të caktuar, por shtrihet historikisht e trashëgohet edhe tek individë që nuk e kanë jetuar atë kohë e që kanë lindur në vitet e fundit të komunizmit, ose edhe në vitet e demokracisë. Trauma psikologjike e prindërve apo edhe gjyshërve trashëgohet te fëmijët, te brezat në përgjithësi.

 

Një nga aspektet më të tmerrshme të traumës është kur shkaktari i saj, dhe ai që ka për detyrë të mbrojë viktimën, janë i njëjti person. Në Shqipëri ka ndodhur një përdhunim në familje. Ata që kishin për detyrë të mbronin qytetarët e tyre i kanë shkaktuar një traumë të madhe, duke ndarë shoqërinë, duke bërë armiq një palë e skllevër të verbër palën tjetër dhe duke i kundërvënë me njëri-tjetrin. Pa përmendur torturat, terrorin, si në rastin e të pushkatuarve në Qafën e Valmirit, apo në Gurëz të Kurbinit, keqtrajtimet nëpër burgje e kampe si ai i Tepelenës; retorika e përditshme poshtëruese që përdorej ndaj anëtarëve të një familjeje që kishte pasur një person me cen në biografi, duke filluar që nga fëmijët në shkollë me fjalë të tipit: “Mos rri me të se është djali i armikut!”, e deri në pengimin e shkollimit, fejesave e martesave e kështu me radhë. Dhe pasojat janë shumë më të mëdha se sa po të kishte qenë shkaktar një pushtues apo një i huaj në përgjithësi. Trauma e komunizmit është një traumë brenda familjes, nga njerëzit tanë.

 

Sigurisht kjo kërkon studime, se në çfarë mase ka ndikuar dhe cilat janë shenjat e kësaj traume sot në shoqërinë tonë, por e vërteta është se kjo traumë nuk është trajtuar, madje është shmangur dhe heshtur. Ja pse sot kemi një shoqëri të traumatizuar e cila ka shfaqjet e saj në frikën që e kaplon për të ardhmen, në frikën ndaj kritikës e ndaj eprorit, qeverisë apo privatit, sidomos kur je i punësuari i tyre. Po ashtu, një shenjë e kësaj psikopatologjie kolektive janë mendësia totalitare dhe mesianike që grupe dhe individë të caktuar kanë sot në Shqipëri, e shprehur sidomos në forumet politike, por edhe në grupe të caktuara artistësh e akademikësh.

 

Dekomunistizimi prandaj nuk është një fakt simbolesh apo teorish, nuk është çirrje kundër komunizmit. Dekomunistizim do të thotë detraumatizim dhe trauma trajtohet klinikisht. Nuk mjafton vetëm studimi i komunizmit, hapja e dosjeve, kujtimi i së kaluarës apo aq më keq, dalja me logjikën “ka kaluar tani” apo “të gjithë kemi vuajtur në atë kohë”, por duhet një përpunim shpirtëror dhe psiko-afektiv i kësaj të kaluare traumatike.

 

Ikja e shqiptarëve në vitet ‘90 dhe ajo e viteve të fundit, qoftë si dëshirë e qoftë si fakt, është ikje nga trauma. Nuk është vetëm nevojë ekonomike, është mbi të gjitha ikje nga realiteti, mos durimi i këtij realiteti dhe i hijeve që ai mbart. Është një protestë e heshtur ndaj realitetit traumatik edhe pse ndoshta jo protesta e duhur. Ikja e zhvendos problemin, por nuk e zgjidh, sepse trauma të ndjek kudo nëse nuk e trajton.

 

Ja pse kemi njerëz publikë kaq verbalisht të dhunshëm, kemi babëzi ekonomike e skizofreni sociale. Ja pse ne kemi të rinj që, edhe pse kanë lindur në demokraci, bëhen militantë partiakë të verbër dhe kanë nevojë ende për lider që të identifikohen e nuk arrijnë kurrë të jenë vetvetja. Trauma e trashëguar i depersonalizon e i bën pa asht. U ngjajnë karkalecave të detit që sapo u heq koren, dalin si qull. Ja pse ka ende njerëz që duan të të heqin të drejtën e fjalës e madje të të tregojnë se çfarë duhet e çfarë nuk duhet të thuash e në rastin më të mirë bëhen këshillues “dashamirë” me fjalët: “Ç’të duhet ty, shiko punën tënde?” Kjo fjali e fundit dëgjohet vetëm në sistemet totalitare ose në ato mafioze të Italisë së jugut.

Për këto arsye demokracia nuk funksionon në Shqipëri, madje as me njerëz të rinj dhe nuk mund të ndodhë derisa të mos trajtohet trauma komuniste.

 

Europa fatkeqësisht këtë gjë nuk e ka llogaritur. Ajo ende mendon se ne duhet të plotësojmë disa kushte ekonomike dhe juridike për të qenë pjesë e saj. Një shoqëri dhe një komunitet politik i traumatizuar mund të arrijë standarde ekonomike dhe juridike të kënaqshme, por është e gatshme t’i hedhë në erë sapo të ndihet e rrezikuar. A nuk ka ndodhur shpesh kështu në këto vite? A nuk po ndodh ende sot? Standardet ekonomike e juridike i ngjajnë një kostumi të bukur që vesh një njeri me skizofreni akute, por që assesi nuk mund të ndryshojë gjendjen e tij klinike, madje e bën më të rrezikshëm, sepse njerëzit gënjehen nga pamja e jashtme. Brukseli nuk i njeh traumat e shoqërisë shqiptare e këta duan kohë të shërohen, nëse ndodh. Nuk i shëron as hyrja në NATO, as Liberalizimi i vizave, as Reforma në drejtësi e as Hapja e negociatave për anëtarësim në BE.

 

Viti i fundit ka treguar se sa e thellë është kjo traumë që do të na ndjekë për shumë kohë e do të ndikojë edhe në brezat që do të vijnë.

Studime mjaft serioze tregojnë se trauma e hebrenjve gjatë holokaustit ka pasur ndikim edhe te nipat e atyre që nuk e kanë njohur e jetuar atë kohë. Rastet klinike tregojnë për ankthe dhe ëndrra me burgosje, tortura e vrasje, sikurse në një nga shembujt e mësipërm.

 

Analogjia me holokaustin hebraik i shkon për shtat holokaustit të gulageve staliniane, të burgjeve të krejt lindjes komuniste dhe të atyre shqiptare. Kjo analogji historike dhe psikopatologjike nuk minimizon holokaustin dhe as maksimalizon terrorin komunist. Përkundrazi ndriçojnë njëri-tjetrin. Edhe ata që ishin jashtë këtyre burgjeve, kinse në liri apo ishin drejtpërdrejt a tërthorazi shkaktarë të traumës kolektive shqiptare, mbeten të prekur thellësisht prej saj dhe meqenëse kanë jetuar me një liri të gënjeshtërt dhe një pushtet që nuk e kanë pasur kurrë, vazhdojnë të jetojnë ende në iluzion.

 

Ne nuk e kemi trajtuar ende si dhe sa duhet këtë fakt. Ndoshta sepse jemi si peshku në ujë që jeton aty “natyrshëm”. Kemi vështirësi ta shohim nga jashtë dhe nga larg këtë plagë që na ka shkaktuar komunizmi. E ndërkohë, ajo vazhdon të shkaktojë viktimat e saj dhe të “gjakosë” ende shoqërinë tonë e ta bëjë atë të paqëndrueshme e shpresëpakët. Do të kisha dëshirë që kjo temë të trajtohej ende, pa zemërim dhe inat, por me vërtetësi në mënyrë që të shkojmë drejt një shoqërie të paqtuar dhe të paqtë për ne dhe për brezat që do të vijnë.

 

* Autori është Ipeshkëv i Rrëshenit

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME